KFOR-i dhe EULEX-i nuk po i kryejnë “detyrat”

Për ndonjë veprim të ardhshëm në këtë pjesë, Kuçi ka thënë se ai do të jetë në koordinim me KFOR-in, EULEX-in dhe Policinë e Kosovës.
Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në një konferencë për media, ka thënë se institucionet e vendit kanë qenë njoftuar me këtë vizitë, por, sipas tij, KFOR-it dhe EULEX-i nuk e kanë kryer punën për të parandaluar vizitën.
“Është e vërtet, kemi pas një informatë të tillë dhe ne kemi pas një reagim në KFOR dhe EULEX që duhet të ndalohet hyrja e tij dhe kemi kërkuar që të parandalohen dhe ndalohen veprimet e tilla. KFOR-i dhe EULEX-i nuk e ka kryer punën e vet”, ka thënë Kuçi.
Sipas tij, KFOR-i dhe EULEX-i e kanë vlerësuar këtë vizitë si diçka që nuk e ka karakterin ndërshtetëror. Por, Kuçi ka thënë se në cilindo rast, hyrje-dalja në Kosovë është e rregulluar shumë mirë dhe ajo është kompetencë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Për kritikat më të mëdha ndaj KFOR-it, zëvendëskryeministri ka thënë se ato nuk janë kritika, por KFOR-it dhe EULEX-i duhet t’i kryejnë disa punë në veri.
“Nuk e kemi logjikën me kritikuar, por e kemi logjikën me aktivizuar më shumë. Janë disa punë që KFOR-i dhe EULEX-i të kryejnë në pjesën e veriut, ata i kanë kapacitetet vepruese, e kanë fuqinë dhe ata e kanë edhe mandatin”, ka deklaruar ai.
“Ne veprojmë në koordinim dhe besoj çelësi i suksesit është KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës. Çdo veprim tjetër nuk garanton sukses të plotë. Ne kemi pasur edhe javën e kaluar. Ju kam thënë që do të ftojmë komandantin e KFOR-it dhe e kemi ftuar”, ka thënë Kuçi.
Ndërkaq për pretendimin e Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve, ai ka thënë se ato nuk do të kenë asnjë efekt politik e juridik dhe se janë ilegale./kosovapress/