Proçesi zgjedhor “i diskutueshëm”

Ish-ministri i Kulturës dhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka vlerësuar se Kosova nuk e ka kaluar testin e demokracisë, pasi procesi i zgjedhjeve është “lënduar dhe është i diskutueshëm”.
Ai në një intervistë për BBC thotë se nëse nuk përmirësohen të gjitha parregullsitë që i kanë përcjellë zgjedhjet, atëherë Kosova do të ketë institucione me legjitimitet të kufizuar. Prandaj, sipas tij, LDK-ja ka kërkuar një proçes të ri zgjedhor në shtatorin e vitit të ardhshëm.
Ish-ministri i Kulturës më tej theksoi se LDK-ja dhe Partia Demokratike e kryeministrit në largim Hashim Thaçi janë forca të balancuara në Kosovë dhe ripërsëriti qëndrimin se partia e tij ka tërhequr një “vijë të kuqe” dhe ajo nuk mund të hyjë në asnjë formulë qeverisjeje me PDK-në.
Haziri tha se angazhimet politike të PDK-së për krijimin e koalicioneve qeverisëse po bëhen mbi bazën e një gjendjeje ende të paqartë dhe të rezultateve të pazyrtarizuara nga KQZ-ja.
“Krejt kjo mbetet një lloj përpjekjeje, edhe organizimi edhe ndërtimi i formulave qeverisëse për të ardhmen, që në këtë rast po shihet si tendencë nga udhëheqja e PDK-së. Kjo është një çështje që u takon atyre, apo vlerësimeve të tyre, ndërkaq sa i përket LDK-së, ne besojmë se 9 janari është data kur përfundimisht procesi do të mund të përmbyllet mirë, pjesërisht mirë apo do të llogaritet si i dështuar”, tha Haziri.
Më tej, Haziri foli edhe për raportin e Dick Marty. Ai ka vlerësuar se raporti i të dërguarit të Këshillit të Evropës e dëmton seriozisht aspiratën e popullit të Kosovës për integrime euro-atlantike.
Ai vlerësoi se raporti i Martyt e ka rënduar gjendjen “e jashtëzakonshme në vend” dhe ka kërkuar një aktivitet më të shtuar të diplomacisë së Kosovës në parandalimin e pasojave të tjera.