Vritet me plumb në zemër polici rrugor
Kolë Ndreshaj u ekzekutua ndërkohë që po kthehej nga shërbimi për në banesën e vet në qytetin e Shkodrës
Pas hetimeve rezulton se 41-vjeçari është ndjekur nga autorët me makinë dhe është qëlluar nga afër
SHKODËR - Vritet në krye të detyrës efektivi i policisë së Shkodrës, Kolë Ndreshaj, ndërsa nuk dihen ende motivet dhe autorët e ngjarjes. Kolë Ndreshaj, 41 vjeç, ishte me shërbim në fshatin Reç të komunës Shkrel në Malësinë e Madhe ku festohej 66-vjetori i luftës së Reçit, një festë kjo tradicionale në zone, e cila festohet që para vitit 1990 dhe ka vazhduar më pas.
Policia ka qenë e pranishme në aktivitetet e së shtunës që vazhdojnë dhe të dielën, pasi vendi ku organizohet kjo festë ka grumbullim të madh personash, kryesisht banorë të zones, por dhe të ardhur nga Shkodra.
Efektivi i njësisë rajonale të qarkullimit rrugor ka qenë me shërbim dhe rreth orës 02:00 është nisur drejt Shkodrës me motoçikletën e policisë rrugore. Në rrugën që lidh fshatin Reç me rrugën nacionale Koplik- Dedaj, rreth 50 metra pa dalë në rrugë, polici është ndaluar nga autorët, që mendohet se e kanë ndjekur pas me makinë. Sapo është ndalur, tek vendi i quajtur "Foletat e Marshenjt", ai është qëlluar me një plumb në zemër duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Trupi i tij është gjetur më pas nga persona që kalonin nëpër këtë aks rrugor dhe që kanë lajmëruar policinë.
Për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve është ngritur një grup pune me specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas të dhënave të para, afër vendit të ngjarjes, rreth 1 metër pas, është dalluar një frenim automjeti që duhet të ketë qenë mjeti me të cilin udhëtonin autorët.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja dhe, sipas të dhënave të ekspertizës, viktima ka tentuar t'i shmanget autorëve por nuk ia ka arritur, ndërsa është qëlluar nga distancë e afërt.
Polici Ndreshaj ishte nga Dukagjini dhe prej 20 vitesh jetonte në Shkodër. Ai kishte mbi 15 vjet që ishte efektiv i policisë së qarkullimit rrugor. As ai dhe as familja e tij nuk kanë pasur konflikte me të tjerë, duke përjashtuar kështu motivet personale.
Sipas kolegëve të tij, i vetmi motiv për të cilin është qëlluar Ndreshaj është ai i detyrës, ndonëse nuk ka informacion për ndonjë konflikt të mëparshëm që lidhej me detyrën e tij.
Pista kryesore mbetet ajo e ndonjë konflikti të ndodhur mes policit në detyrë dhe personave të tjerë gjatë ditës dhe orëve të natës së kaluar, e cila mund të ketë çuar në vrasjen e tij.
Autorët janë larguar pa lënë asnjë gjurmë dhe sipas specialistëve që po merren me hetimin, ka shumë mundësi që të jenë banorë të zonës. Duke qenë se ngjarja ka ndodhur në orën 02:20, po hetohet dhe për mundësinë e tërheqjes në kurth të policit me anë të ndonjë telefonate.
FNSH-ja e Shkodrës është e pranishme në Malësinë e Madhe, ndërsa specialistët janë duke hetuar intensivisht. Vrasja e 41- vjeçarit Kolë Ndreshaj ka tronditur efektivat e policisë së Shkodrës, veçanërisht ata të njësisë rajonale të qarkullimit rrugor.
Kolë Ndreshaj ishte baba i dy djemve të mitur dhe jetonte në lagjen "Skënderbej" në qytetin e Shkodrës. Varrimi i tij do të bëhet të hënën.
Nga policia e shtetit janë vënë në dispozicion 5 milionë lekë të rinj për këdo që do të japë informacion të vlefshëm lidhur me autorët e vrasjes së punonjësit të policisë.
Drejtues të lartë të policisë së shtetit si zëvendësdrejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Agron Kuliçi, drejtori i Krimeve të Rënda Nikolin Bala dhe Drejtori i Policisë Rrugore, Vullnet Topalli, ndodhen në Shkodër për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes. Dy të fundit, Bala e Topalli, kanë punuar me viktimën Ndreshaj në kohën kur drejtonin policinë e qarkut të Shkodrës.
Ky është rasti i dytë që nga fillimi i këtij viti që vriten efektivë të policisë së qarkut Shkodër. Më 17 maj në Bushat, efektivi i policies, Tom Jakini, u vra me armë zjarri nga një koleg i tij pas grindjes për orën e marrjes së shërbimit.