E Diel, 1 Nëntor 2026

Ataku i merr jetën pushuesit nga Kosova



DURRËS – Një tjetër shqiptar nga Kosova ka gjetur vdekjen teksa lahej në det. Burimet policore bëjnë të ditur se pasditen e së mërkurës ka mbërritur i vdekur në Qendrën Shëndetësore të Lagjes Nr. 13 në Durrës, shtetasi Riza Lajqi, 70 vjeç, lindur e banues në Rugovë të Pejës. Sipas tyre, janë kryer veprimet e para hetimore lidhur me këtë rast, nga të cilat rezultoi se ky shtetas ka qenë duke u larë në det dhe në një moment nuk ka reaguar më. Të afërmit e kanë nxjerrë në breg dhe më pas e kanë transportuar në qendrën shëndetësore, ku ka mbërritur i vdekur. “Nga kryerja e ekzaminimeve të deritanishme mendohet se shkaku i vdekjes të jetë infarkti kardiak”, - thonë burimet zyrtare të Policisë. Sipas tyre, po vazhdon kryerja e ekzaminimeve të mëtejshme për saktësimin e shkakut të vdekjes. Që nga fillimi i sezonit ky është rasti i katërt ku pushues nga Kosova gjejnë vdekjen në qytetin e Durrësit, ku ndër shkaqet kryesore janë ataku kardiak apo mbytja në ujë.

“Vodafone Albania” sjell Facebook pa pagesë në celularin tuaj

TIRANË - A ju kishte shkuar në mendje se ekziston një mundësi për të aksesuar Facebook-un nga celulari juaj pa asnjë kosto për përdorim interneti. Tashmë një gjë e tillë është e mundur dhe ofrohet ekskluzivisht për të gjithë klientët e Vodafone Albania-s. Të gjithë abonentët e Vodafone në Shqipëri kanë mundësinë të përdorin “Facebook Zero” – një version i thjeshtuar dhe në formatin “tekst” i Facebook-ut, që është shumë i shpejtë dhe për më tepër është pa pagesë. Thjesht klikoni “0.facebook.com” në shfletuesin e internetit në celularin tuaj dhe ju do të keni akses falas në shërbimet më popullore të Facebook-ut, të tilla si rifreskimet e statusit, komentet, mesazhet dhe shumë të tjera. Përdoruesit kanë edhe mundësinë që vetëm nëpërmjet një klikimi të shikojnë foto apo të aksesojnë lidhje të tjera, por këto shërbime do të tarifohen me çmimet standarde të internetit dhe në çdo rast përdoruesi do të informohet se po kalon në një faqe me pagesë. Vodafone iu uron një verë të këndshme, plot me Facebook!

9 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›