E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi si tregues ndryshimi

Qeveria “Berisha” ka një ndryshim të madh, krahasuar me qeverisjet e ndryshme majtiste, edhe përsa u përket treguesve dhe efiçencës së lartë në procesin e privatizimit. Madje, ky lloj ndryshimi është esencial, pasi, përveç të tjerash është pjesë e fizionomisë dhe profilit të veçantë qeverisës, që karakterizon të majtën dhe të djathtën në përgjithësi. Kjo veçanti politike u bë shkak që Partisa Demokratike dhe forcat e tjera të djathta të bëhen iniciatorët dhe ekzekutorët më të suksesshëm të këtij procesi qysh në ditët e para të tranzicionit, sapo filloi të funksionoi i pari parlament pluralist në Shqipëri. Kësisoj, fshatarët u bënë pronarë të tokës bujqësore dhe qytetarët u bënë pronarë të apartamenteve të banimit, pikërisht në saj të këmbënguljes dhe vizionit të Partisë Demokratike për rolin e pazvendësueshëm të pronës private në konsolidimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Siç dihet, ky proces njohu zhvillime të papara në vitet ’92-’96, kur në pushtet ishte qeveria e koalicionit të djathtë. Mjafton të kujtojmë se deri në fund të mandatit të parë të qeverisë të demokratëve, përfundoi plotësisht privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore - të vogla e të mesme - dhe ishte gati platforma e privatizimit të sistemit bankar dhe ndërmarrjeve të tjera strategjike. Efiçenca e procesit të privatizimit në këtë periudhë ishte baza kryesore e arritjeve spektakolare në fushën e konsolidimit të ekonomisë së tregut, ku sipërmarrja e lirë private arriti të jepte gati 80 për qind të PBB-së në fund të vitit ’96. Për një vend që e filloi demokracinë në kushtet kur prona ishte vetëm shtetrore, dhe elementët më “kapitalist” të saj ishin tufëzat dhe arëzat, arritje të tilla ishin gati magjike. Në këto kushte, brenda 2-3 vitesh, treguesi i rritjes ekonomike arriti deri në 13,3 për qind, duke bërë që Shqipëria të renditej në krye të vendeve ish komuniste të Europës Lindore, përsa i përkiste nivelit të këtij treguesi. Por, “revolucioni demokratik i vonuar” i Qose-akademisë në pranverën e vitit ’97, që shndërroi në gërmadhë gjithçka ishte ndërtuar në vitet e para të pluralizmit shqiptar, ngjyrosi me të kuq edhe procesin e privatizimit, për shkak të rikthimit në pushtet të social-komunistëve, që e kanë në gen agresivitetin politik ndaj kundarshtarit.
Siç dihet, prona private dhe ekonomia e tregut kanë qënë nocione të huaja për klasën e rinovuar të “demokratëve” të majtë në Shqipëri. Por qëndrimet e tyre kundërshtuese në Parlamentin e parë pluralist për “t’ua lënë ende në përdorim tokën fermerëve” dhe rezistenca e mëvonshme ndaj disa reformave të tjera pronësore tregonin se edhe punistët e konvertuar në socialistë, vazhdonin të kishin ende busull orjentimi parrullën leniniste, sipas të cilës “prona privat lind çdo ditë e çdo orë kapitalizmin”, megjithëse njerëzit e tyre u bën përfituesit më të mëdhenjë të produkteve që krijoi procesi i privatizimit, qysh në vitet e para të pluralizmit. Mjafton të kujtojmë se, në kohën e monizmit njerëzit më të privilegjuar ishin komunistët dhe drejtuesit e ndryshëm të pushtetit apo organizatave të masave. Kësisoj, këta zotëronin edhe apartamentet më të mira, ishin të punësuar në rrjetin e tregtisë dhe ndërmarrjeve të tjera të preferuara të shërbimit ndaj popullit, siç i thoshin, ndaj procesi i privatizimit në hapat e para të tij, favorizoi pikërisht këtë katëgori qytetarësh. Atyre u erdhi e mira tek dera, siç i