E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prizreni, pashallëk i Ramadanit

Lidhja Demokratike e Kosovës në një komunikatë për shtyp të lëshuar të mërkurën, ka adresuar një seri kritikash dhe akuzash për kryetarin aktual të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja.

“Mos respektimi i fundit i ligjit që e obligon që t’i dorëzojë Kuvendit Komunal një raport përfundimtar përmbledhës buxhetor jo më vonë se me datën 30 mars të këtij viti, është dëshmia se Ramadan Mujën asnjë matematikë më nuk e nxjerr nga balta e keqpërdorimeve, keq menaxhimit dhe korrupsionit”, thuhet në këtë komunikatë të LDK-së.

Sipas tyre, keqpërdorimi skandaloz i radhës i Kabinetit Muja është tenderi për fazën përfundimtare të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur.

“Keqpërdorimet e Mujës hetohen pas ankesave dhe ky tender anulohet, por Muja dhe Kompanitë e favorizuara nga Muja, duke qenë mbi ligjin në Kosovë, kanë vazhduar punimet në shtëpinë e Kulturës në fshatin Zhur, edhe përkundër anulimit të tenderit. E ftojmë prokurorinë që ta hetoj edhe këtë rast në vijimësinë e hetimeve që po i bënë kundër Mujës, për keqpërdorimet”.

LDK vlerëson se Ramadan Muja, nuk është vetëm në shënjestër të prokurorisë, e cila po e heton për shumë raste të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

“Keqpërdorimit e tij përditë e me shumë po dalin në sipërfaqe dhe ato po i publikojnë bizneset, shoqëria civile dhe vetë qytetarët. Historiani Ramadan Muja, do të jetë pjesa me e errët e demokracisë në qytetin e lashtë të Prizrenit. Ai është kryetari më i korruptuar në Republikën e Kosovës dhe një ditë do të përfundoj si personazhi më negativ i historisë më të re në udhëheqjen e qytetit të Prizrenit”, thuhet në fund të komunikatës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›