Prodhimi i qumështit, më i ulëti në 10 vjet

Ndërsa prodhimi i qumështit vendas po ulet nga viti në vit, qumështi i ardhur nga jashtë kufijve po gjen më shumë terren, shkruan Scan TV.
Prodhimi kombëtar qumështit në vitin 2020 u regjistrua në 1,05 milionë tonë, duke shënuar një rënie me 5,39 %, në krahasim me vitin 2019.
Rënia e prodhimit është e vazhdueshme, duke bërë që në 2020-ën të arrihet shifra më e ulët në dekadën e fundit, pasi në 2010-ën ishte në 1.07 milionë tonë.
Sipas të dhënave të INSTAT, rënia e prodhimit ka ardhur si rrjedhojë e reduktimit të numrit të gjedhëve, me 12,76 %, në krahasim me vitin 2019.
Struktura e prodhimit të qumështit, referuar vitit 2020 është: qumësht lope 85,28 %, qumësht dele 7,10 % dhe qumësht dhie me 7,62 %. Specifikisht, prodhimi i qumështit të lopës është ulur me 5,2 % , krahasuar me 2019-ën, prodhimi qumështit nga delet, ka pësuar rënie me 8,60 %, ndërsa prodhimi qumështit nga dhitë në 2020 është 4,49 % më i ulët se një vit më parë. Nga ana tjetër importi është rritur ndjeshëm dhe në mënyrë progresive.
Sipas të dhënave zyrtare nga doganat, nga 7400 tonë të importuara në 2010-ën, vitin që lam pas blerja e qumështit të freskët nga jashtë arriti në rreth 16 mijë ton. Importi është dyfishuar krahasimisht me vitin 2010 duke bërë që të paguhet afro 9 milionë euro në vit. Ndërsa eksportet janë në vlera modeste, të regjistruara në 2900 ton apo 1.4 milionë euro në 2019-ën. Industria e përpunimit të qumështit është industria e dytë më e madhe për nga numri i ndërmarrjeve (12.8% e totalit), pas industrisë së miellit.