Privatizimi i Kompleksit Partizani, Balla dorëzon prova të reja në SPAK

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka bërë të ditur se ka dorëzuar në SPAK prova të reja lidhur me padinë e tij për privatizimin e kompleksit Partizani. Balla shkruan se ai nuk do të heq dorë nga zbardhja e privatizimit të Kompleksit Partizani që sipas tij përfitues direk janë Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
“Kush mendon se kemi hequr dorë nga akuzat tona gjatë kohës kur ishim në opozitë, e ka shumë gabim. Prej vitit 2012 dhe pa asnjë ndërprerje vit pas viti, kam denoncuar grabitjen e kompleksit Partizani, duke përvetësuar ndërtesat dhe fushat e futbollit mu në qendër të Tiranës. Sot në SPAK depozitohen prova të reja të kësaj mega-grabitje. Kam shumë besim se Drejtësia e re do t’i shkojë deri në fund”, shkruan Balla.
Në nëntor të 2020, Taulant Balla paditi në SPAK për ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami për privatizim të Kompleksit gjatë qeverisjes së PD. SPAK ka regjistruar çështjen dhe është në hetim.
/rtsh.al/