E Hënë, 2 Nëntor 2026

Thaçi- LDK-së: S` ka zgjedhje deri në 2014-ën

 Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, i ka bërë të qartë kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës se nuk do të ketë zgjedhje deri në vitin 2014.  Në mbledhjen e parë të Qeverisë pas zgjedhjeve të përgjithshme, Thaçi ka thënë se qeveria aktuale do të vazhdojë me konsolidimin dhe forcimin e Kosovës evropiane.
Thaçi ka përgëzuar qytetarët për pjesëmarrje dinjitoze në zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe partitë për korrektësi në këtë proces, ndërsa ka falënderuar gjithë mekanizmat që kanë qenë të involvuar në procesin zgjedhor.
"Kjo është mbledhja e parë pas organizimit të zgjedhjeve nacionale si qeveri e Kosovës, por natyrisht se politika e qeverisë, e këtij kabineti me integrimin e koncepteve shtesë qeverisëse do të vazhdojë në kuptimin e mandatit të ardhshëm katërvjeçar deri në vjeshtën e vitit 2014, pastaj gjithashtu me konsolidimin e shtetit dhe forcimin e shtetit, të Kosovës evropiane, të Kosovës me liberalizim të vizave, të Kosovës si pjesë të NATO-s dhe afruar shumë afër për integrim në Bashkimin Evropian", ka thënë Thaçi.
Ai ka ritheksuar zotimet e bëra edhe gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar se do të vazhdohet me investime kapitale, me hapjen e vendeve të reja të punës, me rritjen e mirëqenies sociale për qytetarët, dhe të gjitha këtu vendime, sipas Thaçit, do të fillojnë të implementohen nga janari i vitit të ardhshëm.
Zgjedhjet e 12 dhjetorit, sipas Thaçit, Kosovës i kanë dhënë një hijeshi duke forcuar demokracinë e re në Republikën e Kosovës.
"Natyrisht se këto zgjedhje i kanë dhënë hijeshi demokracisë, sepse do të kemi një opozitë të re, besoj korrekte, konstruktive dhe të shëndoshë për demokracinë e re në Republikën e Kosovës", ka thënë Thaçi.
Kreu i ekzekutivit të vendit ka shprehur përkushtimin për vazhdimin e reformave të thella në legjislacion, ekonomi, politikë, në procesin e integrimit euroatlantik, përderisa ka thënë se Qeveria e Kosovës do të punojë për hapjen e kufijve, për fqinjësi të mirë për të gjithë, pasi politika e Kosovës është euroatlantike, e përkushtimit për vende të reja të punës, mirëqenie sociale dhe sidomos për përfundimin e projekteve të nisura dhe vazhdimin e projekteve të reja.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›