Kampionati Botëror favorizon trafikun e makinave nga Afrika e Jugut
DURRËS – Megjithëse është shumë larg, kjo nuk i ka penguar shqiptarët që të hapin një rrugë të trafikimit të mjeteve motorike nga Afrika e Jugut, duke përfituar edhe nga atmosfera e ndezur që ka krijuar Kampionati Botëror i Futbollit. Pas disa tentativave të shfaqura në pikat kufitare shqiptare, rasti më i fundit i trafikimit të mjeteve motorike nga kontinenti afrikan është regjistruar një ditë më parë. Burimet policore bëjnë të ditur se nisi hetimi në gjendje të lirë ndaj shtetasit S. A., 40 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Valikardhë të komunës së Zerqanit në rrethin e Bulqizës. Sipas tyre, 40-vjeçari është paraqitur dy ditë më parë, rreth orës 13:00, në sportelin e dhënies së lejeve provizore të qarkullimit në Portin e Durrësit me praktikën e zhdoganimit të mjetit kamion, tip “Fiat OM”, me targë MN 240593. Ai ka kërkuar një leje provizore qarkullimi për kamionin. Por kaq ka mjaftuar që policia të nisë procedurën e verifikimit. Sipas të dhënave që dolën nga verifikimi rezultoi se ky mjet është denoncuar i vjedhur para shumë kohësh. “Nga ana jonë u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të mjetit dhe dokumentacionit të tij dhe materialet për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorike iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës”, - thotë zëdhënësja e Policisë së Durrësit, Ornela Cako.
Vetëm gjatë dy muajve të fundit janë regjistruar të paktën 4 raste të trafikimit të mjeteve motorike nga Afrika e largët drejt Shqipërisë.
Kanos vëllanë, nisin hetimet në gjendje të lirë
DURRËS – Konflikti mes dy vëllezërve ka përfunduar në polici, e cila ka nisur hetimet në gjendje të lirë ndaj autorit të krimit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit E. Z., 45 vjeç, lindur e banues në Lagjen Nr. 8 në qytetin bregdetar, me arsim të lartë. Sipas tyre, pasditen e së mërkurës, 45-vjeçari ka kanosur vëllanë e tij I. Z., 49 vjeç, banor në të njëjtën lagje. Materialet hetimore i kaluan për ndjekje prokurorisë.
9 Korrik 2010