Dita e Bajramit, festë për foshnjën e braktisur
VLORË- Duhet të mbërrinte dita e Bajramit që Teuta të mund të zhvendosej në Shtëpinë e Fëmijës. Thirrja për më tepër dashuri, respekt, mëshirë për jetën, duket se kanë ndikuar në përshpejtimin e praktikave dhe në gjetjen e një vendi të përshtatshëm edhe për foshnjën që prej shtatë muajsh qëndronte në maternitetin e Vlorës, e braktisur nga prindërit dhe nën përkujdesjen e mjekëve.
Shtëpia e Fëmijës
Drejtoresha që mirëpret të ardhurit në Shtëpinë e Fëmijës, Olta Ganaj, u shpreh se “sot (dje), në festën e Bajramit, Teuta është mysafirja e re e kësaj shtëpie”. Ajo thotë se procedurat për marrjen e foshnjës në “shtëpi” nuk kanë qenë aspak të lehta nisur nga fakti që babai nuk ka pranuar t’i njohë atësinë pas lindjes.
Historia
U pagëzua me emrin Teuta, si një nga mbretëreshat më të njohura të Ilirisë, për forcën dhe vendosmërinë e saj, ndoshta duke shpresuar se edhe ajo do të bëhej e tillë, pasi një jetë e vështirë e pret. Vajza 7-muajshe, e cila që në momentin që është lindur nuk e ka ndier ngrohtësinë e prindërve, i hapi sytë për herë të parë më 12 shkurt. E ndryshe nga historitë që jemi mësuar të dëgjojmë, Teutës i njihen të dy prindërit. Nëna, që thuhet se vuan nga disa probleme mendore, nuk pranon ta marrë në shtëpi, pas kundërshtimeve të të shoqit, ndërsa babai nuk pranoi t’i njihte atësinë, duke u shprehur se fëmija nuk ishte i veti.
Ky pretendim bëri edhe që procedurat për zhvendosjen e Teutës nga materniteti për në Shtëpinë e Fëmijës të zvarriteshin për një kohë të gjatë, edhe pse institucioni në të cilin ajo qëndroi deri dje nuk ka për detyrë të mbajë fëmijë, por vetëm të presë lindjen e tyre.
Jeta në maternitet
Për vajzën 7-muajshe jetesa në ambientet e maternitetit nuk ishte aspak e lehtë. Një fakt të tillë e bën të ditur edhe shefi i repartit të maternitetit të Vlorës, Remzi Haxhiu, i cili pohon se Teuta ishte një rast i veçantë për ta. Vështirësitë për mbajtjen e saj ishin të shumta edhe për faktin se nuk ekzistojnë kushtet e nevojshme për foshnjat e asaj moshe në maternitet dhe më kryesorja, këto foshnja nuk ka kush t’i ushqejë.
Precedenti
Para Teutës, një tjetër fëmijë ndenji shumë gjatë në pediatrinë e Vlorës, duke u strehuar atje. Ardian Kapaj, i cili sot është tre vjeç, dhe, edhe ai ndodhet në Shtëpinë e Fëmijës, qëndroi në repartin e pediatrisë për një vit e gjysmë duke marrë edhe emrin “I izoluari i pediatrisë”.
