Procesi zgjedhor dhe perfaqesimi i KQZ

Të gjitha partitë politike në Shqipëri kanë përgjegjësi për të punuar në një mënyrë që garanton një funksionim të pavarur të KQZ-së. Kështu u shpreh raportuesi i Këshillit të Europës për Shqipërinë Jonathan Evans, në një intervistë për Zërin e Amerikës. Ai shtoi se kampet politike në vend duhet të sigurojnë që rezultatet e zgjedhjeve të jenë të lira, të drejta dhe të pranueshme.
“Mendoj së dihet gjerësisht që vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një rol themelor në garantimin e mbajtjes së zgjedhjeve të drejta. Prandaj të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi për të punuar në një mënyrë që garanton faktin që KQZ-ja të kryejë funksionet e saj në mënyrë pavarur dhe që rezultatet e zgjedhjeve, kur të vijë momenti, të jenë të lira, të drejta dhe të pranueshme nga populli. Unë e di që ka persona që kanë shprehur gjykimin e tyre nëse këto ndryshime duhet të kishin ndodhur dhe nëse duhet të bëhen vërejtje ndaj partive politike, duke sugjeruar se çfarë duhet të bëjnë partitë, por nuk na takon ne të bëjmë sugjerime të tilla”, u shpreh ai.
Anëtari i parlamentit britanik Jonathan Evans theksoi se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë vendimtare për përfundimin ose jo të procedurës së monitorimit të Këshillit Europian si dhe për ecurinë e integrimit të Shqipërisë në BE.