Basha: Qëndrimi i Ramës i paprecedentë, po i bën presion Kolegjit
TIRANË- Vetëm pak orë pas përfundimit të konferencës për shtyp të kryetarit të opozitës, Edi Rama, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ka theksuar se Rama ka zgjedhur të ndërmarrë një hap të paprecedente, duke kërcënuar dhe i bërë presion Kolegjit Zgjedhor. “Çdo votë është numëruar dhe zëri i çdo qytetari është dëgjuar. Gjatë gjithë këtij procesi, kam deklaruar dhe deklaroj se cilido qoftë verdikti përfundimtar i procesit, unë do ta pranoj atë. Në anën tjetër, kundërshtari im bëri zgjedhjen e tij, për të mos njohur vendimet e Kolegjit Zgjedhor, për arsyen e thjeshtë se këto vendime janë bazuar në ligj dhe jo tek interesat e tij politike. Unë besoj se numërimi i çdo vote është parimi më i drejtë dhe më i ligjshëm. Z. Rama nuk mendon kështu. Nuk ka problem. Nuk është e thënë që të biem dakord për çdo gjë dhe kandidati tjetër ka të drejtë të përdorë cilindo mjet brenda sistemit tonë ligjor, qoftë kjo edhe nëse beson me të vërtetë se të mbysësh zërin e qytetarëve është e vetmja rrugë”, - tha Basha. Megjithatë, duke ndjekur këtë logjikë, kandidati i mazhorancës për kryeqytetin shtoi se kur institucionet e pavarura, bashkarisht të pranuara, japin verdiktin përfundimtar, është detyra e të gjithëve më pas që të pranohet ky verdikt. “Ai ka zgjedhur të ndërmarrë një hap të paprecedentë, duke kërcënuar dhe duke i bërë presion Kolegjit Elektoral, me anë të një letre publike dhe sot para ekranit. Është e papranueshme për cilëndo palë që të bëjë presion ndaj Kolegjit Zgjedhor. Presioni ndaj Kolegjit Zgjedhor është një presion i mirëfilltë ndaj drejtësisë. Të gjithë ne e dimë që vetëm një palë e ka bërë këtë, dhe motivet e z. Rama për këtë flasin vetë”, - tha ai. Basha shtoi se, është koha për zgjidhje, duke i dhënë fund betejave politike. “Kandidati tjetër, në një orvatje për të përbaltur procesin, pretendon se numërimi i çdo vote është barbari. Në themel të Kushtetutës sonë dhe Kodit Zgjedhor bashkarisht të votuar, në themel të drejtave universale dhe lirive të njeriut, në themel të demokracive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, qëndron parimi i numërimit të çdo vote. Barbari është mosnumërimi i çdo vote. Gjatë gjithë këtij procesi, bashkësia ndërkombëtare ka qenë e pranishme dhe ata kanë folur njëzëri, duke i bërë thirrje të gjitha palëve të ndjekin institucionet ligjore, shtetin ligjor dhe të pranojnë rezultatet. Bashkësia ndërkombëtare ka qenë gjithashtu e qartë, kur deklaron se dhuna dhe kërcënimet për dhunë nuk kanë vend në këtë proces”, - tha ai. Sipas tij, askush nga ndërkombëtarët nuk i ka vënë në dyshim vendimet e Kolegjit Zgjedhor. “...Nuk ka drejtësi më të madhe në një demokraci sesa kjo. Dhe ky është interesi më i mirë i vendit”, - shtoi ai.
n.p