E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat e reja për lejet e ndërtimit

16/02/2009  Qeveria propozon ligjin e ri për planifikimin e territorit në Republikës së Shqipërisë

Sistemi i ri parashikon përfshirjen e të gjitha palëve në vendimmarrje përmes seancave publike

Qeveria i ka propozuar Kuvendit sistemin e ri të planifikimit. I propozuar përmes projektligjit “Për planifikimin e territorit”, sistemi parashikon transparencë në vendimmarrje bazuar në bashkëpunimin mes aktorëve dhe garanton të drejtën për pjesëmarrje në procesin e planifikimit.

Projekti

Sistemi synon krijimin dhe garantimin e territoreve të ndërtueshme, të organizuara në mënyrë funksionale, duke i dhënë përparësi mundësisë së banimit të të gjitha shtresave ekonomike, nxitjes së investimit për ushtrimin e veprimtarive ekonomike e sociale dhe lehtësimit të përdorimit të shërbimeve publike. Procedurat për miratimin e planit territorial përfshin etapat që nga miratimi i planit të veprimeve, kryerjen e studimeve të projekteve ku do të mbështetet plani, bashkërendimin e projektplanit me autoritetet e interesuara, deri te këshillimet me palët përmes seancave publike. Projekti përcakton në mënyrë të detajuar procedurat për marrjen e një leje zhvillimi apo ndërtimi.

Leja për ndërtim

Çdo person fizik ose juridik, vendas apo i huaj që synon të kryejë një zhvillim të ri apo ndërtim në territore në pronësi të tij, ose në pronësi private apo publike për të cilat gëzon të drejta ligjore, duhet të pajiset me leje. Ajo jepet në bazë të një kërkese për zhvillim apo ndërtim dhe miratimi i saj bëhet me akt formal të autoritetit përgjegjës të planifikimit ose me miratim në heshtje. Kërkesa dorëzohet pranë njësisë vendore në territorin e së cilës kërkohet zhvillimi apo ndërtimi. Autoriteti përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës shqyrton brenda 5 ditëve nga data e marrjes së saj në dorëzim dokumentacionin për çështje të përmbushjes së formës dhe i dërgon kërkuesit vërtetimin e pranimit. Kur ky afat kalon pa përgjigje, atëherë kërkesa quhet e pranuar dhe vijon shqyrtimi i saj. Njësia vendore e shpall kërkesën në mjediset publike dhe e boton në regjistër. Brenda 20 ditëve nga botimi çdo autoritet shpreh vlerësimet, vërejtjet apo pretendimet e veta. Brenda 20 ditëve nga ky afat autoriteti përgjegjës i planifikimit vlerëson praktikën e kërkesës për zhvillim dhe nënshkruan raportin me propozimin për pranim apo refuzim të saj. Praktika për vendimmarrje i përcillet kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore, që e shqyrton brenda 10 ditëve kërkesën në raport me instrumentet vendore dhe kombëtare. Bashkia/komuna i kthen përgjigje me shkrim kërkuesit, së bashku me një kopje të vendimit të marrë jo më vonë se 55 ditë pas marrjes në dorëzim të kërkesës. Zhvilluesi apo ndërtuesi i fillon punimet jo më vonë se 30 ditë nga marrja e lejes. Brenda këtij afati mund të bëhet ankimim administrativ dhe më pas gjyqësor. E drejta për zhvillim ushtrohet brenda një viti nga data e marrjes së lejes së zhvillimit apo ndërtimit. Miratimi në heshtje i lejes nuk zbatohet për punime që për shkak të natyrës e vëllimit të tyre kanë rrezikshmëri të lartë për mjedisin, sigurinë e shëndetin publik dhe sigurinë e jetës.

Instrumentet

Kontrolli

Instrumentet e veçanta të kontrollit të zhvillimi në territor në kuptimin e këtij ligji janë: pezullimi i zhvillimit, servituti publik, rezervimi publik, e drejta e transferimit dhe e drejta e lënies. Palët e prekura nga zbatimi i tyre, kur dëmtohen, kanë të drejtë të kompensohen financiarisht.

Leja e përdorimit

Në fund të procesit të zhvillimit apo ndërtimit autoriteti përgjegjës i planifikimit lëshon lejen e përdorimit të strukturës që konfirmon, kur aktet e kontrollit vërtetojnë realizimin e punimeve në përputhje me kushtet e lejes, sipas fazave të përcaktuara në rregulloren e kontrollit të zhvillimit.

Inspektimi

Inspektimi ka për mision bazë parandalimin e zhvillimeve të paautorizuara në territor apo të shkeljeve të kushteve të lejes sipas këtij ligji dhe akteve të nxjerra në zbatim të tij dhe ndëshkimin e kundërvajtësve.

Sanksionet

Shkelja e kushteve të punës me pasojë në krijimin e shtesave, dënohet me gjobë 500 000 lekë deri në 100 % të vlerës së shpenzimeve të punimeve shtesë. Kryerja e punimeve pa leje dënohet me gjobë 200 000 lekë deri në 100 % të vlerës së shpenzimeve të punimeve të kryera pa leje. Ndërsa përdorimi i objektit pa lejen e përdorimit dënohet me gjobë nga 2 deri në 5 milionë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›