E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi i amerikanëve rikthen debatin mes Flamurit dhe Bogdanit

Nga Antena brenda familjes

Sondazhi i Zogby International ose, siç i thotë shkurt Flamuri, sondazhi i atyre amerikanëve, ia prishi sërish ditën dje. Ai burri për fat nuk dha ndonjë porosi për koment dhe Flamuri vendosi ta diskutonte privatisht me Bogdanin sondazhin.

- Në shumë gjëra njësoj si ai sondazhi që bëm bashkë është, - i tha. - Ja, PS ne e tham 37 dhe ata 37. LSI ne e tham 5 deri 6 dhe ata aq e dhan. Vetëm te PD ndryshon puna. Ne e tham 48, ata e than 31. Si është kjo punë?

- Unë mendoj se jemi në rregull, - tha Bogdani. -Sondazhi njësoj është. Ata kanë lënë 19 për qind të pavendosur. D.m.th., na kan heq ne të vendosurit dhe i kanë bërë të pavendosur. Dhe na kan zbrit nga 48 në 31. Nuk e ha njeri atë. Pse, ku e dinë ata për kë do votojnë të pavendosurit? Të gjithë e dinë që për ne do votojnë.

- S’besoj, - tha Flamuri, - se janë këta militantët që kemi lënë pa punë nja dhjetë për qind dhe ata s’na votojnë më.

- Do votojnë, se s’kanë për kë votojnë, - i tha Bogdani.

- Janë dhe këta pronarët e mërzitur, - tha Flamuri, - as ata s’na votojnë. Kanë inatin me atë Mediun që kemi në koalicion.

- Do votojnë, se s’kanë ku të shkojnë, - tha Bogdani.

- Janë dhe këta të persekutuarit, janë mërzitur shumë, - tha Flamuri, - s’di për kë do votojnë.

- Për ne do votojnë, s’kanë për kë votojnë, - tha Bogdani.

- Ti e paske në terezi, - tha Flamuri, - i bie shkurt. Gjithë të pavendosurit na i bëre me ne. Po me se do t’i gënjejmë o burrë? Se ju thoni një fjalë e ikni, po hallet i kam unë, se tek unë vijnë të gjithë.

- Kam unë një plan si do t’i kthejmë, - tha Bogdani. - Do ta ndryshojmë fletën e votimit dhe do themi ka tre opsione votimi. Kush është me PD, t’i vërë një plus, kush është kundër, t’i vërë një minus, kush nuk e do fare, t’i vërë një kryq. Kështu, në të tri rastet ata do vënë shenjë te PD dhe ne i marrim ato vota. Po vunë dhe te PS, është e pavlefshme.

- Kjo qenka ide e mirë, - tha Flamuri. - Po kjo puna që Edi Rama del më mirë se ai burri si shpjegohet? Rrugë bën Rama, rrugë bën dhe ai, buxhet ka Rama, buxhet ka dhe ai.

- Rama ka favor, se s’ka familje, - tha Bogdani, - s’ka gru, s’ka vajzë, s’ka dhëndër, s’ka baxhanak… Ka vetëm një çun adoleshent. Ai s’i prish akoma punë. Ta shikosh ti atë, kur t’i rritet çuni, ç’i bën. Jo Gërdec, por Hiroshimë ka për të bërë. Pastaj do ta kërkojnë këtë burrin sa i mirë ishte.

- Ti mendjen te familja e ke, - i tha Flamuri. - S’gjen dot ndonjë arsye tjetër?

- S’ka arsye më të fortë se familja, - tha Bogdani. - Ajo të merr më qafë në Shqipëri. Kështu ka qenë gjithmonë. Aty e ka favorin ai ndaj këtij burrit. Po s’kemi ç’i bëjmë tani.

- D.m.th., sipas teje, po fitoi ky Edi Rama, ne paskemi shans ta mundim, kur t’i bëhet djali 33 vjeç sa Shkëlzeni. Pse s’thua ti na mori lumi, se ai s’ka mbush akoma 17. Dashkemi dhe nja 16 vjet në opozitë po e mori, d.m.th., katër mandate.

- Gjatë qenka, - tha Bogdani. - Ishallah piqet më shpejt ky i Ramës që të bëj zullume më parë, se gjatë qenka. Dhe unë nuk kam hall se fiton Rama, po kush i duron ata të shtëpisë së gruas sime, se janë të gjithë me Ramën dhe s’do shkoj dot në shtëpi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›