Pas Ramës, Sequi nesër takim me Presidentin Nishani

Ambasadori i Bashkimit Europian i akredituar në Tiranë, Ettore Sequi do të zhvillojë një takim gjatë ditës së nesërme me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.
Në kushtet kur tetori nuk është larg dhe në vend ka ende shumë punë për të bërë për plotësimin e 12 kritereve të përcaktuara nga Brukseli për marrjen e statusit, diplomati i BE ka nisur një sërë takimesh me drejtues të lartë, duke i paraprirë raportit të tetorit të Komisionit Europian për statusin kandidat.
Takimi me Presidentin Nishani do të zhvillohet rreth orës 13:30 në ambjentet e Presidencës. Vetëm një ditë më parë Ambasadori i Bashkimit Europian,Ettore Sequi pati një takim me liderin e opozitës, Edi Rama.
Në një takim që ka zgjatur 60 minuta me liderin e opozitës Edi Rama, shefi i zyrës së BE ka folur shkurt për atë çfarë është biseduar por në thelb ka qënë situata politike dhe reformat që duhen mbaruar deri në fund të muajit.
“Ne folëm për një sërë çështjesh me kreun e PS-së, përfshirë këtu edhe 12 prioritetet e Bashkimt Europian për Shqipërinë, parlamentin, imunitetin, të drejtën e pronës , administratën civile e etj. Domethënë pak a shumë të gjitha çështjet e 12 prioriteteve” tha Sequi.
I pyetur nga gazetarët se a do ta marrë statusin e vendit kandidat Shqipëria, Sequi ka qënë diplomatik, por me mesazh të qartë ndaj liderve politikë.
“Sa i përket marrjes së statusit kandidat nga Shqipëria në tetor duhet të pyesni politikanët shqiptarë , jo mua” tha ambasadori.
Vetë zoti Rama nuk ka bërë komente rreth takimit duke e kaluar me buzëqeshje edhe lidhjen live të “Ora News” ndërsa dilte nga selia rozë pas takimit me diplomatin europian.