E Diel, 1 Nëntor 2026

Prodhimi i energjisë, në 2008-ën ishte një vit i keq

Viti i kaluar ishte një ndër katër vitet më të këqija që ka njohur vendi për sa i përket prodhimit të energjisë elektrike, gjë që i dedikohet menaxhimit të keq të kaskadës së Drinit dhe mbylljes së termocentralit të Fierit, thonë ekspertët. Gjatë vitit 2008, në Shqipëri u prodhuan 3.8 miliardë kWh, shifër kjo 20 për qind më e ulët sesa mesatarja shumëvjeçare. Prodhimi ishte 30 për qind më i lartë sesa në vitin 2007, por gjithsesi, shumë më pak sesa potenciali i vendit. Sipas ekspertëve, prodhimi i ulët i energjisë elektrike në Shqipëri shkaktohet më së shumti nga skemat e gabuara të zbatuara për shfrytëzimin e kaskadës së Drinit. "Nëse veprohet me kujdes, vendi mund të prodhojë shumë më tepër energji elektrike me të njëjtën sasi uji të shpenzuar", thonë ekspertët. Në të njëjtin mendim është edhe Enti Rregullator i Energjisë Elektrike. Në një prej raporteve vjetore, ERE thotë se shfrytëzimi i përshtatshëm i kaskadës rrit qoftë prodhimin e energjisë në sasi, qoftë përfitimin në vlerë.

Prodhimi

Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria prodhoi 3.85 miliardë kilovat orë, të cilat erdhën të gjitha nga hidrocentralet. Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, Shqipëria ka prodhuar mesatarisht 4.7 miliardë kWh në vit. Për pasojë, vitin e kaluar, vendi ka përfituar 20% më pak energji sesa mesatarja shumëvjeçare. Kaskada e Drinit, prej nga vjen shumica dërrmuese e energjisë së prodhuar, ka filluar të shfrytëzohet me plan menaxhimi shumëvjeçar që nga kriza e vitit 2002. Sasia e energjisë së prodhuar varet veçanërisht nga niveli mesatar vjetor i liqenit të Fierzës. Nëse niveli është i lartë, atëherë prodhohet më shumë energji me më pak ujë të shpenzuar dhe anasjelltas. Kjo skemë u prish gjatë vitit 2006, kur KESH-i nuk planifikoi siç duhet prodhimin në muajt e fundit. Për pasojë, niveli i Fierzës ra pranë minimumit teknik. Ky gabim dha pasoja në prodhimin e dy viteve në vijim dhe pasojat u ndjenë edhe gjatë vitit të kaluar.

Presion nga eksportuesit

Ekspertët thonë gjithashtu se biznesi i madh me energjinë e importit mund të kthehet, ose është kthyer sakaq në një forcë kundër prodhimit vendës. Gjatë vitit 2007, Shqipëria importoi 180 milionë euro energji elektrike, ndërsa në vitin 2008, prodhimi i kapërceu 200 milionë eurot. Shqipëria pati importuar mesatarisht 10 për qind të nevojave të veta nga viti 2003 deri në vitin 2006. Por, importi u rrit në 40 për qind të konsumit në dy vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, termocentrali i Fierit, i cili prodhonte pak energji, por shërbente si stabilizues dhe ulte humbjet në transmetim, u mbyll në fund të vitit 2007 nën premtimin se do të jepej me koncesion, ku duhej të investoheshin 100 milionë euro brenda një viti. Deri tani nuk ka të dhëna se çfarë është bërë me të. Ekspertët shqiptarë druajnë se volume të tilla biznesi në importin e energjisë janë kthyer sakaq në faktor pengues për mirëmenaxhimin e potencialit prodhues vendas.

Biznesi me hidrocentralet

Shqipëria mund të eliminojë një pjesë të konsiderueshme të kostos së importit të energjisë elektrike, në rast se tregu i Ballkanit fillon të funksionojë më mirë dhe KESH-i arrin të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për eksport, thonë ekspertët e Bankës Botërore, të cilët tregojnë se Shqipëria ka potencial për të rritur prodhimin dhe për të rritur të ardhurat nga ky prodhim. Por, nga ana tjetër, detyrimi për të organizuar tendera për importimin e energjisë, është një skemë jo shumë rentabël, që sjell çmime shumë më të larta sesa blerja e energjisë në bursë.

Humbjet financiare po zvogëlohen

Gjatë këtij viti pritet që humbjet financiare të sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri të ulen, për shkak të çmimeve më të ulëta të importit. Shqipëria vijon të paguajë minimalisht dy herë më shumë sesa çmimi i energjisë në bursën rumune, vendi nga ku vjen shumica dërrmuese e energjisë së importuar në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Por çmimet e importit kanë rënë nga maksimumi prej 100 eurosh për MW që u regjistrua në verën e kaluar, në më pak se 50 euro për MW. Në të njëjtën kohë, çmimet në bursën rumune kanë rënë nga 60 euro në rreth 25 euro për MW. Energjia e importuar në Shqipëri përbën pjesën më të madhe të shpenzimeve të KESH-it.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›