E Diel, 1 Nëntor 2026

Problemet në shëndetësi, nga keqmenaxhimi i fondeve

Kërkesat e mjekëve janë të drejta, por mënyra që kanë zgjedhur ata për të plotësuar kërkesat e tyre nuk është e duhur. Dhe jo vetëm kaq, dorëheqja e një ministri nuk është zgjidhja e problemeve në shëndetësi, për sa kohë mjekësia nuk është në vëmendje të politikës. Problemet e mjekësisë do të marrin zgjidhje jo vetëm kur të ketë financim më të mirë, por kur të vendoset në zbatim vetërregullimi dhe vetadministrimi i spitaleve, njësoj siç ndodh me ndërmarrjet.

Në një intervistë për gazetën "Shqip", Dine Abazi, presidenti i Urdhrit të Mjekëve, tregon problemet që ka sot shëndetësia, pikat kyçe që do të sillnin përmirësim të gjendjes dhe në të njëjtën kohë mënyra se si duhet të zhvillohet puna në qendrat shëndetësore. Sipas Abazit, fuqizimi i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të kishte impakt më shumë se pozitiv, por, nga ana tjetër, edhe menaxhimi i mirë i burimeve njerëzore, i burimeve financiare dhe vëmendje më e madhe e qeverisë drejt mjekësisë do ta ndihmonin sistemin për t‘u përmirësuar.

A janë të drejta kërkesat e mjekëve të QSUT-së dhe a duhet të parashtroheshin ato më parë, apo pas goditjes së kardiokirurgut. Ishte ky çasti i duhur?

Pavarësisht shqetësimit të mjekëve, çështjet janë të drejta, por problemet në shëndetësinë shqiptare nisin nga qendra në krye. Kërkesat e mjekëve parimisht janë të drejta dhe qëndrojnë, por ato probleme kanë ekzistuar prej vitesh dhe po e brejnë sistemin shëndetësor prej shumë kohësh. Mjekët fajësojnë ministrin e Shëndetësisë, por, për mendimin tim, shqetësimet e sistemit nuk janë mangësi të ministrit të Shëndetësisë, por mangësi të qeverisjes dhe të kryeministrave që kanë qeverisur nga viti 1991 e këtej. Ministri është një titullar dikasteri, që zbaton politikat e qeverisë. Mangësitë që janë krijuar në këto vite janë për shkak se asnjë qeveri nuk ka pasur në vëmendje shëndetësinë. Problemet e shëndetësisë nuk janë marrë në konsideratë nga ministrat gjatë krijimit të qeverive, këtu pa veçuar asnjë.

Çdo vit duhet të ishte ngritur zëri për mungesat e ilaçeve, për mangësitë hotelerike, për infrastrukturën, për pajisjet e diagnostikimit, për menaxhimin, aparaturat e vjetra dhe të prishura.

Rruga që është gjetur nga mjekët për të zgjidhur problemet a është ajo e duhura?

Kërkesat e mjekëve janë të drejta, por protesta nuk është rruga më e mirë për të zgjidhur problemet. Ndërprerja e operacioneve apo lënia e pacientëve pa shërbimin shëndetësor nuk është zgjidhja, por, për mendimin tim, mjekët duhet të formulojnë kërkesat e tyre në mënyrë zyrtare, t‘i dërgojnë ato në Ministrinë e Shëndetësisë, në Kryeministri, në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë. Protestat njëorëshe dëmtojnë shërbimin për publikun. Mjekët e QSUT-së janë akademikë, merren me shkencë, mënyra më e mirë për të ngritur problemet është ajo zyrtare.

Si mund të zgjidhen problemet e mjekëve dhe cila është alternativa më e mirë për të përmirësuar mjekësinë në këtë kohë?

Qeveria duhet të jetë ajo që t‘i ketë sytë nga shëndetësia, problemet e mjekësisë janë lënë në harresë. Një nga zgjidhjet është financimi, por jo vetëm rritja e buxhetit të shëndetësisë mund të jetë shpëtimi, menaxhimi ka një rëndësi të veçantë. Realisht shëndetësisë nuk i kanë munguar fondet dhe financimi, por nuk dihet se ku kanë shkuar, nëse kanë mbërritur në vendin e duhur, apo janë shpërndarë aty ku ka më shumë nevojë. Veç financimit, shumë e rëndësishme është edhe menaxhimi, edhe inspektimi. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor duhet të fuqizohet. Nëse ISKSH-ja fuqizohet dhe i lihen kompetenca të plota për menaxhimin financiar në spital, gjendja do të përmirësohet. Kur ISKSH-ja të jetë i vetmi financues, do të arrihet që pacientit të siguruar t‘i rimbursohet edhe krevati, ilaçet dhe kontrollet. Pjesa e parave që do të jepnin pacientët e pasiguruar do të përdoreshin për të rregulluar spitalet.

Cilat janë disa nga mundësitë e tjera që do të rregullonin sistemin?

Institucionet shëndetësore duhet të funksionojnë si ndërmarrje, të bëjnë vetëmenaxhimin, vetadministrimin. Drejtuesit duhet t‘i rregullojnë vetë pagat e tyre, të ardhurat, shpenzimet. Duhet të pësojnë ndryshime ligjet bazë të shëndetësisë, ligji i kujdesit shëndetësor. Pacientët, nga ana tjetër, duhet të paguajnë sigurimet shëndetësore. Të gjitha këto do ta përmirësonin sistemin shëndetësor dhe kujdesin për pacientin. Dua të theksoj këtu se ndryshimi i ministrit të Shëndetësisë nuk do ta ndryshonte gjendjen, por rregullimi i ligjit, fuqizimi i ISKSH-së, menaxhimi i mirë, vetërregullimi i punonjësve në shëndetësi do të ndikonin në përmirësim të mjekësisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›