Kryeministri Berisha takon Zëvendës/Drejtoreshën e UNESCO-s, Znj. Fransua Riviere
Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Zëvendës/Drejtoreshën e UNESCO-s, Znj. Fransua Riviere dhe Presidenten e Komitetit Ekzekutiv të UNESCO-s, Znj. Aziza Bennani.
Kryeministri Berisha u shprehu mirënjohjen e thellë për hyrjen e qytetit të Beratit në pasuritë e njerëzimit, të mbrojtura nga UNESCO duke e konsideruar ditën e pranimit të Beratit në UNESCO si një eveniment historik i cili hapi një kapitull të ri për këtë qytet.
Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se Berati si e gjithë Shqipëria është një vend me një pasuri të madhe historike dhe kulturore dhe se qeveria shqiptare dhe institucionet e saj do të bëjnë çdo gjë dhe do të ndërmarrin çdo hap për të mbështetur ruajtjen dhe promovimin e këtyre pasurive dhe për këtë ka një bashkëpunim konstant dhe të frytshëm me vendet mike të cilat kanë një angazhim në mjaft site arkeologjike në vend.
Zëvendës Drejtoresha e UNESCO-s, znj Fransua Riviere falënderoi Kryeministrin Berisha për ndjeshmërinë e madhe dhe mbështetjen që ka treguar për procesin e pranimit të Beratit në UNESCO dhe i shprehën sigurinë se UNESCO do të lartësojë imazhin e këtij qyteti në botë edhe për faktin se ky qytet është një dëshmi se si njerëzit dhe kulturat mund të jetojnë në harmoni dhe tolerancë, vlera këto për të cilat bota sot ka nevojë më shumë se kurrë.
Më tej ajo shtoi se për UNESCO-n nuk ka vende të vogla por ka popuj me kulturë dhe histori dhe se pikërisht kultura mund të jetë një tjetër shtysë për të ndihmuar politikën dhe ekonominë botërore.
Në këtë kuadër, theksoi ajo, Shqipëria me pasurinë e saj kulturore dhe me ndihmën e UNESCO-s do të kthehet në një pol shumë të rëndësishëm ekselence për arkeologjinë, restaurimin dhe ekspertizën si dhe në një qendër rajonale prestigjoze në turizmin kulturor me kualitet të lartë.
22/10/2008