E Diel, 1 Nëntor 2026

Prizreni nis festën e Dokufest, mes të ftuarve dhe Jahjaga

PRISHTINË-Dokufest u hap mbrëmë në Prizren, me ceremoninë solemne, duke e rikthyer qytetin më të madh jugor të Kosovës në kryeqytet filmi me edicionin e 12-të festivalit ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe të shkurtër, që është edhe një festë tashmë tradicionale.

Numër rekord - mëse dyqind e pesëdhjetë filma nga mbarë bota, prej tyre 24 shqip, do të shfaqen në ekranin e madh në tetë vende - kinema, gjatë nëntë ditëve, prej 17 deri në 25 gusht.

Në ceremoninë e hapjes zyrtare të festivalit mori pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

"Është një kënaqësi e veçantë që të jemi këtu në qytetin e bukur të Prizrenit, në një ngjarje të veçantë siç është 'Dokufest', që mbledh një numër shumë të madh të artdashësve, njerëz të fushës së artit dhe të kulturës nga shumë vende të botës dhe që vendos jo vetëm Prizrenin, por edhe Kosovën rreth qendrave të tjera të artit dhe të kulturës", deklaroi ajo.

Sipas organizatorëve të Dokufest 2013, akredidimet për të marrë pjesë në këtë festival i kanë bërë rreth 230 filmbërës, regjisorë, gazetarë dhe të interesuar të tjerë. Mbi 200 është edhe numri i vullnetarëve e të tjerëve që përkujdesen për mbarëvajtjen e festivalit.

Në faqen zyrtare të festivalit theksohet se si në vitet e kaluara, në 12 gusht, Dokufest solli atmosferën e Prizrenit në kryeqytetin e Shqipërisë. Një delegacion nga festivali mbajti një konferencë për media në ambientet e Akademisë së Filmit dhe Multimedia-s Marubi, me ç'rast drejtori artistik Veton Nurkollari dhe zëdhënësja e Dokufest, Nita Deda, informuan mediet shqiptare se çka do të ofrojë festivali sivjet. 

Në Tiranë, në mbrëmje, në oborrin e Akademisë Marubi u shfaqën gjashtë filma nga programi i sivjetëm, në praninë e një audience të plotë. 

Dokufest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik kosovar të Prizrenit në një kryeqytet botëror të kulturës çdo verë.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›