E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prof. Alfred Uci promovon librin per Petro Nini Luarasin

Të panjohurat rreth mendimtarit martir të Rilindjes sonë Kombëtare, Petro Nini Luarasi, janë përmbledhur në një libër nga akademiku i njohur, Prof. Alfred Uçi.

Autori i këtij libri, me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së gjyshit të tij, Petro Nini Luarasit, promovoi librin jetëshkrimor kushtuar atij, në një aktivitet përkujtimor që u zhvillua sot në sallën e Shtëpisë së Ushtrisë me praninë e studiuesve dhe akademikëve të tjerë.
“Kam nderin e veçantë të përshëndes botimin e këtij libri, kushtuar njërës prej ikonave më të shquara të arsimit kombëtar", u shpreh zv/ministri i Arsimit, Halit Shamata, duke e cilësuar aktivitetin përkujtimor, si "një pararendës edhe për fillimin e veprimtarive në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe jetësimit të shtetit shqiptar".

Sipas Shamatës, duke promovuar librin jetëshkrimor të Petro Nini Luarasit, "i bëjmë homazh njërit prej pionierëve të shkollës dhe lëvizjes kombëtare, jo vetëm në trojet shqiptare, siç e ka vlerësuar njëri prej miqve të tij, Fan S. Noli, por edhe në Amerikë, ku Petro Nini Luarasi punoi për katër vite, duke qënë një mërgimtar politik".

Studiuesit e pranishëm, përmes fjalëve të mbajtura në këtë aktivitet përkujtimor, nderuan veprën e Petro Nini Luarasit, njërit prej themeluesve të mendimtarisë shqiptare si dhe njërit prej martirëve të përhapjes së shkronjave shqipe, librit dhe mësimit shqip.
Duke qënë veprimtar i shquar në dobi të çështjes kombëtare, aktivist dhe polemist në emër të saj, Petro Nini Luarasi, është lëvrues i vjershërimit shqip dhe autor i disa shkrimeve me karakter politik, filozofik, publicistik dhe pedgogjik.

Në veprën e tij më të rëndësishme me karakter politiko-patriotik "Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit", botuar në Manastir më 1911, ai bëhet mbrojtës i të drejtës natyrore të gjuhës dhe identitetit kombëtar të popullit të tij.

Emrin e Petro Nini Luarasit e mbajnë një sërë institucionesh arsimore dhe kulturore në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe më tej.
Në librin e prof. Uçit, krahas simbolit të dëshmorit të shkollës shqipe, lexuesi gjen Petro Nini Luarasin si modelin e gjallë të një pune të paepur që lidhet me ngritjen e shkollave me programe mësimore, me punën e qëmtuesit, pastronjësit të gjuhës shqipe.
Mes fakteve dhe të dhënave të reja, Prof. Alfred Uçin sjell qëndrimet e panjohura deri më sot të mendimtarëve të viteve ’30-të, të cilët reaguan ashpër ndaj një gjesti të mbretit Zog. Në festimet e 25-vjetorit të Pavarësisë Ahmet Zogu nuk e kishte përfshirë emrin e Petro Ninit në listën e veteranëve të nderuar, që dekreti mbretëror i quajti "të shkallës së parë". Mendimet e Zavalanit, Branko Merxhanit, Faik Konicës dhe Fan Nolit, krijojnë një portret të ndritur të këtij mendimtari. Libri përfshin edhe një varg shkrimesh nga Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, S.Pollo, Z. Xholi, A.Varfi, Siri Shapllo, etj.

Libri jetëshkrimor i Prof. A. Uçit, i cili e ka titullin "Petro Nini Luarasi, mendimtari martir i Rilindjes Kombëtare, 1865-1911" është botuar nga Shtëpia Botuese e Librit Universitar, me kryetare të Këshillit Botues Liri Çoçolin dhe me perkujdesjen grafike të Enkelejda Mishës. Ndërsa botimi i tij është mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Shqipërisë. Publikimi i këtij libri përbën një ngjarje të veçantë për historikun e arsimit shqiptar dhe të njohjes së figurave të tij të ndritura.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›