E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremic zgjidhet Presidenti i Federates Serbe te Tenisit

Serbia njihet për tenisin e saj të nivelit të lartë, për numrin 1 të botës, Novak Gjokoviç, dhe dy tenistet e shquara Jelena Jankoviç dhe Ana Ivanoviç.

Por, ky vend fqinj me ne ka shkaktuar një habi në botën sportive, pasi një ministër është zgjedhur në krye të Federatës së Tenisit. Bëhet fjalë për Vuk Jeremiçin, ministrin e jashtëm, i cili vështirë se gëzon një reputacion shumë të mirë ndër shqiptarët e Kosovës apo edhe ata të Shqipërisë në përpjekjet e tij për të luftuar ndaj pavarësisë kosovare.

Gjithsesi, ministri Jeremiç është zgjedhur unanimisht në krye të Federatës, pasi mori të 57 votat e delegatëve nga 106 klubet e tenisit në Serbi. Ai e përshkroi kështu misionin që i ka vënë vetes:

“Ne jemi sot vendi i parë i tenisit në botë dhe detyra jonë në të ardhmen është që të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të përmirësuar sistemin, të ndërtojmë një mekanizëm që të na lejojë që edhe në brezat e ardhshëm Serbia të jetë kampione e botës”, thotë Jeremiç.

Një detyrë e vështirë kjo, ndoshta e paarritshme, por gjithsesi, Jeremiç është optimist. Ai zëvendëson në postin e presidentit ish-tenistin e shquar të Jugosllavisë, Sllobodan Zhivojinoviç, i cili njihet edhe si i shoqi i këngëtares së njohur ish-jugosllave, Lepa Brena.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›