--------------------------------------------------------------Qindra besimtarë kanë mbushur sheshin kryesor të Tiranës, përpara xhamisë kryesore të kryeqytetit
Tiranë, myslimanët mbyllin muajin e sakrificës
TIRANË- Me qindra besimtarë myslimanë, festuan ditën e djeshme Fitër Bajramin, kalimin e Ramazanit muajit të sakrificës, pendesës dhe agjërimit në festën që zoti përgatit për njerëzit që iu përkushtuan me plot devotshmëri duke u privuar nga shumë kënaqësi që të fal jeta. Që herët në mëngjes xhamitë në kryeqytet u mbushën me besimtarë, të cilët dëgjuan lutjet dhe falën mëkatet. “Fitër Bajrami është Dita e gëzimit, festa e sakrificës që vjen pas Ramazanit. Sakrifica që kanë bërë për Zotin besimtarët gjatë muajit të Ramazanit vjen e shpërblehet më një festë madhështore që është dita më e gëzueshme në islam. Pas safrificës njeriu e meriton të gëzojë pasi dhe për këtë do të ketë shumë shpërblime nga zoti i gjithësisë”,- u shpreh para besimtarëve, kreu u xhamisë së Tabakëve, Elvis Naçi, në faljen e mbajtur për këtë rast. “Bajrami ka vlerë të jashtëzakonshme. Kur njerëzit falen në këtë ditë, engjëjt nëpërmjet zotit lajmërojnë faljen e mëkateve që ata kanë bërë. Falja dhe adhurimi ndaj zotit, si edhe sakrifica është ajo që dëshmon fenë dhe dashurinë e njeriut për Zotin”. Pas faljes së mëngjesit, gëzimi është shpërndarë në ambiente familjare, ku njerëzit kanë uruar njëri-tjetrin si edhe kanë bërë vizita te të afërmit. Sipas fesë islame, në këtë ditë njerëzit duhet të hanë diçka pasi kjo festë është në gëzim që tregon se muaji i Ramazanit përfundoi. Në këtë festë besimtari duhet të gëzojë dhe të vishet me rrobat më të bukura pasi është dita e festës së madhe. Po kështu duhet të jepet ndihmë për të varfrit në drekën e Fitër Bajramit. Në këtë ditë besimtarët duhet të gëzojnë dhe të vizitojnë besimtarët e tjerë pasi është dita në të cilën ai gëzim aq i madh duhet t’u transmetohet edhe të tjerëve. --------------------------------------------------------------------Pas faljes, të burgosurit morën pjesë në një koktej të organizuar për ta nga imami i xhamisë së burgut
Peqin, 200 të burgosur falin Bajramin nën survejim
PEQIN- Rreth 200 të burgosur falën Fiter Bajramin në brendësi të Burgut të Peqinit nën udhëheqjen e imamit Behaudin Gashi. Mësohet se pjesa më e madhe e atyre që falën Bajramin e respektuan agjërimin gjatë gjithë muajit të Ramazanit. Drejtoria e Burgut në Peqin u koordinua me të burgosurit që vendosën gjatë këtij muaji për orarin e ushqimit, por edhe për telefonatat që bënë me familjarët e tyre, si dhe takimet të cilat kanë zgjatur më shumë se koha e lejuar. Po kështu nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve janë sjellë ushqime dhe pije joalkoolike. Dreka e Bajramit ishte speciale dhe të gjithë të burgosurit konsumuan ushqimin e përgatitur veçanërisht për këtë ditë të shënuar të besimit mysliman. Pasi zbatuan ritet e faljes së madhe, të burgosurit morën pjesë në një koktej të organizuar për ta nga imami i xhamisë së burgut. Shumë prej të burgosurve thanë se nëpërmjet besimit kanë gjetur qetësinë. Sipas tyre, burgu i ka bërë që të kthehen tek besimi islam duke zbatuar rregullat e tij, sidomos gjatë muajit të Ramazanit, kur edhe hapen portat e xhenetit (parajsës) dhe njerëzit janë më pranë Zotit. Burgu i Peqinit, i ndërtuar vetëm pak vite më parë, ka në brendësi dy objekte kulti: xhaminë dhe kishën. Numri më i madh i të burgosurve është myslimanë, por faljen e Bajramit e kanë bërë vetëm 200 nga 800 të burgosurit që ka ky burg.
Ndër emrat VIP të këtij burgu që agjëruan dhe morën pjesë në falje ishin: Taulant Balliu, Dritan Kateshi, por edhe të tjerë të dënuar si kapobanda të vitit 1997.
---------------------------------------------------Shkodër, komuniteti mysliman ka pohuar se pronat e tyre në disa pika të qytetit po tjetërsohen
Myslimanët i kërkojnë Topallit pronat
SHKODËR- Ditë Bajrami, por pronat janë një çështje që nuk harrohen as në atë moment. Kthimi i pronave të komuniteteve fetare, përpara se ato të tjetërsohen e të ndërtohet mbi to ishte kërkesa që iu bë dje nga drejtuesit e komunitetit mysliman të Shkodrës kryetares së parlamentit.
