E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompanitë italiane, garë për dominimin e tregut ballkanik në “Fiera del Levante”



Rreth 200 kompani italiane kryesisht nga rajoni i Pulias nisën dje garën e tyre të prezantimit të shërbimeve dhe produkteve në edicionin e tetë të panairit “"Fiera del Levante”, që u hap në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Në këtë ceremoninë e përurimit të këtij edicioni ishin të pranishëm kryeministri Sali Berisha, presidenti i Fiera del Levante, Cosimo Lacirignola, presidenti i Rajonit të Pulias, Nichi Vendola, ambasadori i Italisë i akredituar në Tiranë, Saba D'Elia, Ministrat e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Lufter Xhuveli, përfaqësues të Trupit Diplomatik, biznesmenë të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë etj. Kryeministri Berisha në fjalën përshëndetëse drejtuar këtij evenimenti, garantoi se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për të mirëpritur investitorët italianë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si atë mineral, energjetik, agrar, shëndetësor, turizëm etj., me qëllim rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve. Panairi organizohet në bashkëpunim me Rajonin e Pulias, dhe prezantohen sektorë të ndryshëm, si energjia, infrastruktura, produktet bankare, kultura, mjedisi etj. Fuqishëm u prezantua dhe banka e parë me kapital 100 për qind italian, “BIS Banka”, e cila prej pak kohësh ka nisur aktivitetin e saj të suksesshëm financiar në tregun bankar në Shqipëri. Ekspozita ka në qendër të saj fusha që prekin të gjithë sektorët parësorë të ekonomisë së Shqipërisë dhe të vendeve të tjera ndërkufitare si Mali i Zi, Kroacia, Serbia, Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Greqia dhe Turqia.

21 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›