Procedurat për ndryshimin, pezullimin dhe mbylljen e pensionit
Anilejda Shëmbitraku
Gazeta “Albania” publikon të detajuara të gjitha procedurat për ndryshimin, pezullimin dhe mbylljen e pensionit. Kur pas marrjes së vendimit për caktimin e pensionit, pensionisti paraqet kërkesë me shkrim, së bashku me dokumente të tjera që i japin të drejtë për rritjen e masës së pensionit, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore (DRSSH) merr vendim për ndryshimin e pensionit. Gjithashtu, vendimi për ndryshimin e pensionit merret edhe pa kërkesën e të interesuarit për rastet kur konstatohet se janë bërë gabime në masën e pensionit në një vendim të mëparshëm, si dhe kur bëhen rritje me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ndryshimi
Vendimi për ndryshimin e pensionit merr numrin e vendimit fillestar me fraksion, duke filluar nga numri 1, p.sh. 1275/1, 1275/2 etj., ndërsa si datë shënohet data e kryerjes së veprimit. Vendimi plotësohet me të gjitha të dhënat që përmban formati. Nuk mund të transferohet dosja e pensionit nga një DRSSH në një tjetër pa tërhequr të paktën një këst mujor. Në rastet kur pensionisti vdes, deklarohet pa grup invaliditeti, anëtari i familjes plotëson moshën për punë etj., DRSSH-ja merr vendim për mbylljen e pensionit. Ky vendim do të merret mbi bazën e dokumenteve që vërtetojnë shkakun e mbylljes. Për rastet kur pensionisti vdes, certifikata dorëzohet te inspektori pritës duke bërë kërkesën përkatëse. Në këtë rast të interesuarit dorëzojnë tri kopje të certifikatës së vdekjes. Inspektori pritës dhe përgjegjësi i agjencisë kryejnë të gjitha procedurat për dorëzimin e dokumenteve derisa i dorëzojnë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Edhe DRSSH-ja kryen të gjitha veprimet protokollare derisa dokumentet merren nga inspektori
pritës. Inspektori pritës, me marrjen e dokumenteve, tërheq dosjen nga arkiva dhe harton urdhër-mbylljen në tri kopje, sipas formularit tip që i bashkëlidhet kësaj rregulloreje dhe pasi nënshkruhet prej tij, kryetarit të Degës së Përfitimeve dhe firmoset nga drejtori i DRSSH-së, dërgohet në Degën e Financës së bashku me dy kopje të certifikatave të vdekjes.
Pezullimi
Pezullimi i pensionit bëhet në çdo kohë gjatë së cilës është duke u përfituar pensioni dhe mbi bazën e fakteve që cenojnë legjitimitetin e tij. Pezullimi i pensionit bëhet për aq kohë sa kërkohet për verifikimin për faktet që kanë dalë deri në
nxjerrjen e urdhrit për mbylljen e pensionit ose urdhrit për pagesën e tij. Kur merret vendim për mbylljen e pensionit, atëherë përpilohet urdhër mbyllje e pensionit sipas procedurave të përcaktuara më lart. Urdhri i pezullimit të pensionit i dërgohet qendrës paguese nga Dega e Financës. Njoftohet personi i interesuar për pezullimin e pensionit. Me marrjen e njoftimit, personi i interesuar paraqitet në DRSSH dhe nga inspektori përpunues hartohet procesverbal për shkaqet e pezullimit. Me plotësimin e dokumenteve në bazë të procesverbalit, fillon rishqyrtimi i pensionit.
Rastet
Kur pezullohet pensioni
Rasti I
Në rastet kur drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së dhe drejtori i DRSSH-së kanë fakte ose sinjalizime, kanë të drejtë të pezullojnë pensionin, mbi bazën e kontrolleve ose rikontrolleve të urdhëruara prej tyre.
Rasti II
Kur nga auditimi i dosjes nga auditi i ISSH-së dhe auditi i DRSSH-së rezulton që pensioni është caktuar në kundërshtim me dispozitat ligjore, vendimet, udhëzimet dhe rregulloret në fuqi.
Rasti III
Kur dosja kërkohet për shqyrtim në KMCAP-epror.
Rasti IV
Kur pensioni nuk tërhiqet për një periudhë mbi një vit. Në këtë rast mund të hartohet edhe urdhër-mbyllje e urdhër-pagesës dhe bëhen veprime edhe në programin e kartelizimit.
Transferimi i dosjes së pensionit
Dokumentacioni dhe procedurat administrative që kërkohen për përpilimin e kërkesës
Kërkesa për transferimin e pensionit bëhet në ALSSH-në ku ka vendbanimin e ri pensionisti, sipas kërkesës tip. Kërkesa për transferim pensioni shoqërohet me dokumentet e mëposhtme: certifikatë familjare nga zyra e gjendjes civile të vendbanimit të ri; certifikatë personale; kopje e kontratës midis pensionistit dhe KESH-it, kur është e mundur dhe kur kërkohen kompensime; vërtetim për ndjekjen e shkollës, sipas rastit. Kërkesa paraqitet te inspektori pritës, i cili kontrollon se cila është qendra paguese postare ku pensionisti tërheq pensionin, cila është DRSSH-ja ose ALSSH-ja, në territorin e së cilës është qendra paguese nga ku do të transferohet dosja e pensionit dhe urdhërpagesa. Pasi i gjen dokumentet dhe kërkesën të rregullt, bën regjistrimin në librin e pritjes, në rubrikën “Kërkesa për transferim pensioni”. Inspektori pritës, në fund të ditës së punës, dorëzon te Përgjegjësi i Agjencisë kërkesat e pritura. Ky i fundit i regjistron në regjistrin e kërkesave për transferim pensioni dhe përgatit shkresën shoqëruese drejtuar DRSSH-së. Nuk lejohet të transferohet një dosje pensioni nëse nuk është paguar minimumi një këst mujor pensioni në agjencitë paguese të territorit të DRSSH-së që ka caktuar pensionin.
Kur nuk gjendet në rregull, sipas rastit, bëhet verifikimi i dokumenteve që shihen të nevojshme.
11 Janar 2011