Prof. Dr. Elfrida Zefi, kandidate e PD-së për Qarkun e Korçës shprehet e sigurt në një fitore historike
Qarku i Korçës, 12 herë më mirë këto 4 vjet, 24 herë më i bukur në 4 vitet e ardhshme
“Çdo kandidat i PS-së e ka të vështirë të prezantojë programin e partisë së vet. E ka të vështirë sepse ende ky program nuk është prezantuar nga vetë lideri i kësaj partie. Ai thotë se programi i tij ka 7 pika, por nuk ka shpjeguar asnjëherë se çfarë pikash janë ato. Mund të thoshte se kishte edhe 17 pika, por çfarë rëndësie do të kishte kjo, kur ai nuk i shpjegon ato. Si mund të flasin kandidatët e tij kur ata nuk kanë asnjë ide për programin. Kjo gjë i ka kthyer në kandidatë qesharak. Të vetmet gjëra që thuhen prej tyre janë, “programi ynë ka 1000 faqe...”, “programi ynë ka detaje...”, “programi ynë ofron zgjidhje...”, “programi ynë…”, “programi ynë...”. Po se ku është ky program, askush ende nuk e ka parë. E dini pse? Për një arsye shumë të thjeshtë dhe bajate. Ata thjeshtë janë pa program. Frazeologjia e tyre është boshe, pa asnjë lloj mesazhi, pa asnjë lloj shprese. Në çdo fjalë e tyre ndihet demagogjia, trishtimi i humbjes” KORÇE - “Banorët e Qarkut Korçë do të votojnë për PD-ën, për nr. 10. Do të votojnë për ne, sepse s’ka si të ndodhë ndryshe. Gjatë 8 viteve të qeverisjes socialiste, Korça nisi të humbiste shkëlqimin e vet, humbi gjallërinë, humbi punën, po humbiste vlerat e saj kulturore dhe artistike, vlerat tradicionale të saj dhe kjo nuk ishte pak, humbi gjithçka të bukur dhe të mirë që kishte kultivuar për shekuj me radhë. Për të gjitha këto arsye, qarku i Korçës voton PD-ën, madje do t’i dhurojë asaj një fitore historike, mjaft të thellë, jo për të ndëshkuar PS, por për të vlerësuar atë parti që i kthehu shkëlqimin e munguar”. Kështu shprehet midis të tjerave për gazetën “55”, kandidatja për deputete e PD-ës për Qarkun e Korçës, prof. dr. Elfrida Zefi. “Me investimet e katër viteve të qeverisjes ne e bëmë rajonin e Korçës 12 herë më të mirë, sepse investimet tona ishin 12 herë më të larta në krahasim me 8 vitet e qeverisjes socialiste të marra së bashku. Në katër vitet që vijnë ne do ta bëjmë rajonin e Korçës 24 herë më të bukur, sepse që të gjitha investimet do t’i dyfishojmë. Do t’i kthejmë këtij rajoni gjithçka të bukur dhe të mirë që ka pasur. Kjo është e vërteta, kjo është PD-ja që sot mban numrin 10. Për të votuar PD-ën, ditët e fundit kanë ardhur emigrantë nga shumë qytete të Greqisë, nga Athina, nga Selaniku, Volosi, Larisa, etj., të cilët po mbushin zyrat elektorale të PD. Sigurisht ne kemi pasur takime edhe me emigrantët dhe fjalët e tyre ishin, ‘katër vjet më parë trishtoheshim sa herë e shihnim Korçën të harruar, sot e shohim krejt ndryshe atë’. Vota e emigrantëve do të thellojë fitoren tonë...”, vijon më tej mes entuziazmit dhe tepër e sigurt prof. dr. Elfrida Zefi. Fushata elektorale është mbyllur dhe tashmë janë zgjedhësit që do të vendosin. Gjatë fushatës suaj, cili ka qenë qëllimi juaj, të evidentoni 4 vitet e qeverisjes së PD-ës, apo të nxini krejtësisht 8 vitet e qeverisjes së PS-ës? Gjatë ditëve të fushatës, ne kemi thënë vetëm të vërtetat. Ose më saktë, kemi folur me gjuhën e fakteve. Ndaj përgjigjen e pyetjes suaj, ju mund “ta lexoni” si të doni. Por një gjë është më se e vërtetë. Ne nuk kemi gënjyer. Këtë gjë nuk do ta kisha guxim ta bëjë kurrë, sepse ai që mashtron ka edhe ndëshkimin me vete. Ndoshta më duhet të sjell në vëmendjen e gjithë bashkëqytetarëve të mi se çfarë ndodhte me Korçën katër vjet më parë. E dini? Qytetarët e saj filluan të ndiheshin gjithnjë e më shumë të dëshpëruar. Mëngjeset në këtë qytet vinin vonë, sepse nuk kishte punë, nuk kishte jetë, nuk kishte shpresa dhe mbrëmjet zbrisnin shpejt sepse nuk kishte gjallëri, nuk kishte para, kishte vetëm mjerim dhe varfëri. Grilat dhe qepenat e dyqaneve mbulonin çdo lokal dhe dyqan pa ardhur mirë mbrëmja. Djemtë dhe vajzat linin shëtitoren dhe ktheheshin në shtëpitë e tyre të trishtuar. Gjithçka ishte e zymtë, të rinjtë ishin shpresëvrarë. Gjithkush pyeste veten, “Çfarë po ndodh kështu me Korçën?!”