E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndreca: Vrava nënë e bir sepse më pështynë

LEZHË- Pas vrasjes makabre të një gruaje dhe djalit të saj për një dele, policia e Lezhës ka zbuluar detajet e para. Ekspertët e policisë kanë konstatuar se viktimat Mrika dhe Nikolin Matrizi janë ekzekutuar me 20 plumba kallashnikovi nga ana e Pashk Ndrecës. Por familja e viktimës ka pohuar dje se motivi i vërtetë i ngjarjes nuk mund të jetë humbja e deles. Madje ata e ka quajtur të pajustifikuar dhe me kanun faktin që është qëlluar mbi një grua.***Duke ndërtuar tërë skenën e kësaj ngjarje të rëndë, nga ana e policisë pohohet se në banesën ku ka ndodhur krimi i vrasjes së dyfishtë ka qenë i vetëm Pashk Ndreca, një shtëpi ku ai zakonisht vinte për të mbajtur e kullotur bagëtinë në malin ngjitur. Pjesëtarët e tjerë të shtëpisë ishin në një shtëpi tjetër të blerë kohë më parë që ai e kishte disa metra larg varrezave të qytetit të Lezhës. Pikërisht atë ditë Pashku është kthyer nga kullota e bagëtisë dhe i ka futur ato në stallën e posaçme që kishte ngritur për bagëtitë e imta që mbarështonte në atë vend. Në këtë moment kur ka mbyllur derën e stallës, sipas tij, në oborr ia kanë behur Mrikë Matrizi së bashku me të birin Nikolinin, që i kanë thirrur të dilte. Në momentin që ai është afruar dhe kur ka qenë përballë më nën e bir, ka filluar dhe debati që me sa duket ka qenë me shkallë të lartë acaruese që në fillim. Pashku ka thënë në polici se ka qenë Mrika që i është drejtuar se “më ke ofenduar si ngatërrestare në fshat e gjëra të tjera”, dhe sipas tij, e kanë kërcënuar se do ta vrisnin. Vetë Pashku ka pohuar se nuk e kishte ofenduar ndonjëherë dhe se nuk kishte folur për të. Ndërkohë që debati acarues ka vazhduar për minuta të tëra dhe sipas autorit zënka është përkeqësuar deri në të përshtyra nga ana e Mrikës. Por Pashku nuk e ka përtypur dot këtë gjë dhe për të vënë “nderin” në vend, i është drejtuar shtëpisë duke hyrë brenda e marrë automatikun që e mbante pa leje, dhe sapo ka dalë në derë ka qëlluar gjithë karikatorin në drejtim të nënë e bir Mrika dhe Nikolin Matrizi duke i lënë të vdekur në vend me 20 plumba kallashnikovi mbi trupin e tyre. ***Pas kësaj Pashk Ndreca është larguar menjëherë për në mal duke marrë me vete dhe armën e krimit, por policia e Lezhës ka bërë rrethimin e tërë hyrje-daljeve në fshatin ku ndodhi krimi dhe duke bërë të mundur në afro 30 minuta arrestimin e tij. Pas refuzimeve të fillimit se nuk ishte autori i vrasjes Pashk Ndreca, ka treguar gjithë ngjarjen pas hetimit që i është bërë nga ana e policisë, dhe arsyet që e kishin detyruar të kryente këtë krim të dyfishtë. Mësohet se Mrika Matrizi kishte pesë fëmijë, një djalë (Nikolinin), që iu vra dhe katër vajza. Ndërkohë autori i vrasjes së nënë e bir, Mrikë dhe Nikolin Matrizi, kishte pesë fëmijë, një vajzë dhe katër djem. Tre fëmijë i ka në Itali dhe dy të tjerë në shtëpi. Gjergj Marku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›