"Problemi im është që edhe një herë stampohet imazhi i keq shqiptar
Shumë shqiptarë të trysnuar nga ngjarjet e rënda të “tranzicionit”, megjithëse janë qenie që jetojnë si gjithë të tjerët në një hapësire tredimensionale, munden të shikojnë vetëm njërën.
Ndryshe nuk kishin si mbanin në këmbë këtë klasë politike. Merreni me mend. Babai im kishte 8 vjet që derdhte gjak në emigrim dhe ia vodhën paratë firmat piramidale, me gjithë pasojat që erdhën pas.
Babai është vetëm njëri nga brezi i tij.
U vodh djersa e emigrimit e atij brezi. Po ai brez që hapi hekurudhat me thonj, lanë kockat tuj ndertu tunele. Dhe prapë i le në pushtet këta 10 - 15 halabakë në politikë që e kanë shitur gjithë pasurinë kombëtare.
Po ne s’kemi popull. Se të ishte popull i organizuar s’do i vdisnin 26 vete në mes të kryeqytetit në fabrikën e vdekjes. Dhe s’do kishte kurrë guximin kush ta vriste zotin Trebicka.
Por nuk po më bëhet vonë në fakt as për Berishën, as për të djathtë e as për të majtë. I vetmi problem që kam si emigrant hallexhi këtu në vend të huaj, është që edhe një here stampohet imazhi shqiptar: Vend mafiozësh.