E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Reforma Zgjedhore, ligjet e integrimit dhe Gjykata Administrative, sfidat e reja”

10-01-2012 / Gazeta 55

Deputeti i LSI-së Vangjel Tavo, flet për prioritetet e Kuvendit për vitin 2012

Në kuadër të fillimit të sezonit të ri parlamentar, i cili do të duhet të përballet me një sërë sfidash për vitin 2012, nënkryetari i Parlamentit, njëkohësisht dhe deputet i LSI-së Vangjel Tavo ka deklaruar se ky vit do të jetë vit sfidash dhe i ngarkuar për Kuvendin. Sipas tij, se prioritet i prioriteteve do të jenë reforma zgjedhore dhe kalimi i ligjeve për marrjen e statusit.
“Sezoni i ri do të fillojë me punën për Gjykatën Administrative, përfundimi i punës për reformën zgjedhore dhe i një kodi zgjedhor, miratimi i ligjeve integruese. Është vit që do zgjidhet Presidenti i Republikës, fakt i cili do të jetë sfidë për politikën dhe Kuvendin, gjithashtu ka projektligje dhe marrëveshje të tjera që nuk janë pjesë e kësaj pakete, por jo më pak të rëndësishme. 2012-ta do të jetë vit sfidash dhe i ngarkuar për Kuvendin”, u shpreh ai.
I pyetur se rikthimi i PS-së në parlament ishte rezultat i ndërkombëtarëve apo një refleksion i kësaj partie Tavo shprehet i bindur se pas këtij procesi qëndrojnë ndërkombëtarët.
Sipas tij, vetë Partia Socialiste në një farë mënyrë e kishte kuptuar se po ndiqte një rrugë pa krye, por i duhej një alibi për rikthim në shina.
Lidhur me dyshimet e forcave të vogla politike për një marrëveshje të mundshme PD-PS ai tha se absolutisht që PS të prekte Parlamentin kërkonte diçka në këmbim dhe ky mund të jetë vetë Kodi Zgjedhor.
Nga ana tjetër, Tavo ka bërë thirrje për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe transparente.
“Që PS të vinte këtu normalisht ka një marrëveshje për të fituar diçka. Marrëveshja mund të jetë kodi zgjedhor. Ne si LSI kemi përjashtuar të drejtën e vetos nga dy partitë në reformën zgjedhore, duhet të theksoj që është pozitive që komisioni për reformën është ngritur, por nuk duhet të përdoren si fasadë forcat e tjera politike në sy të ndërkombëtarëve. Kodi aktual është pasojë e një lëvizje të qëllimshme të PS për të eliminuar LSI, gjë e cila nuk u arrit. Mund të përsëritet e njëjta tentative nga të dy forcat kryesore, duke u nisur nga interesat e tyre partiakë. Megjithatë kodi nuk duhet ti shërbejë forcave politike, por zgjedhjeve në tërësi. Reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse, konsensuale, tu shërbejë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kemi dy forca politike që duken sikur kanë rënë në dashuri, por nëse ndjekin formulat e mëparshme do të na çojnë përsëri në zgjedhje të kontestueshme. Prioritet do të jenë rekomandimet e OSBE–ODIR, por ka dhe çështje të tjera të rëndësishme. Duhet të gjendet formula që të ruhet barazia e votës, përmes korrektimit. Nuk jemi për ta bërë këtë gjë përmes ndryshimit të Kushtetutës, pasi nuk mund të luajmë me Kushtetutën sipas qejfit të partive”, tha më tej Vangjel Tavo.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›