E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Do të shfrytëzojmë praktikat e 20 vendeve më të mira, në përgatitjen e kuadrit ligjor për të luftuar korrupsionin në sektorin privat

- Kryeministri Berisha: Nuk do të lejojmë korrupsionin në sektorin privat dhe do të nxisim konkurrencën

Në mbledhjen e sotme të këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u shpreh se objektivi numër një në programin e luftës kundër korrupsionit duhet të nxirret nga praktikat më të mira të vendeve të cilat qëndrojnë në krye të renditjes së “Transparent International”.

Kryeministri tha se kuadri ligjor i luftës kundër korrupsionit në sektorin privat, duhet të plotësohet në përputhje me konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit.  “Zotërinj ministra, objektivi numër 1, në programin në Luftën kundër korrupsionit duhet të nxirret nga praktikat më të mira të 20 vendeve më të mira. Duhet ti instalojmë këto praktika, duhet ti vëmë në jetë, që të kenë rezultate. Sikundër paralelisht me të dhe gradualisht në përputhje me konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit, duhet të plotësohet i gjithë kuadri ligjor për sektorin privat.”

Duke u ndalur tek lejet e ndërtimit, Kryeministri tha se do të ketë një afat, zgjatja e të cilit për shkak të burokracisë synon parapërgatitjen e terrenit për ryshfetin

“Për sa i përket lejeve të ndërtimit, nuk do të ketë më 15 % se në mënyrë absolute do të ketë automatikisht të drejtën e ndërtimit në qoftë se i mohohet në kundërshtim me planin, në qoftë se i zgjatet për shkak të gjobës. Do të ketë një afat. Zgjatjet e afatit janë procesi i  vjeljes së gjobës. Prapa çdo zgjatje afati të burokracisë, të paktën në 90 % të rasteve qëndron ai proces që synon parapërgatitjen e terrenit për ryshfetin. Heshtja konsiderohet miratim.”

Duke e cilësuar të domosdoshme përqendrimin e qeverisë me të gjithë potencialin e saj në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, kryeministri u shpreh se nuk duhet që qeveria të injorojë korrupsionin në sektorin privat, i cili mund të dëmtojë rëndë  konkurrencën e lirë dhe qytetarët. “Është shumë normale që qeveria të përqendrohet në të gjithë  potencialin e saj në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, por do të ishte e pafalshme në se qeveria injoron korrupsionin në sektorin privat, sepse prej tij mund të vuajë konkurrenca që është problemi më madhor. Prej tij mund të viktimizohen qytetarët.”

Kryeministri kërkoi nga Ministri i Financave dhe ai i Ekonomisë vëmendjen maksimale përe të zbuluar shfaqet e kartelizmit, kudo që ato të kenë tendencë për tu krijuar, si pengesë madhore për qytetarët.

“Zoti Ministër i Financave dhe Ministër i Ekonomisë, të cilët duhet të zbulojnë shfaqet e para të kartelit, kudo që të ketë tendencë për tu krijuar, sepse ato u qëndrojnë si saç qytetarëve. Ne kemi vepruar drejt që jemi përqendruar totalisht në sektorin publik dhe sërish do të mbetemi të përqendruar pothuaj totalisht në sektorin publik , por nuk mund të injorohet më tej, nën dritën e zhvillimeve aktuale evropiane dhe botërore, sektori privat. Konventa e organizatës së kombeve të Bashkuara që ne e kemi ratifikuar është një dokument i shkëlqyer, e cila përcakton kuadrin e domosdoshëm ligjor për luftën kundër korrupsionit dhe në sektorin privat.”


22/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›