E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet në procesin letërnjoftimeve, "dështon" aplikimi i prefektes së Korçës

Prefektja Elfrida Zefi akuzon bashkinë për "vjedhje" interneti  
Interneti bllokon aplikimin për kartën e identitetit prefekten e Korçës, Elfrida Zefi. I është dashur të qëndrojë në pritje si shumë qytetarë të tjerë, teksa është befasuar nga pritja e qytetarëve të juglindjes për këtë shërbim, që në qytetin e Korçës ka probleme serioze. Gjatë ditës së djeshme, ndonëse një ditë zyrtare pushimi, zyra e aplikimit për kartat e identitetit në Bashkinë e Korçës ka qenë e hapur, ndonëse mungesa e internetit ka bërë që punonjësit aty të qëndronin formalisht ashtu si ka ndodhur rëndom të paktën në katër ditët e fundit. Prefektja Zefi ka vendosur që të aplikojë për kartën me bashkëshortin e saj, ndërsa është përballur me mbylljen e derës së përfaqësuesve të firmës Aleat në këtë qytet, të cilët ashtu si nuk lejojnë kamerat dhe gazetarët, kanë vendosur fillimisht të veprojnë në të njëjtën mënyrë edhe me të emëruarën e qeverisë për juglindjen. Duket se situata është rënduar edhe më tepër kur punonjësit nuk i kanë shërbyer znj.Zefi për ti marrë shenjat e gishtave dhe kryer procedurat e nevojshme, ndonëse ajo ka qenë e pajisur dhe me kuponin pranë filialit të postës shqiptare. Mungesa e internetit, sipas shpjegimeve që i kanë dhënë punonjësit e kompanisë Aleat ka shkaktuar dhe bllokimin e procesit të punës, ndërsa prefektja është kthyer pas, duke mos marrë atë shërbim për të cilin qëndronin në radhë edhe shumë qytetarë të tjerë. Situata që ka përjetuar prefekja, ka qenë e pazakontë për të, pasi një përfaqësueseje të lartë të shtetit nuk i shërbehet në kohë, ndërkohë kur me dhjetëra qytetarë madje dhe emigrantë presin në radhë për të kryer këtë proces, por pa mundur të gjejnë zgjidhje. Në Korçë për më shumë se katër ditë nuk ka funksionuar interneti, çka do të thotë se është ndërprerë aplikimi, megjithëse i ftohti dhe kushtet e vështira  të motit i kanë gjetur qytetarët në radhë. Pas ngjarjes, prefektja ka dalë në një konferencë shtypi duke iu bërë thirrje drejtuesve të komunave dhe bashkive në të gjithë qarkun e Korçës, që të jenë mbështetës të këtij procesi mjaft të rëndësishëm për shqiptarët. Por prefektja e Korçës ka hedhur akuza në adresë të bashkisë së qytetit, duke e bërë atë përgjegjëse për mungesën e internetit. Sipas prefektes, interneti kalon nga zyra e gjendjes civile, në një kohë kur kjo zyrë në bashkinë e Korçës ka pasur internet, fakt që vjen ndryshe në zyrën ku kryhen aplikimet për kartën e identiteti. Ju kërkoj kryetarëve të komunave dhe bashkive të reagojnë për të vënë në funksion zyrat e aplikimit ndaj shtetasve, të cilët ju kanë votuar, për të mos i lënë të presin si në rastin e zyrës së aplikimit në Bashkinë e Korçës me 10 operatorë, ku qëndrojnë katër ditë mbrapa dere në të ftohtë me shpresën se në këtë zyrë ngjitur me atë të Shërbimit të Gjendjes Civile ku interneti funksion normalisht, pengesat teknike dhe kapërcehen, është shprehur prefektja Zefi. Reagimi i prefektes ka qenë për bashkinë e Korçës në një kohë kur kjo bashki ashtu si të gjithë njësitë vendore në vend ndihmojnë procesin, por nuk e drejtojnë atë në pajisjen me karta identiteti për qytetarët e tyre. Në Korçë duhet theksuar se ky proces ka nisur më 15 shkurt, ndërsa nuk është prodhuar ende asnjë kartë identiteti ndonëse ka kaluar më shumë se një muaj.

Last Updated on Monday, 23 March 2009 22:34

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›