thonë, megjithatë formimi dhe indoktrinimi i gjatë komunist, nuk mund t’i bënte ata mirënjohës ndaj forcës politike që i shndërroi nga proletarë në pronarë. Pjesmarrja e tyre në rreshtat e rebelimit fshataro-evgjito-komunist të ’97-s ishte treguesi më i qartë i edukimit të tyre me normat e moralit komunist dhe “mësimet e marksizëm-leninizmit ngadhnjimtar” në kushtet e reja që ishin krijuar, pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri. Këtë lloj karakteri reflektuan edhe gjatë 8 viteve të ushtrimit të pushtetit, ku procesi i privatizimit ka njohur një nga periudhat më të errëta në vitet e tranzicionit shqiptar. Këtu, fjala është sa për ritmin e ulët aq dhe për cilësinë e keqe të këtij procesi. Natyrisht që procesi i privatizimit në vitet e qeverisjes majtiste nuk mund të bënte përjashtim nga gjithë standarti skanaloz i ushtrimit të pushtetit të tyre uzurpator, por rezultatet e shënuara në këtë drejtim ishin me të vërtetë të turpshme. Me sa duket, atyre nuk u vinte mirë që të shihnin me sytë e tyre se si kapitalizmi triumfonte mbi socializmin e tyre të dashur dhe ekonomia e tregut i shndërronte në rentabël ndërmarrjet që në vitet e monizmit dhe dy vitet e para të pluralizmit nuk nxirrnin dot as rrogën e punëtorëve, por shteti i paguante ata me 80%.  Përveç horizontit të ngushtë qeverisës në ekonominë e tregut, një arsye tjetër jo më me pak ndikim negativ në këtë drejtim ka qënë edhe vendosja e procesit të privatizimit në funksion të pasurimit të pandershëm të pushtetarëve majtist nëpërmjet aplikimit të korrupsionit “kudo dhe në çdo gjë”, nëse perifrazojmë kështu përkufizimin e ekonomisë politike të socializmit për ligjin e kursimeve në kohën e monizmit.
Siç e përmendëm pak më lart, qeveria e Partisë Demokratike kishte bërë gati platformën e privatizimit të ndërmarrjeve strategjike, qysh në vitet ’95-’96, dhe kishte filluar me konkretizimin e këtij procesi në sektorin bankar. Qysh në nëntor të vitit ’95 kishte dalë ligji për privatizimin e sektorit bankar dhe gjatë ‘96-s u vazhdua me rikapitalizimin e tyre. Kësisoj, Banka Kombëtare Tregtare dhe Banka Tregtare Agrare ishin gati për t’u privatizuar qysh në fund të vitit ’96. Banka e Kursimeve ishte lënë të privatizohej pak më vonë, dhe kjo ishte arsyeja që asaj i kishin kaluar një sërë degësh të BTA-së dhe BKT-së në të gjithë republikën, që ishin më me pak aktivitet se të tjerat. Por qeveria e “nëntëdhjeteshtatëshave” gjithë këto përgatitje i hodhi në lumin e Lanës dhe në ’98-n vendosi falimentimin e BTA, duke e shndërruar në ATK. Falimentimi ishte një opcion i mundshëm edhe për BKT-në, e cila ishte banka më e mirë shtetërore në atë kohë, me një fitim vjetor që shkonte deri në 8-9 milionë dollarë. Nuk e dimë se si iu kthye mendja pushtetarëve majtistë të asaj kohe për BKT-në, e cila u fut më vonë në procesin e privatizimit. Por privatizimi i saj ka qenë ndër më skandalozët, duke u shitur për 10 milionë dollarë tek një bankë e panjohur turke, Kent Banka, e cila falimentoi plot një vit pasi kishte blerë BKT-në. Ndoshta disi më i suksesshëm ka qënë privatizimi i Bankës së Kursimeve, në vlerën e 110 milionë dollarëve, por po të kemi parasysh madhësinë dhe shtrirjen e saj në të gjithë Shqipërinë, mund të themi se edhe ky ishte një privatizim për “pesë lekë”. Viti 2000, mund të konsiderohet si viti “më i mbarë” i privatizimit të disa ish-ndërmarrjeve shtetërore nga qeveritë majtiste. Me sa duket, i gjithë ky sforcim u bë për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, në kuadrin e