“Procedura e KQZ, transparente, partitë kanë të drejtën e animimit”

Flet zëdhënësi, Leonard Olli
Në përfundim të procesit të numërimit të kutive të njësisë bashkiake nr. 11, e cila ishte e fundit nga të gjitha njësitë e numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, zëdhënësi i këtij institucioni Leonard Olli deklaroi se procedurat e ndjekura kanë qenë transparente dhe të sigurta. Olli theksoi se shumë shpejt KQZ do publikojë shifrat përfundimtare për rezultatin zgjedhor të Tiranës, ku fitues është shpallur kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me 95 vota më shumë se rivali i tij.
“Të gjitha shifrat që kanë dalë tashmë nëpërmjet tabelave respektive, po përpunohen nga Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit më pas do tu mblidhen tabelave respektive dhe menjëherë do kalohet në publikimin e shifrave përfundimtare. Sot pritet të jetë gati projekt-akti”, u shpreh Olli, ndërsa sqaroi se procesi i ndjekur nga KQZ në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, ka qenë transparent dhe i sigurt.
“Në këndvështrimin tonë dhe prezencën tuaj, çdo gjë është operuar maksimalisht në mënyrë transparente. KQZ regjistron tërë kohën çdo gjë që ka ndodhur këto ditë në këto salla. Saktësia nuk mund të diskutohet. Transparenca është pjesë e punës sonë integrale”, tha Olli.
Ai shtoi se vendimmarrja në KQZ është më transparente se kurrë sepse është publike dhe sipas procedurave të parashikuara në ligj dhe në Kodin Zgjedhor. Zëdhënësi theksoi se saktësia nuk mund të diskutohet në një Komision Qendror të Zgjedhjeve, në institucionin më të lartë të administrimit dhe certifikimit të zgjedhjeve në vendin tonë.
“Nëse dikush mund të ketë paqartësi mund të vijë dhe të ankohet dhe në KQZ, por mund të shkojë më pas edhe në shkallën e dytë të ankimit, Kolegjin Zgjedhor”, deklaroi më tej zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli.