Privatizimi i Albpetrolit, debate PD-PS në Kuvend

Shqyrtimi i projektligjit “Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” është shoqëruar me debate mes shumicës dhe opozitës, e cila kundërshton këtë privatizim.
Duke folur në foltoren e Kuvendit, Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço ka kërkuar votën e deputetëve, për miratimin e projektligjit për privatizimin e Albpetrolit ndërsa deputetët e opozitës janë shprehur se pas këtij privatizimi fshihen afera korruptive.
“Prona publike është pronë e të gjithë qytetarëve dhe një referendum I qytetarëve duhet të vendosë nëse duhet të shiten ose jo pronat publike” ka deklaruar deputetja e PS-së Mimi Kodheli.
Kuvendi gjithashtu ka diskutuar sot edhe për projektligjin për mbikëqyrjen dhe tregtimin e produkteve joushqimore. Deputeti i PS-së Saimir Tahiri ka deklaruar se në vend tregëtohen mallra të pakontrolluara në treg të cilat nuk kanë garanci për jetën e qytetarëve.
“Nëse ka një shprehje që sot merr kuptim më shumë se kurrë është të blesh vdekjen me para. Nuk është mbushur muaji nga zjarri ne tregun industrial në kombinat ku u shkaktuan dëme të mëdha, e gjithë kjo sepse në atë treg shiten në mënyrë të pakontrolluar mallra që nuk kanë garanci për jetën e qytetarëve”,- deklaroi Tahiri.
Ndërkohë, sipas deputetëve të mazhorancës, projektligji për mbikëqyrjen dhe tregtimin e produkteve joushqimore është në përputhje dhe nuk bie në kundërshtim me dispozitat e Bashkimit Europian.