Draft-rezoluta e KiE-së: Të hetohet trafiku i organeve në Shqipëri
STRASBURG – Këshilli i Europës pritet t’i kërkojë Shqipërisë që të nisë hetimet për pretendimet e paraqitura nga raporti Dik Martit për trafik organesh në veri të Shqipërisë. Një kërkesë e tillë është parashtruar në draft-rezolutën që u miratua tri ditë më parë në dokumentet që do të shqyrtohen në sesionin e vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Gazeta “Albania” zbardh projektrezolutën që është përgatitur bashkë me raportin shpjegues të europarlamentarit italo-zviceran. Çështja, që pritet të ngjallë debate të shumta në Strasburg, prek tre vende: Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë. Në draftin që do të votohet u propozohet autoriteteve të tre vendeve dhe misionit europian në Kosovë, EULEX, që të nisin hetimet për zbardhjen e pretendimeve.
Draft-rezoluta
Dy javë para nisjes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, publikohet draft-rezoluta e propozuar nga europarlamentari Dik Marti, e cila shoqërohet bashkë me raportin dhe përmbledhjen. Dokumenti i përgatitur nga anëtari i Aleancës së Liberal-Demokratëve të Europës ka kaluar në Komitetin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut të KiE-së dhe tashmë pritet të ngjallë reagime të ashpra në qarqet politike dhe diplomatike të disa vendeve të Europës. Draft-rezoluta ka 20 pika dhe përfshin të gjitha kërkesat dhe rekomandimet për vendet e prekura nga akuzat.
Kërkesa për Shqipërinë
Dokumenti parashtron kërkesa konkrete për autoritetet e Shqipërisë dhe të Kosovës. Prej tyre kërkohet që të “bashkëpunojnë hapur me EULEX-in dhe autoritetet serbe në procedurat që synojnë zbulimin e së vërtetës për krimet e kryera në Kosovë, pavarësisht nga origjina e njohur apo të supozuar të të dyshuarve dhe viktimave”. Një tjetër pikë e shtruar është që, në mënyrë të veçantë, të ndërmerren veprime në kërkesat për ndihmë gjyqësore të bëra nga EULEX-i në lidhje me aktet e supozuara kriminale që kanë ndodhur në një kamp të UÇK-së në veri të Shqipërisë.
Projektrezoluta shtron edhe një kërkesë tjetër për Prishtinën dhe Tiranën zyrtare: “Të fillojë një hetim serioz dhe i pavarur në mënyrë që të gjendet e gjithë e vërteta në lidhje me akuzat, ndonjëherë konkrete dhe specifike, të ekzistencës së qendrave sekrete të paraburgimit ku ishte shkaktuar qëllimisht trajtim çnjerëzor ndaj të burgosurve nga Kosova, me origjinë serbe ose shqiptare, gjatë dhe menjëherë pas konfliktit”. Sipas dokumentit, “hetimi duhet të shtrihet në verifikimin e pretendimeve në mënyrë të barabartë në lidhje me trafikimin e organeve që thuhet të ketë ndodhur gjatë së njëjtës periudhë, një pjesë e saj në territorin shqiptar”. Në projektrezolutë i kërkohen veprime konkrete edhe EULEX-it, të cilit i kërkohet që të bashkëpunojë edhe me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Hagë. Po ashtu, ka një sërë kushtesh edhe për Serbinë, ku përveç çështjeve që kanë të bëjnë me trafikimin e pretenduar, shtrohet kërkesa e përsëritur për kapjen e të kërkuarve nga Haga.
Reagimi i Tiranës
Që në momentet kur doli raportuesi i KiE-së, Dik Marti, Tirana zyrtare i ka hedhur poshtë akuzat që kanë të bëjnë me praninë e së ashtuquajturës “Shtëpia e verdhë” në Mat, ku pretendohet se është bërë heqja e organeve për robërit serbë për të cilët thuhet se kanë ardhur nga Kosova. Këto akuza u klasifikuan në të njëjtën linjë me ato që kishte hedhur 7 vjet më parë prokurorja e Hagës, Karla del Ponte. Në atë periudhë erdhi një ekip i Prokurorisë Ndërkombëtare të Hagës dhe bëri ekzaminime në Mat, por nuk doli asnjë e dhënë konkrete zyrtarisht nga të dërguarit që u morën me këtë çështje. Del Ponte, pas largimit nga detyra, botoi një libër ku nxori të dhëna që ishin pjesë e hetimit.
