Problemet në QN. Islami-Berishës: Mos blloko numërimin
TIRANË- Pas raportimit të problemeve në disa qendra numërimi votash, ku debatet mes komisionerëve, ose largimi i tyre, kanë shkaktuar ndërprerje të procesit Partia Socialiste i drejton thirrje kreut të qeverisë të mos bllokojë numërimin.
Deklarata është bërë nga Kastriot Islami, i cili nga selia e PS-së i ka kërkuar edhe ndërkombëtarëve të jenë të vëmendshëm gjatë numërimit.
"I bëj thirrje Sali Berishës të mos bllokojë procesin e numërimit në Elbasan, Fier e Tiranë ku vendoset rezultati përfundimtar e që flet në favorin tonë. Paralajmërojmë se nëse kjo situatë abuzimesh e kombinuar me bllokim të qëllimshëm të procesit në zonat ku fitorja jonë thellohet, ne do të ngarkojmë me përgjegjësi Berishën për prishje të procesit zgjedhor"- tha Islami. Ai shtoi se PS-ja i është drejtuar ndërkombëtarëve për të ndjekur devijimin e qëllimshëm të procesit, jo vetëm në zonat e sipërpërmendura, por edhe në Shkodër ku po shfaqen parregullsi shqetësuese.
Islami ka sqaruar gjithashtu se të dhënat që dalin nga projekti Eca- Kriik, janë paraprake, aq më tepër që në gjithë vendin dhe në zona të veçanta ku rezultati luhet në terren shumë të kufizuar kanë mbetur edhe më shumë se 25% e votave pa numëruar.
Rama: PD, plan për bllokimin e zgjedhjeve
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar në mbrëmje nga selia rozë se po bëhet presion mbi anëtarët e grupeve të numërimit të votave.
"Nuk ka asnjë sens që të ketë personazhe gjithfarësh që futen në Qendrat e Numërimit e të bëjnë presion, të pengojnë procesin e numërimit në mënyrë të dëshpëruar, ashtu si është dëshpërimi i atyre që nxisin këto lëvizje"- tha Rama, duke shtuar se ka plane për bllokimin e zgjedhjeve dhe për nxjerrjen e kutive të pavlefshme.
Ai ka deklaruar se PS-ja është e informuar për vënien në lëvizje të një plani për bllokime të QN, kutive, për zgjedhje të pavlefshme. "Kjo sepse procesi i numërimit po hyn në fazën kur rezultatet do të fillojnë të kthjellohen, pas një faze të parë kur ashtu si ndodhi edhe në vitin 2005 kur u orkestrua një proces numërimi duke kapur kutitë me rezultate me të favorshme për ata që e bënë këtë gjë"- tha ai. Rama ka kujtuar se po cenohet avantazhi i PS në Elbasan, Tiranë, Gjirokastër apo edhe në pika të tjera
Sipas Ramës, PS ka të dhëna operative që grumbullohen menjëherë, por pavarësisht kësaj ata presin me qetësi rezultatin. Ndërkohë që sipas tij, tani është momenti për të gritur zërin që kjo natë të mos sjellë anomali dhe të mos përshkallëzohen veprime që u vunë re qysh pasdite. "I kam kërkuar drejtorit të policisë së shtetit impenjimin maksimal. Nuk kam asnjë vërejtje, as për të e as për forcat e policisë, por është për të ardhur keq që në episode të caktuara vihet re bashkëpunim i heshtur i policëve të rendit që gjenden në presionin e njerëzve të veshur me pushtet"- tha ai, duke shtuar se ka persona që abuzojnë me detyrën shtetërore për të udhëhequr akte që bien ndesh në mënyrën më eksplicite me standardet e një procesi zgjedhor dhe përbëjnë një agresion të patolerueshëm dhe tërësisht të dënueshëm mbi anëtarët e komisioneve.
Duke kujtuar raportin e ndërkombëtarëve, Rama ka deklaruar se këto nuk janë zgjedhje për BE, por tani sipas tij, është mirë të bëhet e mundur që të jenë zgjedhje për një Shqipëri që kërkon të hedhë një hap tjetër dhe mbi të gjitha të jenë zgjedhje që vendimi i popullit të lexohet me respekt të plotë dhe jo me interferenca personale të Ministrisë së Brendshme.