Mungesa e faturave, Tatimet gjobisin me 5.4 milionë lekë bizneset
Ervin KOÇI
Viti 2010 u mbyll me një bilanc jo fort pozitiv për dhjetëra subjekte private në të gjithë vendin që si pasojë e neglizhencës në dokumentacion, janë gjobitur prej organeve tatimore. Në mjaftë raste Administrata Tatimore ka kapur dhe proceduar shumë subjekte të cilat nuk shoqëronin mallrat e tyre me kuponë tatimor ose nuk i pajisnin klientët me faturat fiskale për mallin e shitur. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nga kontrollet e ushtruara nga data 16 deri në 31 dhjetor 2010, janë zhvilluar 3430 kontrolle dhe janë marrë disa masa penalizuese si: 112 gjoba me vlerë 5.419.066 lekë. Sipas ligjit, të gjithë tatimpaguesit kanë detyrimin ligjor, që gjatë tregtimit dhe lëvizjes së mallrave duhet t’i kenë ato të dokumentuara me fatura tatimore të rregullta, ose fatura shoqërimi. Gjithashtu, tregtarët duhet të kenë të afishuar në mënyrë të qartë dhe të lehtë për konsumatoret listën e çmimeve të produkteve që ata tregtojnë, çka nuk e shohim në të gjitha njësitë tregtare.
Kontrollet
Administrata Tatimore, gjatë muajit dhjetor 2010 ka kryer aksione të befasishme në tregje dhe në akse rrugore për të kontrolluar mjetet që transportojnë mallra. Gjatë gjysmës së muajit të kaluar, në prag të festive të fundvitit janë monitoruar tregjet dhe rrugët, kjo për të shmangur evazionin fiskal dhe abuzimin me çmimet. Për afro dy javë, tatimorët kanë vënë miliona lekë gjoba dhe kanë bllokuar mijëra tonë mallra të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës. Rezultatet e kontrolleve të ushtruara gjatë këtyre ditëve nga Sektori i Zbatimit (Task-Force) i Drejtorisë së Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Sektorëve të Verifikimit në Terren të Drejtorive Rajonale Tatimore, kanë treguar se tatimpagues të caktuar kanë tentuar të përfitojnë, duke ju shmangur detyrimit të tyre ligjor për të dokumentuar mallrat e tyre me fatura tatimore. Të gjitha këto mallra janë konfiskuar.
Sekuestrimet
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, mallrat e konfiskuara gjatë kësaj periudhe janë: Artikuj të duhan-cigareve, 10.147 paketa pa faturë tatimore dhe 680 paketa pa pullë fiskale. Grurë 28.000 kg, sheqer 5900 kg, birrë 736 litra, aparate Digit-Alb 120 copë, vaj makine 830 litra, antifrize 193 litra, filtra ajri 50 copë, alkool frenash 58 kuti, aksesorë kuzhine 1140 copë, detergjente 128 kg, karrige dhe tavolina 12 komplete, bojë plastike 150 kg, artikuj ushqimore 274 koli. Artikuj të ndryshëm: industriale 77 copë, Red-bull 960 kanaçe, lëngje frutash 45 koli, Nescaffe 8 koli, tel enësh 95 qese, pantallona 22 palë, rrush i thatë 40 kg, sende zbukurimi 60 buqeta lulesh, 30.473 copë fishekzjarrë të ndryshëm, 27 pllaka melamine, aksesorë mobilierie 5 koli, suporte duralumini 80 copë, llamba neoni 450 copë, portollamba 500 copë, llamba të thjeshta 400 copë, vaj ushqimor 425 litra, Ujë natyral 1623 litra, lëngje të ndryshëm frutash 192 shishe 0,5 litra, kanaçe 72 copë 250 ml, suko (lengje frutash) 216 shishe 120ml, ujë tonik 96 kanaçe 150 ml, lëngje frutash 240 kanaçe 250ml, çaj 72 kanaçe 330 ml, verë 22.6 litra, kafe 1350 pako 50g secila, biskota 192 pako 250g secila, letër e lagur 4 koli, aparate celularë të rinj 12 copë.
Mbetjet e riciklueshme, Ministria e Mjedisit harton një ligj të ri
Politikat e Ministrisë së Mjedisit, synojnë krijimin e një kuadri ligjor të plotë në përputhje me direktivat e BE-së. Kjo tashmë përfshihet edhe në ligjin e ri për mbetjet që është në proces miratimi. Debati për mbetjet e riciklueshme, ka nisur pas miratimit nga qeveria të “listës së gjelbër” me 50 përbërës që mund të importohen, nga 400 të mundshmet, që ka lista e BE-së. Asnjë mbetje e listës së gjelbër nuk mund të importohet pa vendim qeverie.
