E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Berati, pasuri kulturore mijëravjeçare e njerëzimit

- Kryeministri u shpreh se qeveria do të shumëfishojë fondet dhe financimet për qytetin e Beratit

Në vazhdim të vizitës së tij në qytetin e Beratit, Kryeministri Berisha u takua me studiues, historianë dhe qytetarë beratas, në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha prehu urimet dhe vlerësimin më të madh për regjistrimin e qytetit mijëra vjeçar në pasurinë kulturore të njerëzimit.

Duke folur për vlerat e mëdha kulturore që mbart ky qytet, Kryeministri u shpreh se qeveria do të shumëfishojë fondet dhe financimet për këtë qytet. “Ju kërkoj të bashkëpunoni me studiot më të mira vendase dhe të huaja, në mënyrë që qytetin ta zhvillojmë në harmoni të plotë”, u shpreh Kryeministri.

Nga ana e saj, zëvendësdrejtorja e Përgjithshme të UNESCO-s znj. Fransuas Riviere u shpreh se Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e 32-të të tij, në muajin korrik 2008, vendosi anëtarësimin e Beratit në listën e trashëgimisë kulturore botërore, si shembull i rrallë i ruajtjes dhe konservimimit të vlerave kulturore. Më tej, ajo u shpreh se Beratin dhe Gjirokastrën i konsideronte si simbole të fuqishme të vlerave të trashëgimisë njerëzore. “Këto dy qytete formojnë një ansambël të jashtëzakonshëm, që nuk lidhet vetëm me bukurinë e tyre të admirueshme, por përbëjnë edhe një dëshmi të vlerave njerëzore në larmishmërinë e saj”, u shpreh zëvendësdrejtorja e Përgjithshme të UNESCO-s.     

Më tej, Kryetari i Bashkisë së Berati z.Fadil Nasufi falënderoi Kryeministrin Berisha për kujdesin e vazhdueshëm dhe investimet që qeveria ka kryer në qytetin e Beratit.

Me këtë rast u shpërndanë tituj qytetarë nderi për personalitetet e fushave të ndryshme, për kontributin e tyre në konservimin, zhvillimin dhe promovimin e vlerave të qytetit të Beratit.

Më tej, Kryeministri Berisha i shoqëruar nga zëvendësdrejtorja e Përgjithshme të UNESCO-s znj. Fransua Riviere, nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z.Ylli Pango, drejtues të pushteti vendor, etj.. ndoqën një koncert simfonik.

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh;

“21 tetori është dhe do të mbetet një ditë historike për këtë qytet të bekuar, për qytetarët e tij të mrekullueshëm, por edhe për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët. Sot, më datë 21 tetor ne vendosëm Beratin në kurorën e margaritarëve të trashëgimisë kulturore të njerëzimit.

Zoti e bekoftë Beratin!

Faleminderit shumë UNESCO-s. Kjo përbën një arritje të madhe, ndaj dua të falënderoj nderoj të gjithë ata, të cilët me dashuri dhe përkushtim bën të mundur këtë arritje të madhe, bën të mundur që ky qytet rreth 2500 vjeçar të hapë sot një kapitull të ri në historinë dhe të ardhmen e tij, të rreshtohet në monumentet më të arrira të shoqërisë njerëzore.

Një falënderim të veçantë dua t’i bëj ekipit të studiuesve, historianëve, restauratorëve vendas dhe të tuaj, Prof. Emin Rizës dhe shumë profesorëve të tjerë. Janë këta njerëz të mençur, këta studiues dhe shkencëtarë që përgatitën dosjen në mënyrën më serioze dhe e bënë atë të përzgjedhshme nga mbarë komuniteti botëror. Një falënderim dua t’i bëj dhe ambasadores tonë në UNESCO, e cila ka përmbushur me përgjegjësi të madhe, me përkushtim dhe me dashuri këtë mision..

Por, sot falënderimi më i madh u takon burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave të Beratit, të cilët i dhuruan këtë qytet trashëgimisë kulturore të njerëzimit. Një falënderim i veçantë u takon beratasve të të gjitha kohërave që me gjeninë e tyre krijuese, me shpirtin dhe me dashurinë e tyre bënë që qyteti të mbijetojë jo me shekuj, por me mijëvjeçarë. Ata bënë që qyteti, në shekuj dhe mijëvjeçarë, të rrisë vlerat e tij, t’i konservojë ato dhe t’i përcjellë nga brezi në brez. Sot, këto vlera i kalojnë mbarë njerëzimit. Por, pa veprën e qytetarëve të Beratit, pa gjeninë krijuese, pa dashurinë e tyre të pakufishme për këtë qytet asgjë nuk do të ishte e mundur sot.

