E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Problemi është se humbësi asnjëherë nuk po e pranon humbjen”

06-08-2011 / Gazeta 55

Ish-kreu i KQZ-së Kristaq Kume, skeptik për reformën zgjedhore


Me çdo lloj formule përbërje qoftë politike apo institucionale, KQZ do të bëhet pre e  sulmeve të klasës politike. Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, në një prononcim për mediat ka deklaruar se e konsideron një temë të mirë diskutimi në tryezën e reformës zgjedhore riformatimin e KQZ-së. Ai e sheh problemin jo tek vetë komisioni, por tek mungesa e kulturës për të pranuar humbjen. “Ka formula nga më të ndryshmet. Deri më sot kemi eksperimentuar disa prej tyre dhe që përfundimisht kemi parë qëndrimin që ka mbajtur politika ndaj tyre, në të shumtën, për mendimin tim, nuk ka ardhur si rezultat i mendimit pozitiv apo negativ të asaj që ka bërë administrata zgjedhore, në këtë rast KQZ, por më shumë ka qenë si pjesë e asaj që është përdorur për të pranuar humbjen. Dhe tek gjetja e arsyeve të kësaj humbjeje te të tjerët”, u shpreh Kume. Megjithatë ndryshimin e shpeshtë të administratës zgjedhore, e cila herë ka numëruar 9 anëtarë e herë 7, Kume e quan një mungesë serioziteti që do të vazhdojë të gjenerojë probleme. “Nuk është serioz, fakti që pas çdo procesi zgjedhor partitë politike i drejtojnë sytë te administrata zgjedhore dhe kërkojnë që të ndërhyjnë në formulën, sipas së cilës kjo administratë formohet”, thekson ish kreu i KQZ-së, Kume. Një tjetër pikë e cila duhet të jetë patjetër në tryezë, është dhe kufizimi i afateve dhe hapësirave ligjore të partive për të vonuar nëpërmjet ankimeve pa fund rezultatin. Tre muaj nga 8 maji, ende nuk ka një datë se kur zgjedhjet vendore do të certifikohen.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›