Në pritjen e organizuar në myftininë e Shkodrës me rastin e festës së Fitër Bajramit ishte e pranishme dhe kryetarja Jozefina Topalli, e cila shoqërohej nga deputetë të tjerë të Shkodrës dhe nga drejtuesit vendorë. Pas urimeve dhe përshëndetjeve me rastin e kësaj feste, myftiu i Shkodrës, Ndriçim Sulejmani, i kërkoi kryetares së parlamentit që të ushtronte ndikimin e saj në përshpejtimin e procesit të kthimit të pronave komuniteteve fetare. “Po shohim se prona të komunitetit mysliman në disa pika të qytetit po tjetërsohen dhe po ndërtohet në to”,- tha myftiu i Shkodrës ndërsa kërkoi që kthimi ligjor i tyre të bëhet sa më shpejt, ndërsa prej saj ka marrë reagimin për të qenë më të duruar. “A shtrohet hekurudha në kënetë?” ishte përgjigjja e kryeparlamentares. “Ne na është dashur të thajmë kënetën dhe më pas të shtrojmë shinat”. Ajo vazhdoi se deri më tani qeveria demokratike ka ndeshur shumë probleme, për zgjidhjen e të cilave duhej dhe kuadri ligjor përkatës, i cili mungonte dhe se deri më tani kishin bërë shumë punë dhe shumë reforma. “Kthimi i pronës tek pronari është plotësisht i drejtë dhe qeveria do të bëjë maksimumin që ky proces të përfundojë sa më shpejt dhe që prona t’u kthehet të gjithëve, edhe komuniteteve fetare,” përfundoi Topalli. --------------------------------------------Fier, një ditë nën urdhrat e Zotit
FIER- Xhamia ishte dje vendi më i populluar, më i gjallë dhe i zhurmshëm i qytetit të Fierit. Që në orët e para të mëngjesit, besimtarë të shumtë jo vetëm nga qyteti i Fierit, por edhe nga rrethinat e tij, mësynë për t’u falur në “Shtëpinë e Zotit” pas plotësimit të detyrimit të agjërimit 30-ditor (muajit të Ramazanit). Në orën 07:00 myftiu i xhamisë drejtoi ceremoninë e faljes së Fiter-Bajramit. Rreth orës 10:00 myftinia organizoi pritje dhe shtroi një koktej në nder të festës shpirtërore. Në pritjen e organizuar morën pjesë drejtuesit më të lartë të pushtetit vendor dhe lokal, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, si dhe drejtuesit e forcave më të mëdha politike. Pas përshëndetjes së myftiut Karafil Mane për rëndësinë e kësaj dite të madhe për besimtarët myslimanë, përshëndetën edhe personazhet politike të qytetit si dhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare. Besimtarët bujtën në shtëpinë e Zotit me një shpirt dhe trup të pastruar, pasi plotësuan detyrimin e tyre. Për 30 ditë ata patën detyrimin të agjëronin, të dhuronin ndihma për të varfrit dhe jetimët, t’i largoheshin smirës, grindjes, mërisë dhe mëkateve, duke i bërë një “pastrim” shpirtit të tyre. Vëmendja e të gjithë besimtarëve gjatë gjithë këtyre ditëve duhet të drejtohet ndaj krijuesit. Njerëzit duhet çlirohen nga deliri i madhështisë duke u konsideruar të barabartë mes tyre. Zemra dhe shpirti i tyre nëpërmjet sakrificës, faljes, humanizmit, të adhuruarit ndaj Zotit duhet kurohet nga pesha e mëkateve. Myftiu Mane, duke folur për festën e Bajramit, tha: “Është një festë që lartëson shpirtin e besimtarëve. Ata kaluan provën e vështirë të sakrificës, provë që i afron besimtarët më pranë krijuesit, i bën ata më të lartësuar shpirtërisht”. -------------------------------------------------Besimtarët falen në pallatin e sportit
ELBASAN- Rreth dy mijë besimtarë i janë bashkuar faljes së mëngjesit dje në ditën e Fiter Bajramit. Elbasani ka shfrytëzuar sërish Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” për faljen. Falja e drejtua nga myftiu i Elbasanit, Agim Duka. Në këtë ditë të shënuar për besimin mysliman, pas një muaji agjërimi dhe sakrifice, mesazhe ishin për paqe dhe mirësi. Pas faljes së mëngjesit, besimtarët u shpërndanë në familjet e tyre ku është konsumuar vakti i bollshëm pas një muaji privim nga ushqimi, por edhe kënaqësi të tjera trupore. Më pas, komuniteti mysliman zhvilloi edhe një pritje për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal në Elbasan.