E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njihen diplomat e shkollave fetare

16/02/2009  Kurrikulat dhe oraret e mësimit do të vendosën në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit

Kthehen tokat dhe objektet e kultit. Mbështetje për legalizimin e objekteve të ndërtuara

Marrëdhëniet mes shtetit shqiptar dhe komuniteteve fetare mysliman, ortodoks dhe bektashian do të rregullohen me ligj të posaçëm. Prej muajit shkurt do të nisë funksionimi i rregullave të sanksionuara në të, ndërsa shteti shqiptar do të angazhohet në kthimin e tokave dhe objekteve të kultit të cilësuara monumente kulture. Ndërsa parashikohet dhe mundësia që shteti të ndihmojë financiarisht apo materialisht komunitetet.

Shkollimi

Të tre komunitetet fetare do të kenë të drejtën e ngritjes së institucioneve edukative dhe arsimore. Komunitetet në fjalë kanë të drejtë, në përputhje me kriteret e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, të ngrenë dhe të administrojnë institucione edukative dhe arsimore të të gjitha niveleve. Ndërsa në bashkëpunim me shtetin angazhohen të respektojnë të drejtën e prindërve për të siguruar edukimin e fëmijëve në përputhje me bindjet e tyre fetare. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dokumentet të lëshuara nga këto institucione, sipas kritereve të caktuara nga legjislacioni në fuqi për arsimin do të njihen nga shteti. Komunitetet myslimane, ortodokse dhe bektashije dhe shteti hartojnë kurrikulat përkatëse për shkollat fetare jopublike, si dhe bëjnë vlerësimin dhe certifikimin e personelit pedagogjik. Për miratimin e tyre ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ndërsa në ligj theksohet se gjatë procesit të mësimdhënës, shteti dhe komunitetet angazhohen që arsimimi i fëmijëve të bazohet mbi të drejtat e njeriut dhe parimet demokratike, të drejtohet në përgatitjen e fëmijëve për një jetë të përgjegjshme në një shoqëri të lirë në frymën e mirëkuptimit, paqes, tolerancës, barazisë gjinore dhe vëllazërisë midis njerëzve, grupeve etnike, kombëtare dhe fetare, ose personave me origjinë tjetër, duke iu kundërvënë racizmit e fanatizmit.

Pronësia

Shteti shqiptar në zbatim të këtij ligji i njeh të tre komuniteteve fetare të drejtën e pronës mbi sende të luajtshme dhe të paluajtshme me të gjitha elementet përbërëse të saj. Komuniteti mysliman, ai ortodoks dhe bektashian i Shqipërisë rinjihet sipas kësaj marrëveshje si trashëgimtar i pronave përkatëse. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, shteti trajton me përparësi kërkesat e komuniteteve për kthimin dhe kompensimin e pronave të veta. Ndërsa në rastet kur objektet e kultit të komuniteteve fetare nuk gjenden të regjistruara në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pronësinë do ta vërtetojë (provojë) nëpërmjet dokumenteve të Arkivit Qendror të Shtetit. Këshilli i Ministrave merr përsipër që për objektet e kultit të paregjistruara të të tre komuniteteve fetare të ndihmojë në procesin e legalizimit, i cili të kryhet me regjistrim në bazë të kërkesës dhe dokumentacionit teknik të paraqitura, në bazë të legjislacionit në fuqi.

Pa firmën e Prokurorisë

Ndalohet hyrja e policisë në objektet e kultit

Sipas të tre marrëveshjeve të miratuara ndërtesat dhe objektet që shërbejnë për kryerjen e ceremonive fetare konsiderohen të shenjta nga komunitetet fetare. Ndërhyrja e autoriteteve në to është e ndaluar, me përjashtim të rasteve të flagrancës, kur një gjë e tillë kërkohet në zbatim të një urdhri të Prokurorisë, të një vendimi gjyqësor ose titulli ekzekutiv, ose në rast të kanosjes së një rreziku të afërm. Institucionet përkatëse e në veçanti Komiteti Shtetëror i Kulteve, bashkëpunojnë me bashkësitë fetare për të përcaktuar vendin për ndërtimin e objekteve fetare, në përputhje me nevojat fetare të personave, si dhe mbi bazën e planeve rregulluese urbanistike.

Mbrojtja e trashëgimisë kulturore fetare

Objektet e kultit që kanë statusin e Monumentit të Kulturës do t’i kthehen në pronësi komuniteteve fetare përkatëse dhe do të mbrohen e trajtohen nga ligji për trashëgiminë kulturore. Shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për nevoja e interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e komunitetit përkatës. Ndërsa theksohet se në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave dhe komuniteteve fetare bien dakord të bashkërendojnë përpjekjet në të ardhmen për të evidentuar, vlerësuar e mbrojtur pasuritë kulturore, si dhe godinat e kultit, të cilat bartin vlera të kulturës kombëtare materiale e shpirtërore.

Instituti i Monumenteve të Kulturës merr pjesë në restaurimin, projektimin dhe ndërtimin e objekteve të kultit në marrëveshje me bashkësitë fetare përkatëse, duke respektuar ligjin nr. 9048, datë 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore”.

E drejta për të ndryshuar fenë

Në marrëveshjen e firmosur mes palëve dhe që tashmë është kthyer në ligj, parashikohet respektimi i të drejtës për të ndryshuar fenë, apo për t’u bërë pjesë e komunitetit lirisht dhe jashtë çdo detyrimi. Kështu në marrëveshjen me komunitetin ortodoks dhe atë bektashian në nenin 3 të marrëveshjes shprehet se komuniteti përkatës do të respektojë të drejtën e një personi për të ndryshuar fenë. Ndërsa në marrëveshjen me komunitetin mysliman përcaktohet respektimi i të drejtës për ndjekjen e një besimi fetar. Gjithashtu palët janë angazhuar në respektimin e të drejtave të njeriut në respektim të Kushtetutës së Shqipërisë, por gjithashtu marrin angazhimin që të mos detyrojnë asnjë person me forcë për t’u bërë pjesë e një komuniteti fetar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›