Qytetit është një larmi vlerash mahnitëse në çdo pjesë të tij. Të vizitosh kalanë sheh aty jo vetëm historinë, por edhe shpirtin e kombit tonë. Një nga shkollat më të njohura të ikonografisë evropiane dhe botërore u krijua dhe zhvilloi aty historinë. Por, kalaja nuk simbolizon vetëm qëndresën dhe përpjekjet e beratasve dhe shqiptarëve për të ruajtur identitetin e tyre, por ajo simbolizon më shumë se çdo gjë tjetër shpirtin bardhë dhe shpirtin e madh të beratasve dhe shqiptarëve. Ka shumë gjëra të çmuara në kala, por njëra prej tyre është e vogël dhe e çmuar sa gjithë të tjerat. Ikona me të cilën artisti i beratit shekuj më parë ka pikturuar kishën, katedralen dhe xhaminë me minaren e saj. Foton e kësaj ikone unë e paraqita e paraqita si kryefjalën time para kryetarëve të shteteve dhe qeverive në Samitin për Bashkimin për Mesdheun. Ajo ikonë dëshmonte se ç’ka qenë dhe ç’mund të bëhet Mesdheu dhe ky shembull vinte nga Shqipëria, nga Berati.

Mangalemi i dha qytetit emrin me arkitekturën e tij mahnitëse, me dritaret që vendosen mbi njëra tjetrën, dëshmi e vlerave të përsosura njerëzore. E tëra në të bardhë. Qyteti i bardhë është quajtur sepse në të gjitha kohërat ka ruajtur ngjyrën tonë. E bardha është ngjyra e shpirtit të shqiptarëve, është ngjyra me të cilën ata janë dalluar nga të gjithë të tjerët në identitin e tyre.

Gorica, një kopje e Mangalemit në bregun tjetër, njësoj sikur të ishte reflektimi në pasqyrë në shpatin tjetër të malit. Qendra historike të Beratit është dëshmi e një qyteti të fuqishëm me një rrezatim të madh jo vetëm në jugun e vendit, por në mbarë rajonin.

Zoti kryetar i Bashkisë, ju thatë se ky moment historik shton shumë përgjegjësitë për ju, por shton njëkohësisht dhe përgjegjësitë e mia para qytetarëve të Beratit. Le të marrim një përgjegjësi shumë më të madhe sesa për Beratin dhe për Shqipërinë, të marrim përgjegjësi përpara njerëzimit që Beratin ta mbrojmë dhe ta zhvillojmë në të gjitha aspektet, në traditën e tij më të shkëlqyer. Por, aq sa e madhe është përgjegjësia, aq të mëdha janë dhe mundësitë tona. Unë ju garantoj ju zoti kryetar i Bashkisë se qeveria që unë kryesoj do të shumëfishojë fondet dhe financimet për këtë qytet. Kërkoj nga ju të bashkëpunoni me studiot më të mira vendase dhe të huaja në mënyrë që qytetin ta zhvillojmë në harmoni të plotë. Një seri projektesh janë, projekte të tjera i mirëpresim dhe qyteti do të njohë zhvillime shumë të mëdha.

Unë dua të siguroj qytetarët e Beratit se boshti i jugut do të bëhet realitet. Unë jam njeri që persistoj në ato që besoj. Kam ardhur këtu 12 vjet më parë me ish presidentin e Bankës Botërore z. James Wolfsohn, një mik i çmuar i Shqipërisë dhe i kam premtuar qytetarëve të Beratit se më këtë mik dhe me të tjerë do të bëjmë çdo përpjekje që Berati të fitojë dhe të shpallet pasuri kulturore e njerëzimit. Pas 12 vitesh, ky premtim sot është realitet.

Kam premtuar boshtin e jugut dhe do ta bëjmë realitet sepse ai është një bosht jetik jo vetëm për beratin, por për të gjithë jugun e Shqipërisë. Ai së bashku me autostradën Kardhiq- Delvinë, afron me më shumë se 100 km Sarandën me Tiranën dhe i jep Beratit të gjitha fuqitë që ai ka pasur.

Berati nuk ka qenë ndonjëherë pa akse kryesore, pavarësisht se sot kanë ndryshuar mjetet. Ndërkohë me ndryshimin e mjeteve ne do të ndryshojmë dhe aksin, duke e bërë Beratin një nga qendrat më të fuqishme të zhvillimit të këtij rajoni.

Por, sado që të bëjmë ne për Beratin nuk do të arrimë kurrë të bëjmë atë që keni bërë ju qytetarë të mrekullueshëm të Beratit. Vlerat e mëdha, më të shquara dhe më fisnike të këtij qyteti, jeni ju, të nderuar qytetarë, me shpirtin tuaj punëtore dhe tolerant, me vizionin tuaj për të sotmen dhe të ardhmen e këtij qyteti të mrekullueshëm. Edhe një herë ju uroj gëzuar dhe ju shpreh kënaqësinë time më të madhe, ndaj gëzimin tim me ju për këtë ditë të bekuar.

Faleminderit!”


21/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›