Braçe: Nuk do t’i njohim zgjedhjet pa numëruar çdo votë
Partia Socialiste nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve në rast se nuk zbardhet vota e hedhur në qarqet Berat, Tiranë dhe Shkodër. PS jep alarmin për shkeljet e rënda që shumica në KQZ po i bën Kodit Zgjedhor. Deputeti Erion Braçe deklaroi se me rrëzimin e kërkesës së dy anëtarëve për rinumërimin votash, kërkesë që ligjërohet nga vetë Kodi Zgjedhor, maxhoranca politike në KQZ shfuqizoi garantimin e votës së lirë në Shqipëri. Braçe bëri të ditur se PS ka gati padinë penale për kreun e KQZ-së, Arben Ristani dhe anëtarët e tjerë të Komisionit që shkelin ligjin për numërimin e votave. “Për ne vota është e shenjtë, transparenca është e drejtë kushtetuese. Përfundimisht duam të themi se nuk njohim zgjedhjet pa u bërë transparenca e çdo vote në Berat, Tiranë dhe në Shkodër” theksoi Braçe. Partia Socialiste përsërit edhe njëherë se marrja e mandatit të nëntë në Fier është tregues i qartë i mungesës së mandateve të Kryeministrit Berisha, për të qeverisur Shqipërinë. Socialistët shigjetojnë Kryeministrin si shkaktarin e shkatërrimit të procesit zgjedhor. “Ne e kemi fituar kauzën, i kemi treguar Shqipërisë e monitoruesve se Berisha na vodhi për disa ditë mandatin e Fierit dhe po bën të njëjtën gjë me Beratin. Vetëm një mandat i vjedhur shkatërron legjitimitetin e zgjedhjeve”, deklaroi Braçe.