E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Procedura parashikohet në Kushtetutë, shumica e thjeshtë e zgjedh kreun e shtetit”

10-01-2012 / Gazeta 55

Zgjedhja e Presidentit, flasin ligjvënësit shqiptarë

Ministri i Mbrojtjes, njëherësh edhe bashkë-hartues i Kushtetutës së vendit, Arben Imami, duke komentuar diskutimet mbi zgjedhjen e Presidentit të vendit, tha dje se Kushtetuta është e qartë dhe nuk le vend për ngërçe politike e destabilizime. Madje ai theksoi se për këtë qëllim me konsensus të gjerë politik në ndryshimet që ju bënë ligjit themeltar të shtetit në vitin 2008, ishin pikërisht që ky proces mos destabilizojë vendin. “Ndryshimet që ju bënë kushtetutës kishin pikërisht qëllimin që të mos destabilizohet vendi dhe ato u bënë me konsensus të gjerë politik”, u shpreh Imami.
Duke shpjeguar Kushtetutën, ai theksoi se në rast se kreu i shtetit nuk zgjidhet në tre votimet e para në Kuvend me shumicë të cilësuar, atëherë ai mund të zgjidhet në votimin e katërt apo të pestë me një shumicë të thjeshtë votash. Kuvendi shpërndahet vetëm në rastin kur edhe në votimin e katërt apo të pestë nuk arrihet as shumica e thjeshtë.
Duke komentuar edhe diskutimet e fundit se opozita mund ta çojë çështjen për zgjedhjen e presidentit në Gjykatë  Kushtetuese, Imami tha se edhe nga kjo gjykatë do të merrej i njëjti interpretim, që kushtetuta e zgjidh më së miri procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit.
“Kushtetuta e rregullon fare mirë me ndryshimet që u bënë në vitin 2008, që në rast të mos marrjes së shumicës së cilësuar, presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë dhe kjo është e qartë”, theksoi Imami.

Tritan Shehu: Zgjedhja e Presidentit, jo si Avokati i Popullit/Mazhoranca nuk ka ndërmend të pranojë një president që del nga një procedurë e ngjashme me atë të Avokatit të Popullit.
Deputeti i PD-së Tritan Shehu thotë se zgjedhja e kreut të shtetit përmes një gare është thjesht një teatër politik.
Për Shehun i pavend është edhe diskutimi për kuorumin në momentin e zgjedhjes së presidentit, pasi vetë ndryshimet kushtetuese e kanë dhënë zgjidhjen.
Sa i përket emrave që mund të jenë në këtë garë për president, Tritan Shehu tha se mjafton që një kandidat të ketë 20 firma deputetësh, por tha se mazhoranca sigurisht do të ketë propozimin e saj për këtë post.

Edi Paloka: Strategjia e bllokimit, opozita do dështojë/Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherazi nënkryetari i grupit Kuvendor demokrat, Edi Paloka vlerëson se strategjia e bllokimit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga opozita është e dështuar.
Për ligjvënësin demokrat, Kushtetuta shprehet qartë për sa i përket çështjes së kuorumit në seancë plenare.
“Nuk ka asgjë për të gjykuar, pasi Kushtetuta është mjaft e qartë. Kur u bënë ndryshimet Kushtetuese, u arrit në një qëllim që të zhbëhej kriza, të shfuqizohej neni i krizave. Ne e dimë që Edi Rama është i gatshëm të bëjë shumë më tepër sesa bllokimi i zgjedhjes së Presidentit, pasi për këtë jemi koshientë të gjithë se çfarë bëri vitin e kaluar për marrjen e pushtetit”- tha ai.
Sa i takon diskutimeve për kuorumin, Paloka shtoi se “kuorumi i parlamenti është 71”. Sipas tij, me 71 deputetë të parlament kuorumi është i plotësuar dhe seanca mund të zhvillohet normalisht. Përs a i përket emrave të mundshëm për president Paloka thotë se ende nuk është diskutuar.
PD-ja sipas tij ka personalitete për President, ndërsa shpreh mbështetjen për Topallin nëse kandidon për këtë post.

Fatos Beja: Debatit i jep përgjigje Kushtetuta/ Sipas deputetit demokrat Fatos Beja debati jo vetëm është i parakohshëm, por shpjegimin e gjen te Kushtetuta.
“Kushtetuta është në fuqi, ndaj them që debati ka karakter të mirëfilltë politik dhe është i parakohshëm. Kushtetuta është në fuqi dhe nuk ka vend të diskutohet pse dhe si u ndryshua. Unë gjykoj që i gjithë diskutimi i deritanishëm ka një karakter të mirëfilltë politik dhe prandaj gjykoj që duhet të respektohet institucioni i Presidentit deri në përfundim të mandatit të tij dhe nuk duhet të bëhet pjesë e politikës së ditës dhe interesave të veçanta partiake që në fillim të vitit”, tha ai.

Mark Marku: Propozimi për kreun e shtetit është model politik/Deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku thotë se modeli i propozimit të kandidaturës për Presidentin e Republikës, është proces politik i cili ka një traditë të tijin, tërësisht të bazuar në qëndrimet e partive politike.
Sipas tij, statura 20 vjeçare e zgjedhjes së Presidentit, ka funksionuar në mënyrë të tillë që mazhoranca zgjedh kreun e shtetit. Por sipas tij, edhe pse në postin e Presidentit janë propozuar përfaqësues nga partitë politike, si Rexhep Meidani nga PS apo Bamir Topi nga PD, në të dyja rastet kanë rezultuar kundërshtarë të vijës politike që i propozoi si dhe s’kanë ruajtur as pozicionin kushtetuese që u kërkohet.
“PS zgjodhi Rexhep Meidanin, kur Kryeministër ishte Fatos Nano dhe të gjithë e dinë qëndrimin e Meidanit ndaj forcës politike që e propozoi. Po ashtu, në 2007-ën PD propozoi një funksionarë të sajin, Bamir Topin. Dhe në të dyja rastet, Meidani dhe Topi përfunduan kundërshtarë”, tha deputeti demokrat, Mark Marku.
Verën e këtij viti Kushtetuta e ndryshuar me konsensus të gjerë 21 prillin e vitit 2008 vihet për herë të parë në provë, ndërsa në atë kohë të dy krerët e politikës arritën në marrëveshjen që nenet kushtetuese të ofronin krahas mundësisë për President konsensual, mbi të gjitha shmangien e krizës institucionale, duke përfshirë zgjedhjen e kreut të shtetit edhe me një shumicë të thjeshtë votash.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›