Reagon PD-ja: Nuk po bllokojmë procesin
TIRANË- Partia Demokratike hedh poshtë ankesat e socialistëve për bllokimin e procesit të numërimit në disa QN nga komisionerët demokratë.
"Ka pasur një moment pushimi nga ana e disa komisionerëve dhe procesi ka filluar tani. Nga selia e PS-së, do ju lutesha të mos krijojnë furtunë të kotë. Ne e kemi theksuar se të gjitha problematikat në QV-të dhe KZAZ-të duhet të zgjidhen duke njoftuar KQZ-në", tha Majlinda Bregu.
Përkundër deklaratës së socialistëve, ajo ka thënë se janë pikërisht komisionerët e tyre që po pengojnë numërimin. Ajo ka thënë se PD është e vendosur të ndihmojë si parti kryesore që ky proces të mbyllet i saktë, brenda standardeve dhe duke mos krijuar konflikte.
Bregu u shpreh e bindur në fitoren e PD-së në rang kombëtar, por shtoi se për këtë do të presin vendimin zyrtar të KQZ-së.