E Diel, 1 Nëntor 2026

Procesi i koncesioneve të mëdha do të vazhdojë me shpejtësi dhe transparencë

- Kryeministri Berisha: “Ambicia jonë është Shqipëria një prodhues serioz e i rëndësishëm i energjisë nga burime të ndryshme.”

Kryeministri Berisha tha sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se  qeveria do të vazhdojë me shpejtësi dhe transparencë procesin e koncesioneve të mëdha.

Kryeministri Berisha përmendi disa nga koncesionet e rëndësishme në porte dhe në fushën energjetike. “Janë një seri ofertash shumë të rëndësishme për portet, për kaskadën e Vjosës që do të kalojë në tender ndërkombëtar dhe për të cilën është marrë një kompani konsulente e veçantë që po përgatit termat e tenderit, po rishqyrtohet Skavica, në mënyrë që të optimizohet prodhimi më i madh, me përmbytjen më të vogël, pasi kostoja e përmbytjeve e është shumë planesh, jo vetëm monetare, por edhe sociale, njerëzore, e shumanshme. Për këtë arsye, nga situata fillestare që gjetëm, qëndrimi ynë ka evoluar dhe ndryshuar. Ne do t’ia ofrojmë Skavicën konsorciumit apo kompanisë që do të ketë projektin e prodhimit më të madh dhe përmbytjes më të vogël.”

Kryeministri Berisha theksoi Shqipëria synon të jetë një prodhues serioz e i rëndësishëm i energjisë nga burime të ndryshme dhe këto koncesione do të shtojnë burimet energjetike në vend.

“Uroj që çmimi i naftës të mos kthehet në diktat për politikat botërore të energjisë, ndonëse nuk mund të mohohet se ka një rol qendror, por me rritjen që pati, të paktën, fuqizoi shumë domosdoshmërinë e diversifikimit të burimeve energjetike. Kështu, ne do të vazhdojmë me koncesionet, por mbi baza të një transparence të plotë. Këto janë projekte të mëdha që shkojnë nga gjysmë miliard, në 1 miliard euro dhe kanë meritën e madhe të shtimit të burimeve dhe të ecjes drejt shndërrimit të vendit në një superfuqi të vogël energjetike. Ambicia jonë është Shqipëria një prodhues serioz e i rëndësishëm i energjisë nga burime të ndryshme,” u shpreh Kryeministri.


22/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›