E Diel, 1 Nëntor 2026

Procesi për zgjedhjen e presidentit të ri-Kurti: Opozita e interesuar për bllokimin e qeverisjes sonë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se partitë opozitare janë të interesuara vetëm për bllokadë politike e jo për një zgjidhje konkrete për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Gjatë një konference për mediat, pas mungesës së tri herëve radhazi të deputetëve të opozitës në seancat e jashtëzakonshme të Kuvendit për zgjedhjen e kreut të shtetit, Kurti tha se “e gjithë kjo bllokadë nuk mund të quhet ndryshe veçse mosnjohje e rezultatit zgjedhor, të shprehur qartë më 28 dhjetor, si asnjëherë më parë.”

“Është bërë e qartë se opozita nuk ka qëllim tjetër përveçse bllokimit. Ajo është e interesuar për bllokimin e qeverisjes sonë. Në këto rrethana, e gjithë kjo bllokadë nuk mund të quhet ndryshe veçse mosnjohje e rezultatit zgjedhor, të shprehur qartë më 28 dhjetor, si asnjëherë më parë”, tha Kurti.

Ai shtoi se dëshmi tjetër e qartë e kësaj qëndrese është edhe mobilizimi i plotë i opozitës, përfshirë Listën Serbe, kundër rishikimit të buxhetit për pakon ekonomike në favor të qytetarëve, ndërsa për çështjen e Presidentit ata as që paraqiten në sallë.

“Vendit nuk i duhen bllokada politike, siç ndodhi gjatë 10 muajve të fundit. Me besim të plotë se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, vendit do t’i humbnim edhe 10 milionë euro vetëm për organizimin e tyre, pa llogaritur dhjetëra miliona të tjera nga marrëveshjet e tjera. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet që të mos shkojmë në zgjedhje të përsëritura e të panevojshme”, theksoi ai.

Kurti u shpreh se ka qenë pikërisht ai që ka ofruar zgjidhje konkrete, duke përfshirë propozime për President, të cilat janë refuzuar nga partitë opozitare.

“As PDK e as LDK nuk kanë deputetë të mjaftueshëm për të propozuar kandidat të tyre. LDK mund të propozojë një gjysmë kandidati, pasi ka 15 deputetë, ndërsa nevojiten 30. PDK mund të propozojë 2/3 e një kandidati me 22 deputetë. Të dyja bashkë mund ta propozojnë një kandidat. Ne u thamë: le të bëhemi bashkë, propozoni tre kandidatë – ju emrat, ne mbështetjen në seancë plenare. Asnjë propozim. E shtymë afatin për t’u dhënë kohë shtesë, por u refuzua sërish”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, nëse nuk arrihet marrëveshje, vendi rrezikon të hyjë në një cikël zgjedhjesh të njëpasnjëshme, gjë që do të sillte kosto të lartë ekonomike dhe institucionale për Kosovën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›