Procesverbal, datë 21.05.2010 // Drejton mbledhjen: Leonard Demi - kryetar komisioni Rendi i ditës: 1. Miratimi i procesverbalit. 2. Shqyrtimi i projektligjit Për dhënien e lejes së hyrjes dhe të qëndrimit të përkohshëm, në territorin e
Drejton mbledhjen:
Leonard Demi - kryetar komisioni
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbalit.
2. Shqyrtimi i projektligjit Për dhënien e lejes së hyrjes dhe të qëndrimit të përkohshëm, në territorin e Republikës së Shqipërisë, të një force ushtarake turke.
Marrin pjesë:
Leonard Demi, Gazmend Oketa, Luan Skuqi, Fatos Hoxha, Lefter Maliqi, Astrit Patozi, Ardian Turku, Osman Metalla, Vasillaq Ngresi dhe Ndue Paluca.
Mungojnë:
Paulin Sterkaj, Arben Çuko, Armando Prenga, Asllan Dogjani, Ben Blushi, Gazmir Bizhga, Piro Lutaj, Skënder Hasa, Xhemal Qefalia.
Të ftuar:
Kristo Binjaku përgjegjës i Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Mbrojtjes.
Serafina Hasanbelliu juriste e Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Mbrojtjes.
HAPET MBLEDHJA
Miratohet procesverbali.
Leonard Demi Sot në rendin e ditës kemi shqyrtimin e projektligjit Për dhënien e lejes së hyrjes dhe të qëndrimit të përkohshëm, në territorin e Republikës së Shqipërisë, të një force ushtarake turke. Kjo është një marrëveshje, që ka ardhur për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe ne kemi kohë që e diskutojmë.
Fjalën e ka përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes.
Kristo Binjaku Ministria e Mbrojtjes nënshkruan plane bashkëpunimi çdo vit me shumë shtete dhe në veçanti me Turqinë në aspektin ushtarak. Në kuadër të planit ushtarak të bashkëpunimit për vitin 2010, ambasada turke ka kërkuar të lejohen të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë 5 anije turke.
Leonard Demi Kur themi ambasada turke është fjala për Republikën e Turqisë, sepse komisioni nuk merret me ambasadat. Ato janë përfaqësuese, pra është Republika e Turqisë që e bën kërkesën.
Kristo Binjaku Kërkesa është bërë nëpërmjet ambasadës dhe janë 1125 trupa ushtarake dhe 5 anije. 3 nga këto anije do të ankorohen në Durrës, një në Portin e Vlorës dhe një në bazën detare Pashaliman. Në nenin 14, germa c të ligjit nr. 9363 parashikohet se dhënia e lejeve të qëndrimit të përkohshëm të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, me një numër të përgjithshëm mbi 1000 veta, bëhet me ligj nga Kuvendi. Për këtë arsye ishim të detyruar që ta përgatisnim projektligjin dhe ta sillnim për miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Qëllimi i kësaj vizite nuk është zyrtar. Shumë shtete dalin në det të hapur dhe bëjnë stërvitje në anijet e tyre, por ky veprim nga ana e palës turke është edhe një forcim bashkëpunimi me forcat detare shqiptare dhe me ushtrinë në tërësi.
Konfirmimi paraprak është marrë nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe nga ministri i Mbrojtjes, i cili e ka përcjellë projektligjin për miratim në Këshillin e Ministrave dhe në Kuvend.
Leonard Demi Fjalën e ka zoti Metalla.
Osman Metalla Falemnderit, zoti kryetar!
Sikurse e thatë edhe ju, ne jemi njohur me këtë marrëveshje. Kemi kohë që e diskutojmë. Absolutisht në parim shprehem dakord dhe gjej rastin të shpreh falënderimin tim për ndihmën e vazhdueshme që forcat turke i kanë dhënë ushtrisë shqiptare gjatë gjithë kohës së reformimit. Kjo vizitë e tanishme është një vizitë rutinë që flota turke, në kuadrin e të qenurit vend anëtar i NATO-s, i bën një tjetër vendi të NATO-s. Besoj se kjo është një praktikë normale që e ndjekin të gjitha vendet e NATO-s.