Ministria e Mjedisit ka ritheksuar se ligji që pritet të miratohet së shpejti për menaxhimin e integruar të mbetjeve është në përputhje të plotë me standardet europiane. Sipas autoriteteve të kësaj ministrie, lista që është miratuar për riciklimin e mbetjeve në vendin tonë, është shumë e reduktuar, krahasuar me atë në vendet europiane. "Lista e miratuar nga ne përmban rreth 50 përbërës të mbetjeve, nga mbi 400 qe ka lista e gjelbër e BE. Pra, rreth dhjetë herë më pak. Mundësia ligjore për të importuar mbetje për qëllime riciklimi ka qenë që në vitin 2003, që është miratuar për herë të parë me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave. Nga ky vit deri tani ministria nuk ka informacion mbi mundësinë e abuzimit me këtë akt",- tha drejtor i Politikave në Ministrinë e Mjedisit, Pëllumb Abeshi. Projektligji është debatuar dhe kundërshtuar fuqishëm nga shoqëria civile, por ministria po punon për përcaktimin e zonave ku do të bëhet riciklimi i mbetjeve të vendit tonë, por edhe ato të importuara duke siguruar komunitetin se përpunimi i tyre nuk përbën asnjë rrezik.
Kryeministri Berisha, provon i pari teknologjinë “3G” në kryeqytet
Kryeministri i vendit, z. Sali Berisha kreu dje video-thirrjen e parë zyrtare me Drejtorin e Përgjithshëm të “Vodafone Albania”, z. Haris Broumidis. Kryeministri Berisha përgëzoi kreun e “Vodafone Albania” për fillimin e shërbimeve “3G”, çka ai e vlerësoi një arritje shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Ky është një moment shumë i rëndësishëm në historinë e telekomunikacionit të vendit tim, por gjithashtu është një hap shumë i rëndësishëm në prioritetet dhe përpjekjet tona për Shqipërinë dixhitale. Në një kohë shumë të shkurtër ju arritët të vinit në punë një nga sistemet më moderne të kohëve tona. Ju uroj dhe ju falenderoj shumë për gjithë suksesin tuaj të madh”,- tha Berisha. Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i “Vodafone Albania” i shprehu kryeministrit falënderimin që rezervoi kryerjen e video-konferencës së parë me të. Më tej ai u shpreh se me nxjerrjen në treg të “3G” në Tiranë dhe për 18 muaj në të gjithë territorin e vendit, Shqipëria hodhi një tjetër hap vendimtar drejt konsolidimit të urave të komunikimit të shoqërisë. "Sot, jemi më afër konceptit të ‘Fshatit Global’ ku largësia fizike është pothuaj se inekzistente dhe sferat sociale zgjerohen më tej. Që sot jemi një komunitet më i bashkuar"- tha Broumidis. Ai u shpreh i lumtur që përpjekjet e “Vodafone Albania” për të ofruar risitë më të fundit teknologjike janë plotësisht të integruara me objektivat e qeverisë për ta futur plotësisht Shqipërinë në epokën dixhitale. Rrjeti “3G” është aktualisht operativ në kryeqytet dhe rrethinat e tij.
INSTAT: Inflacioni shkoi në 3.4% në muajin dhjetor
Çmimet e konsumit gjatë muajit dhjetor 2010, si çdo vit tjetër, njohën një tendencë rritjeje. Rritjen më të madhe këto çmime e njohën në ditët e fundit të këtij muaji, çka përkon me festat e fundvitit, kur konsumi i këtyre produkteve ishte edhe më i lartë. Kështu sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, çmimet e konsumit në muajin dhjetor shënuan një rritje prej 2.2% krahasuar me muajin e mëparshëm. Sipas përllogaritjeve të këtij institucioni, inflacioni gjatë këtij muaji, llogaritet në masën 3.4%, normë kjo brenda parametrave të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.7%. Po sipas këtyre të dhënave, indeksi i grupit “Transport” shënoi një rritje prej 1.3%, ku gjatë muajit dhjetor çmimet e karburantit pësuan rritje dhe konkretisht çmimi i naftës me 4.2% dhe çmimi i benzinës u rrit me 4%.
Prodhuesit: Çmimi i bukës do të rritet më tej
Prodhuesit e bukës në tregun vendas paralajmërojnë një tjetër rritje të pashmangshme të çmimit të bukës. Sipas tyre janë disa faktorët që ndikojnë në ngritjen e çmimit të bukës. Me shtrenjtimin e produkteve bazë, siç janë çmimi i miellit, lënda djegëse, si dhe konkurrenca e pandershme në tregun vendas, një rritje e mëtejshme do të ishte e pandalshme. Ditët e fundit në disa prej qyteteve të vendit u vërejtën dhe rritjet e para me 10 lekë të çmimit të bukës masive. Këto rritje ishin më të dukshme në Qarkun e Korçës, ku për të disatën herë u shënuan abuzime me këtë çmim. Në qytetin e Pogradecit, Bilishtit dhe më pas edhe në Korçë u vërejtën rritje të çmimit të bukës. Rritja e çmimit nuk favorizon aspak konsumatorët shqiptarë, të cilët vazhdojnë të jenë preh e çmimeve të larta.
11 Janar 2011