Në 23 qershor, qytetarët do të votojnë kundër bllokimi dhe pro zhvillimit

Ministri i Drejtësisë, Halimi reagon pas akuzave të kreut të PS për Gjyqësorin
Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi reagoi sot pas akuzave të kryesocialistit Edi Rama për qeverinë dhe sistemin gjyqësor, duke deklaruar se, Rama bllokoi ligjet për sistemin e drejtësisë. Në rrjetin social "Facebook", Halimi shprehet se, “përgjatë këtyre viteve ai ka sulmuar gjyqësorin drejtpërdrejt si asnjë lidër i opozitës në botë”. Sipas tij, Rama sulmoi Kolegjin Zgjedhor duke i quajtur shurdhë dhe qorra, sepse ata kërkuan të numërohet çdo votë e hedhur nga qytetarët e Tiranës,të përkrahur plotësisht nga Komisioni i Venecias. "Të jemi të qartë, sistemi gjyqësor, është i pavarur, por ja çfarë ka në dore dhe çfarë ka kërkuar të bëjë qeveria. Qeveria ka në dorë të hartojë projektligje për të reformuar sistemin, por ligjet për gjykatat janë me 3/5. Qeveria hartoi vetëm vitet e fundit, më shume se 12 ligje për reformën dhe progres raporti i vjetshëm i BE e quajti progres modern reformën në drejtësi”, shpjegon Halimi. Ministri deklaron se Rama urdhëroi votën kundër për reformimin e sistemit të drejtësisë si dhe bllokoi të gjitha ligjet me 3/5 për 3 vjet dhe urdhëroi deputetët e vet të mos votojnë ligjet edhe kur ishin me shumicë të thjeshtë. Halimi shton se më tej se një nga tre ligjet e integrimit, ka të bëjë me reformimin e Gjykatës së Lartë, çka do të sillte më shumë shpejtësi dhe cilësi në gjykim por projekti u bllokua nga Edi Rama”. Sipas tij, sot nuk kemi Gjykatë Administrative dhe Gjykatë të Lartë më të mirë, për shkak të Edi Ramës. “Por në 23 qershor, qytetarët do të votojnë kundër bllokimit dhe pro zhvillimit. Ne jemi ndryshimi. Përpara”, përfundon reagimin e tij në Facebook, ministri Halimi.