E Shtunë, 31 Tetor 2026

Produksioni zero sipas Jan Harlan

Producenti dhe bashkëpunëtori i Stanley Kubrick, për herë të tretë në Durrës, trajnime për të rinjtë mbi produksionin me buxhet të vogël


Dita e dytë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës nis me filmat e retrospektivës. Në orën 10.00 në teatrin "Aleksandër Moisiu" shfaqet "Mëngjese lufte" (1971) me regji të Kristaq Dhamos dhe skenar të Dhimitër Xhuvanit. Po në nderim të figurës së Xhuvanit skenarist, sonte, ora 20.30 shfaqet në amfiteatrin e Durrësit "I dashur armik" (2004) me regji të të birit, Gjergj Xhuvanit.


Po ç'ndodh me filmat se seksionet konkurreuese?


Në seksionin "Vizione bashkëkohore", konkurron filmi "Është ferr me princeshën" ("Peklos S Prinçeznou", 2009) i regjisorit çek Milos Smídmajer. Shfaqet në orën 12.00 në Teatrin "Aleksandër Moisiu". Po në këtë seksion, në orën 22.00, shfaqet edhe produksioni franko-zviceran "Zemër kafshe" ("Coeur Animal", 2009) i regjisores Séverine Cornamusaz..


Në orën 18.00, skena e teatri hapet për seksionin "Botë Ballkanike" ku konkurrojnë 7 prodhime nga rajoni. Fillon me prezantimin e një prodhimi mes Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Republikës Maqedonase.


Filmi "Disa histori të tjera" ("Neke Druge Price/Neke Druge Zgodbe", 2010) me regji të Marija Dzidzeva, Ivona Juka, Ana Marija Rosi, Ines Tanovic, Hanna Antonina Wjçik-Slak, shfaqet për së dyti në orën 22.00.


I dyti film konkurrues nga Ballkani, është "Love, Scares", me regji të Ivana Cetkovic, Branislav Milatovic, Milos Pusonjiç, Mladen Vujacic.

Në orën 18.00, në Shtëpinë e Rinisë, producenti Jan Harlan, tashmë mik i Festivalit të Durrësit, kryen me të rinjtë trajnimin për "Produksionin zero" temë e cila ka në fokus prodhimin e një filmi me buxhet të vogël.


Është hera e tretë që Harlan vjen në Shqipëri. Emri i tij fillimisht përmendet në bashkëpunimet si asistent regjisor me një emrin e njohur të kinemasë botërore si Stanley Kubrick, për filmat "A Clockwork Orange" (1971), "Barry Lyndon" (1975), "The Shining" (1980), "Full Metal Jacket" (1987) dhe te "Eyes Wide Shut" (1999).


Në vitin 2001 ai i kushtoi një film mësuesit të tij, dokumentarin "Stanley Kubrick: A Life in Pictures".


Më 2006, Harlan realizoi një tjetër dokumentar profil, këtë herë për aktorin britanik Malcolm McDowell. "O Lucky Malcolm" (2006) shfaqet në ditët e ardhshme të festivalit.


Ndërsa kompozitori Henning Lohner i cili vjen për herë të dytë në Festivalin e Durrësit, kryen trajnim për muzikën e filmit.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›