Leonard Demi Shërben për forcimin e marrëdhënieve.
Osman Metalla Absolutisht, pavarësisht se u tha që nuk është një vizitë zyrtare e planifikuar, këto janë vizita shumë të rëndësishme, që ndikojnë në shkëmbimin e eksperiencave, në shkëmbimin e marrëdhënieve ndërmjet dy flotave tona, marrëdhënie që kanë ekzistuar në nivele shumë të mira dhe që vazhdojnë të jenë në nivele optimale. Besoj se bashkëpunimi ynë me trupën turke ka qenë në nivelet që kemi kërkuar gjithmonë.
Falemnderit!
Leonard Demi Zoti Metalla, komisioni mendon që ju të relatoni për projektligjin, në qoftë se e kalojmë për seancë plenare sot. Jeni dakord?
Osman Metalla Dakord.
Kristo Binjaku Në qoftë se do të shihet e arsyeshme nga ana juaj, ne propozojmë hyrjen në fuqi të ligjit menjëherë dhe botimin në Fletoren Zyrtare?
Leonard Demi Fjalën e ka zoti Oketa.
Gazmend Oketa Falemnderit, zoti kryetar!
Kjo është një dhënie leje qëndrimi për forcat e armatosura turke, për 5 anije që do të vijnë të vizitojnë Republikën e Shqipërisë. Siç edhe u përmend, është një bashkëpunim, pjesë e programeve vjetore që hartohen me një numër të konsiderueshëm të vendeve anëtare të NATO-s dhe me forcat ushtarake turke është parashikuar edhe vizita e anijeve. Sot në komision duhet të ishte prezent edhe një përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm, i cili mund të na jepte sqarime më teknike lidhur me vizitën e këtyre anijeve, nëse do të ketë apo jo një stërvitje të përbashkët. Dua të kërkoj që së paku në seancën plenare, kur të kalojë projektligji, ata të jenë të pranishëm, si dhe propozoj ndryshimin e formulimit të nenit 4: Projektligji hyn në fuqi menjëherë dhe jo 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Pra, hyrja në fuqi e ligjit të mos ketë varësi nga botimi në Fletoren Zyrtare.
Falemnderit!
Leonard Demi Fjalën e ka zoti Paluca.
Ndue Paluca Falemnderit, zoti kryetar!
Edhe unë shprehem dakord në parim për projektligjin dhe jam gjithashtu dakord me propozimin e zotit Oketa për ndryshimin e nenit 4 të projektligjit.
Falemnderit!
Leonard Demi Zoti Maliqi.
Lefter Maliqi Dakord.
Leonard Demi Zoti Turku.
Ardian Turku Dakord.
Leonard Demi Të nderuar deputetë, a keni ndonjë vërejtje tjetër?
Jeni dakord me propozimin e zotit Oketa që ligji të hyjë në fuqi menjëherë?
Dakord.
Miratohet në parim projektligji.
Kalojmë në votimin nen për nen të projektligjit.
Neni 1. Kush është dakord me nenin 1? Ka vërejtje? Nuk ka.
Miratohet.
Neni 2. Kush është dakord me nenin 2? Ka vërejtje? Nuk ka.
Miratohet.
Neni 3. Kush është dakord me nenin 3? Ka vërejtje? Nuk ka.
Miratohet.
Neni 4. Kush është dakord me propozimin e zotit Oketa, që ligji të hyjë menjëherë në fuqi?
Dakord.
Miratohet neni 4, me propozimin e zotit Oketa.
Kush është dakord në tërësi për projektligjin?
Dakord.
Miratohet.
Mirupafshim nesër me mbledhjen tjetër!
Mbledhja mblyllet