Vlorë, Pylli i Sodës, pre e ndërtimeve pa leje
VLORË- Zona e pyllit të Sodës në qytetin e Vlorës vazhdon që të jetë pre e ndërtimeve të paligjshme edhe pse prej kohësh ka kaluar fati i legalizimeve. Verifikimet e fundit tregojnë për 22 ndërtime pa leje që janë ngritur në zonën e pyllit të sodës, për vitet 2007 dhe periudhën e deritanishme të 2008-ës. Sipas vetë ndërmarrjes, shumë prej tyre janë kryesisht në funksion të banesave dhe vetëm dy janë lokale. Territoret e zëna janë nga 200 deri në 500 metra. Të gjitha ndërtimet janë kryer pranë zonës informale, ndërsa dy të tilla, janë ndërtime në bregdet. Sipas ndërmarrjes pyjore, këto ndërtime janë njoftuar në strukturat bashkiake, prefekturë, policinë ndërtimore dhe rajoni, struktura këto që detyrohet të mbajë në korrent ndërmarrja në fjalë. Për vitin 2008, pesë zënie të paligjshme kanë dëmtuar edhe pemë të pyllit të Sodës të cilat janë prerë në mënyrë abuzive për t’i hapur rrugë këtyre ndërtimeve. Për vitin 2008, pranë prokurorisë janë depozituar tre denoncime për këto prerje në pyllin e sodës, ku gërmimi dhe prerjet kapin vlera të larta. Më shumë hapësira të zaptuara brenda pyllit të sodës ka pasur para vitit 2000. Janë gjithsej në këtë periudhë 150 hektarë dru të prerë të cilat janë raportuar edhe në ministri për heqjen e fondit pyjor, sipërfaqe kjo që është reduktuar në 550 hektarë. Në zonën brenda pyllit të sodës nuk kanë munguar edhe ndërtime të kabinave, që jepen me qira, për të cilat pranë ndërmarrjes në fjalë pohojnë se nuk ka dijeni. A. Peçi