Procesi i Gërdecit dhe viktima reale
Qindra banorë të Gërdecit ndoqën dje me drithërimë skenën e komunikimit të akuzave për disa ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe natyrisht mbetën të pakënaqur me atë që dëgjuan. Zemërimi i tyre nuk kërkon shumë shpjegime. Ata kanë para sysh 26 arkivole, dhe mijëra probleme që kanë shoqëruar shkatërrimin e jetës së tyre. Por, përtej zemërimit të tyre, serioziteti me të cilin duhet hetuar dhe gjykuar Dosja e Gërdecit nuk ka të bëjë vetëm me viktimat. Ajo në radhë të parë ka të bëjë me standardet e shoqërisë sonë dhe aftësinë që ne kemi për të reflektuar ndaj asaj që ka ndodhur. Dosja e Gërdecit nuk është aksident teknologjik, nuk është gabim njerëzor dhe nuk është as vetëm histori korrupsioni. Ajo është një biopsi e marrë nga trupi i kalbët i shtetit shqiptar që tregon nivelin e depërtimit të metastazave të korrupsionit dhe tribalizmit në shtet. Ajo është një histori e pastër korrupsioni, e cila ka prodhuar papërgjegjshmëri, shtet tribal, dhe në fund gjak dhe viktima. Për këtë arsye, gjykimi mbi të nuk mund të jetë aq i thjeshtë sa ç’gjykohen këto fenomene secila më vete. Ushtarakët që janë aty përgjegjës nuk mund të gjykohen vetëm si shkelës të rregullave teknike, por dhe si ushtarakë që me vetëdije ose nën presion i kanë hapur rrugë një shteti tribal. Ministri Mediu nuk mund të gjykohet si njeri që vetëm firmos çfarë i vënë përpara vartësit apo çfarë i thonë shefat, ngaqë është njeri i paditur. Ai duhet të gjykohet si njeriu që ka lobuar kontratën, që ka qëndruar së paku 5-6 muaj nga mëngjesi në darkë me djalin e kryeministrit dhe biznesmenët e tjerë që përfituan kontratën, si njeriu që e ka patur në kokë planin e përfitimit financiar nga ky akt, dhe që i ka hapur rrugë me vetëdije mospërfilljes së shtetit ligjor, derisa në fund shkaktoi tragjedinë. Unë e kuptoj atë gruan me të zeza që ankohej dje nga Gërdeci se kërkon drejtësi për djalin e vrarë duke parë “Bang-Bang”, e kuptoj atë nënë që kërkon djalin 32-vjeçar që s’i kthehet më, apo gruan që ka humbur burrin, por zemërimi i tyre është shumë më pak i rëndësishëm se sa precedenti që do të krijohet në histori, nëse këta njerëz nuk bëhen realisht model i ndëshkimit të zyrtarëve të korruptuar të shtetit. Në asnjë rast tjetër në historinë e këtij vendi një tragjedi e vetme nuk ka shërbyer si blic që ndriçon gjithë batakçillëkun e shtetit. Flaka e Gërdecit na zbuloi në një të qindtën e sekondës mungesën e shtetit ligjor, korrupsionin e familjes në pushtet, kapjen e shtetit nga mafia, mungesën e institucioneve financiare, mungesën e institucionit të policisë, mungesën e shërbimit inteligjent, mungesën e sigurisë kombëtare etj. Tashmë, një vit më pas, rrezikon të na dëshmojë dhe paaftësinë tonë për të reflektuar, për të gjykuar vetveten dhe për të krijuar standarde sigurie, së paku përmes ndëshkimit.
Procesi i Gërdecit nuk është një proces nga i cili pritet drejtësi vetëm për viktimat që nuk jetojnë. Ajo do të ishte më e pakta. Nëse ky proces dështon, të pasigurt jemi ne që kemi mbetur gjallë. Nëse ky proces nuk bëhet shembull i vendosjes së drejtësisë, të pasigurt dhe të ndëshkuar janë 4 milionë shqiptarë, të cilët pas kësaj e kanë shumë të vështirë të detyrojnë shtetin e tyre të jetë korrekt me ta.
Ne nuk presim thjesht të dënohet Sali Berisha apo djali i tij, po presim që asnjë kryeministër tjetër të mos guxojë pas këtij procesi që të fusë djalin në trafikun e armëve, të lobojë ligje e vendime qeverie, të punësojë në këto punë të pista gjithë njerëzit e shtëpisë së vet, deri dhe djalin e pastrueses së shtëpisë, dhe në fund të thotë s’kam gisht në këtë çështje. Ne nuk presim të dënohet thjesht Fatmir Mediu, por presim që pas këtij procesi çdokujt që kërkon të merret me politikë në Shqipëri, të mos i shkojë mendja që ditën të rrijë me trafikantë droge dhe në mbrëmje me diplomatë, udhëtimet t’i bëjë me vrasës dhe killer të shumëkërkuar dhe në fund në mbrëmje të shkojë në kancelari perëndimore, që të jetë kokëbosh dhe vulgar në formimin e tij dhe të mbajë peng politikën si sekser i grupeve të interesit, që të jetë një milioner pa punuar asnjë ditë dhe në fund të dalë pa u lagur nga një histori korrupsioni që ka prodhuar së paku 26 arkivole.
Ne nuk duam që nga ky proces të dënohen doemos ushtarakë, por duam që pas këtij procesi gjeneralët e mbetur shqiptarë të mos u hapin rrugë batakçinjve që vijnë nga rruga përmes politikës që të hedhin në erë shtetin. Nëse secili do të bënte punën e vet, Gërdeci s’do të kishte ndodhur, por, ngaqë të gjithë iu nënshtruan pushtetit tribal të një familjeje, ne jemi sot para një procesi gjyqësor, i cili duhet t’i bëjë gjyq ndërgjegjes së humbur të shtetit shqiptar. Ai nuk është gjyq për viktimat, dhe as për fajtorët. Viktima reale e Gërdecit është vdekja e shtetit shqiptar në emër të pushtetit dhe gjyqi duhet të rivendosë drejtësinë.