deficitit të madh buxhetor që ishte mbartur nga një vit në tjetrin. Deri në prag të këtyre zgjedhjeve u privatizua AMC, Fabrika e Qumështit “Ajka”, fabrikat e çimentos në Elbasan e Fushë-Krujë, Fabrika e Birrës “Tirana”, etj. Sidoqoftë, për të gjithë periudhën e qeverisjes majtiste nga ’97-’05, nga procesi i privatizimit të ish-bankave shtetërore, kompanisë së vetme të telefonisë celulare dhe disa ndërmarrjeve të tjera të rëndësishme nuk u siguruan më shumë se 250 milionë dollarë ose afro 200 milionë euro. Sidoqoftë kjo shumë nuk ishte asnjë lek më shumë sesa portofoli i kredive të pambledhura të ish-bankave shtetërore në Agjencinë e Trajtimit të Kredive. Duke patur parasysh këtë fakt treguesi i efektivitetit të privatizimeve majtiste rezulton “zero me xhufkë”, pasi  kjo shumë parash përveç firove provigjionuese që pason nga njeri vit në tjetrin, do vite të rikuperohet, ndërkohë që deri tani është arkëtuar vetëm 10% e këtij portofoli. Gjithsesi kjo është një temë më vete…
Qeveria “Berisha”, ashtu si çdo aspekt tjetër të jetës ekonomiko-shoqërore i dha rëndësinë që i takonte edhe procesit të privatizimit. Trajtimi siç duhet i këtij procesi në vitet ’92-’96 i kishte kontribuar qartësisht zhvillimit dhe konsolidimit të ekonomisë së tregut në atë periudhë. Kjo ishte një arsye më shumë për mbarëvajtjen e procesit të privatizimit në vitet ’05-’09. Kësisoj, brenda 3-4 vitesh u privatizua Albtelekomi, ARMO, OSSH, INSIG, të gjitha aksionet shtetërore tek ndërmarrjet private, etj. Vlera totale e këtyre privatizimeve shkon në rreth 500 milionë euro ose 2,5 herë më shumë se sa e gjithë vlera  e privatizimeve majtiste. Në qoftë se bëjmë një rendiment të përafërt vjetor të privatizimeve në vitet e qeverisë “Berisha”, për ta krahasuar atë me atë të periudhës tetëvjeçare të qeverisjeve majtiste rezulton se ai është 5 herë më i lartë në vitet e mazhorancës së djathtë. Konkretisht, nëse në vitet ’97-’05, nga privatizimet u siguruan rreth 25 milionë euro mesatarisht për çdo vit, në vitet ’05-09, u siguruan mbi 125 milionë euro në vit. Por një ndryshim tjetër i dukshëm apo më mirë të themi një avantazh i padiskutueshëm, është edhe fakti që privatizmet e qeverisë “Berisha” janë bërë tek investitorë potencialë, ndryshe nga privatizimet e qeverive majtiste që u përkasin disa blerësve anonim në tregun ndërkombëtar. Siç e përmendëm pak më lartë, përjashtim bënë këtu vetëm privatizimi i ish Bankës së Kursimeve tek Raiffeisen Bank, ndërsa të gjithë privatizimet e tjera rezultojnë tek blerës tepër të zakonshëm. Fakti që privatizmet e pas ’96-ës u konsideruan si privatizme strategjike, përveç natyrës dhe rëndësisë së ndërmarrjeve tona shtetrore, ky përcaktim mban parasysh edhe një status të tillë për blerësit. Mjafton të kujtojmë se pjesa më e madhe e privatizimeve të kryera në vitet e fundit kur në pushtet erdhi Partia Demokratike u përkasin kompanive më të njohura amerikane, si në energjitikë, tregun e sigurimeve, etj. Dhe aleat e treg më strategjik se SHBA për Shqipërinë nuk ka. Qeveria “Berisha” rezultoi e suksesshme në procesin e privatizimit edhe për faktin se ajo e shkëputi këtë proces nga ndikimi negativ i korrupsionit, duke ndërmarrë reformat të rëndësishme për çburokratizimin dhe transparencën e plotë të një praktike të tillë. Ndërsa po të kemi parasysh se ato lekë që të majtët siguruan nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore për 8 vjet rresht i lanë në formën e kredive të pambledhura, anembanë Shqipërisë, krahasimi është si dita me natën.
