PS-ja, gati ankimimi në Kushtetuese i ligjit “Për dosjet”
Partia Socialiste, gjatë kësaj jave, pritet të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese ankimimin e saj ndaj ligjit të dosjeve, të miratuar në mënyrë të njëanshme nga maxhoranca aktuale. Ligji në fjalë, i cili është kontestuar fuqishëm jo vetëm nga opozita, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë, SHBA-të dhe vendet e BE-së, ende nuk është dekretuar nga ana e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Por pavarësisht vendimit të presidentit Topi, selia rozë është e përgatitur për ta çuar deri në fund luftën institucionale ndaj ligjit të dosjeve. Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se ankimimi në Kushtetuese të ligjit të dosjeve do të bëhet menjëherë pasi ai të botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Vendimi i Partisë Socialiste për të ankimuar ligjin e dosjeve në Gjykatën Kushtetuese u bë publik nga selia rozë menjëherë pas miratimit të këtij ligji. Drejtues të saj thanë se PS-ja shprehte shqetësimin e saj të thellë për kalimin e ligjit, të ashtuquajtur për pastërtinë e figurës, me shumicë të thjeshtë, në mënyrë të njëanshme, duke shkelur të gjitha parametrat dhe përvojën europiane të hartimit të ligjeve të tilla në vendet që kanë dalë nga diktatura komuniste.
28 Janar 2009