Me rikthimin e debatit, pas daljes së raportit të Dik Martit, reagoi edhe Prokuroria e Përgjithshme, e cila deklaroi se nuk ka një kërkesë për hetim as nga Haga dhe as nga Serbia për këtë çështje. Madje, organi qendror i akuzës shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet. Ekspertë dhe ish-drejtues të Prokurorisë së Përgjithshme janë shprehur që të plotësohen kërkesat, qoftë nga Serbia apo Haga, për rihapje hetimesh në Mat apo gjetkë, në lidhje me pretendimet e ngritura nga raporti i europarlamentarit italo-zviveran Dik Marti.
TAKIMI
Raporti, BE-ja thërret ministrin Nishani
Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Komisionin Europian ka thirrur në një takim ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë, Bujar Nishani. Ndër pikat kryesore që janë në axhendën e bisedimeve përfshihet edhe raporti i përgatitur nga Dik Marti. Zoti Nishani ndodhet në Bruksel që prej ditës së hënë dhe sipas njoftimit zyrtar të KE-së, ai ka pasur takim me komisioneren Viviane Reding, për problematikat e dala pas raportit. Po ashtu, në qendër të bisedimeve janë edhe reformat në fushën e drejtësisë.
Qeveria shqiptare është shprehur e gatshme që të bashkëpunojë me të gjitha institucionet ndërkombëtare, në mënyrë që të sqarohen akuzat e ngritura nga pasuesi i prokurores Del Ponte.
Peticioni kundër Dik Martit, mblidhen firma në Elbasan dhe Durrës
ELBASAN – Pas Tiranës nis procesi i mbledhjes së firmave nga grupi nismëtar edhe në Elbasan dhe Durrës, për të përgatitur peticionin kundër raportit të Dik Martit. Me dhjetëra qytetarë reaguan ndaj të dhënave që u publikuan në këtë dokument, duke e konsideruar një mashtrim dhe një veprim që po njollos të drejtën e shqiptarëve në Kosovë. Përmes firmave të tyre, qytetarët i janë bashkuar nismës në një peticion të përbashkët, i cili shpreh hapur qëndrimin kundër raportit, ndërsa mbrojnë luftën e shqiptarëve në Kosovës dhe të UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë. “Na duket një gënjeshtër, një mashtrim, vetëm për të përbuzur popullin kosovar dhe në tërësi kombin shqiptar. Prandaj ne do të jemi kundër deri në fund, në përkrahje të UCK-së. Raporti është i pabazë. Do të nxijë gjithë arritjen e luftës së UÇK-së, të gjithë kombin tonë”, - u shprehen qytetarët në Elbasan. Mbrëmë kanë firmosur edhe qytetarët durrsakë. "Raporti i Dik Martit për përfshirjen e drejtuesve të UÇK-së në trafiqe dhe në afera të paligjshme është një sulm kundër pavarësisë së Kosovës", - u shpreh Mihal F., një nga firmëtarët e peticionit, duke shtuar se "dokumenti i paraqitur nga europarlamentari zviceran në Këshillin e Europës është një mënyrë e mirë që shqiptarët dhe bota e qytetëruar të rikujtojnë barbaritë që kryen paramilitarët serbë mbi popullsinë e pafajshme kosovare që jeton prej mijëra vjetësh në trojet e saj".
"Mjafton firma dhe karta e identitetit të çdo qytetari për t'u bashkuar me mijëra qytetarë të tjerë, që kanë firmosur këtë peticion edhe në Elbasan, Fier, Vlorë dhe Tiranë", - thanë drejtues lokalë të Partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDU), që kanë ndërmarrë këtë nismë në shkallë kombëtare, të cilët i janë bashkëngjitur iniciativës dhe UÇK-së.
Procesi i mbledhjes së firmave nisi që fundjavën e kaluar në kryeqytet dhe do të vijojë deri ditën që do të paraqitet në sesionin e dimrit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Përgatiti: Albert Gjoka
11 Janar 2011