Ky ndryshim i madh në rezultatet midis qeverive majtiste dhe qeverisë “Berisha”, në procesin e privatizimit, buron para së gjithash nga filozofitë e ndryshme që përfaqësojnë këto dy forca politike në pushtet.
Natyrisht, për të kuptuar konkretisht këtë ndryshim duhet ditur paraprakisht se, ç’përfaqëson privatzimi si proces? Sipas teorive të ndryshme ekonomike, në kuptimin e ngushtë të fjalës, privatizimi përkufizohet si një transferim ligjor i të drejtave pronësore nga agjentët shtetror tek ata privat. Ndërsa në një kuptim më të gjerë përfshin të gjithë masat që kontribuojnë në deshtetëzimin e aktivitetit ekonomik. Nga ana tjetër, një proces privatizimi realizon disa qëllime, duke filluar me atë politik e duke përfunduar me rritjen e efektivitetit. Në aspektin politik, privatizimi synon shpronësimin e shtetit dhe krijimin e një klase të re kapitalistësh e sipërmarrësish. Nga pikëpamja e pasurisë, privatizimi synon rikthimin e pronës tek ai grup njerëzish, të cilët u shpronësuan gjatë procesit të shtetëzimit ose dhënien prioritet të punojësve të njësive shterore apo thjesht shpërndarje ne pasurisë midis shtetasve. Ka dhe mjaft qëllime të tjera që lidhen me rritjen e efektivitetit ekonomik, përdoriminj si instrument stabilizimi e kështu me radhë. Trashgimia politike nuk i lejonte qeveritë majtiste të kishin një këndvështrim të tillë progresiv për procesin e privatizimit.
Dhe kjo ishte mëse e natyrshme. Rikthimi i tyre në pushtet ishte i parakohshëm, pasi ishte e pamjaftueshme koha e demokratizimit të tyre politik. Qeverisja e tyre dështoi, veç të tjerash, edhe për shkak të kësaj trashgimie të zezë, të cilët e reflektuan hapur në ngjarjet e ’97-ës dhe manipulimin sistematik të zgjedhjeve në vitet ’97-’05. Edhe një mandat tjetër në opozitë është mëse i nevojshëm për ta, që të përvetësojnë disa nga rregullat e përgjithëshme demokratike të qeverisjes. Ata nuk duan ta pohojnë, por këto 4 vite kanë përfituar shumë nga praktika qeverisëse e demokratëve, të cilët kanë dëshmuar me fakte se janë shumë herë më rezultativ, më të përgjegjshëm për interesin e përgjithshëm dhe më luajalë se ata. Në konkluzione të tilla mund të arrish vetëm duke bërë ballafaqime shifrash e rezultatesh, e jo duke thurur përalla demoagogjike apo shpifje monstruoze nëpër media. “Faktet janë kokëfortë”, ka thënë një ndër klasikët e m-l, dhe majtistët duhet ta kenë më të qartë se kushdo tjetër një gjë të tillë. Dhe “më kokëfortë” se kudo janë këto tregues në procesin e privatizimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›