E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, 300 dëshmitarë në gjyq

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Përgjithshme kërkon një numër të madh dëshmitarësh, të cilët pritet të paraqiten në Gjykatën e Lartë në procesin penal kundër 28 personave të pandehur për tragjedinë e Gërdecit. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të akuzës, sipas të cilave, 300 dëshmitarë do të kërkohet të paraqiten në gjykatë gjatë zhvillimit të procesit për dosjen “Gërdeci”. Lista me emrat e tyre mësohet se është dorëzuar në gjykatë pak ditë më parë, më 13 mars 2009, kur Prokuroria e Përgjithshme depozitoi për gjykim fashikullin me provat e mbledhura kundër të akuzuarve për tragjedinë e ndodhur më 15 mars 2008 në Gërdec. Sipas burimeve nga Gjykata e Lartë, mësohet se në listën e personave që janë kërkuar për t’u marrë në pyetje gjatë gjykimit, janë edhe dy ministra të Qeverisë. Lista e dëshmitarëve vijon më pas me punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, ushtarakë të Shtabit të Përgjithshëm, vartës të së pandehurve, si dhe me banorë të zonës së Gërdecit, persona të plagosur dhe punonjës të fabrikës së demontimit që i shpëtuan ngjarjes tragjike. Dy ministrat që pritet të dëshmojnë në gjykatë, mësohet se do të thirren në cilësinë e dëshmitarëve. I pari sipas akuzës, mund të argumentojë para gjykatës se projekt-VKM-ja e hartuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe e dërguar në qeveri për miratim në shkurt 2007 për çmontimin e predhave, ka qenë e paligjshme. Ndërsa ministri i dytë, mësohet se është konsideruar dëshmitar në lidhje me disa të dhëna që përmbajnë dokumentet e këmbyera mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë hartimit të urdhrave dhe vendimeve të kësaj të fundit për aktivitetin e demontimit në Gërdec.
MEICO trafik armësh me Iranin
Në Gjykatën e Lartë pritet të fillojë procesi gjyqësor për dosjen e ngjarjes së rëndë në Gërdec, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ka mbajtur në hetim pesë procedime penale të tjera. Njëra prej këtyre procedimeve mësohet se ka për objekt trafikimin e mundshëm të armëve nga ndërmarrja shtetërore MEICO, ish-drejtori i të cilës ndodhet i arrestuar me akuzën e vrasjes për shpërthimin e Gërdecit. Një nga episodet që po heton Prokuroria në linjën e trafikut të armëve, mësohet se është rasti i predhave të mortajave të prodhimit malazez. Një sasi prej 1 mijë të tilla u sekuestruan vitin që shkoi rreth një muaj pas ngjarjes së Gërdecit, në një depo sekrete të ndërmarrjes MEICO në Memaj, zonë mes Kavajës dhe Durrësit. Dyshohet se predhat e prodhimit malazez, për arsye objektive janë futur në Shqipëri dhe janë depozituar në magazinën e ndërmarrjes MEICO në Memaj derisa është përgatitur nisja e tyre nga Rinasi. Municione të tilla, sipas të dhënave të hetimit mësohet se janë nisur nga zona ushtarake e Rinasit mëngjesin e 6 marsit 2006. Një sasi prej rreth 10 mijë predhash është nisur atë ditë në drejtim të Iranit atë ditë, ndërsa ka dyshime se veprime të tilla janë kryer nga ndërmarrja MEICO edhe më parë duke furnizuar me municione republikën islamike të vendosur nën embargon e OKB-së. Sipas hetimeve, avioni që merrte municionet e shitura nga MEICO me destinacion Iranin ka qenë një mjet i markës IL 76/HN 76007.

Kallëzimi i Mediut, Ina Rama në Bukuresht

TIRANE – Një ditë pasi kallëzimi i ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu ndaj kryeprokurores Ina Rama është bërë publik, prokurorja e Përgjithshme ka udhëtuar në drejtim të Bukureshtit ku po merr pjesë në Samitin e 3-të Botëror të Prokurorëve të Prokurorëve të Përgjithshëm. “Takimi zhvillohet nga data 23-26 mars 2009. Tema qendrore e samitit është “Prokurori i Përgjithshëm – Shtylla e Sistemit Bashkëkohor të Drejtësisë Penale, si dhe Pavarësia e Prokurorisë”, thanë burimet zyrtare të akuzës qendrore. Sipas tyre, kryeprokurorja Ina Rama shoqërohet nga një grup prokurorësh të Prokurorisë së Përgjithshme në Samitin e III-të Botëror, i cili zhvillohet në Bukuresht të Rumanisë. “Në këtë Samit marrin pjesë Prokurorë të Përgjithshëm të më shumë se 100 vendeve të ndryshme të botës, po ashtu pjesëmarrës në Samit janë edhe Prokurorë të lartë. Konferenca do të mbulojë aspekte të ndryshme që lidhen me bashkëpunimin ndërkombëtar për arritjen e standardeve të përbashkëta në fushën e të drejtës penale”, thanë më tej burimet zyrtare. Sipas tyre, tema të veçanta të prekura në këtë takim janë rritja e pavarësisë së gjyqësorit dhe rritja e  besimit të publikut në organin e drejtësisë. Lidhur me kallëzimin e bërë nga Mediu në adresë të kryeprokurores Ina Rama, në Prokurorinë e Tiranës, organi i akuzës nuk preferoi të bënte asnjë koment qoftë edhe nëse padia është marrë apo jo në dorëzim.                                         t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›