. Kjo pyetje ishte mjaft e vështirë për banorët e këtij rajoni. Ishte e vështirë, sepse dikur Korça kishte pasur një emër të madh. Gjatë shekullit XIX qyteti i Korçës numëronte 1000 dyqane dhe punishte. Në pazarin e Korçës gjeje edhe mallra të ardhura nga Anglia. Vlora ishte një nga furnizueset e këtij pazari. Në këtë pazar zbrisnin fshatarët e Kolonjës, Devollit, Leskovikut dhe Pogradecit. Gjithçka që prodhohej, mbërrinte aty, qumështi dhe djathi, molla, dardha, arrat dhe mjalti, speci, domatja e qepa, mishi dhe peshku, rakia dhe vera. Në Korçë zbrisnin tregtarët e Elbasanit dhe të Ohrit, të Manastirit dhe e të qyteteve të tjera. Korça vazhdonte të mbante lidhje me Janinën, Korfuzin, Stambollin Manastirin, Ohrin, Selanikun, etj., etj... Pse i them të gjitha këto, sepse shkatërrimin më të madh këtij rajoni ashtu si gjithë Shqipërisë ia solli regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. E njëjta gjë ndodhi edhe gjatë viteve të qeverisjes socialiste. Investimet që u realizuan gjatë qeverisjes së tyre ishin një ironi e hapur për këtë rajon, sepse ishin të papërfillshme. Si mund të lihej kaq pas dore një rajon që njihet për vlerat kulturore të tij, për serenatat, për ballot me maska, për korin “Lira”?!... Si mund të harrohej Korça e vlerave të artit mesjetar, aty ku gjendet dora e mjeshtërve të mëdhenj si David Selenica, vëllezërit Zografi, Kostandini e të tjerë?!... Kjo gjë jo vetëm ishte e çuditshme, por edhe absurde njëkohësisht. Megjithatë, socialistëve u duket sikur janë “specialiste” në shndërrimin e humbjeve të tyre në mrekulli. Jo zotëri kjo nuk mund të ndodhë jetojmë në shekullin XXI. Tashmë jemi shumë afër familjes evropiane. Brenda vitit të parë të mandatit të dytë do të lëvizim pa viza në gjithë vendet e Bashkimit Evropian. Nuk jemi më vend i izoluar, nuk jemi më një “ishull”, kur e keqja e regjimit enverian na trumbetohej si mrekulli. ... Pra, tashmë ju pretendoni se ia keni kthyer emrin e mirë Korçës? Sigurisht që po. Vetëm për qytetin e Korçës kemi investuar 75 miliardë lekë ose 12 herë më shumë në krahasim me 8 vitet e qeverisjen socialiste të marra së bashku. Tashmë Korça dhe rajoni i saj ndihet krejtësisht ndryshe. Të njëjtën gjë kemi bërë edhe me qytet dhe rrethet e tjera të këtij rajoni, me Kolonjën, Devollin dhe Pogradecin. Katër vjet më parë, në qytetin e Pogradecit nuk flitej as për ujë të pijshëm dhe as për liqen të pastër. Shini sot se si është gjendja. Në zonën e Liqenasit, nuk flitej as për rrugë të asfaltuara dhe as për ndonjë turizëm të konsoliduar. Në Voskopojën turistike nuk kishte as rrugë, as ujë, as ndriçim, as gjelbërim, as rrugë të brendshme të fshatit dhe as energji elektrike. A mund të flitej atje për turizmin familjar, malor apo kulturor?! Kurrsesi që jo. Çfarë thoshin banorët e fshatit turistik të Dardhës deri para katër viteve. Vetëm ankoheshin dhe përballeshin me trishtimin. Sot është krejt ndryshe, ka rrugë të asfaltuar, janë çelur fondet për unazën e këtij fshati, do të ndërtohen depo të tjera për ujësjellësin, do të vishen me kalldrëm rrugët e brendshme, me qëllim që Dardhën ta kthejmë ashtu siç ka qenë. Dhe këto nuk janë premtime, sepse shumë shpejt do të përfundojnë. E njëjta vëmendje është treguar edhe për rrethet Kolonjë dhe Devoll. Sot nuk ka më qepena dhe grila, nuk ka të rinj që çojnë jetën e tyre mes trishtimit dhe dëshpërimit, nuk ka fermerë që nuk shisnin dot prodhimet e tyre, ndërsa prisnin të merrnin si pension 30 mijë lekë të vjetër, nuk ka mësues, mjekë, infermierë, nëpunës, pa dinjitet dhe të parespektuar. Sigurisht nuk mund të pretendojmë se ajo çka kemi arritur ka qenë ideale, por mund të them se gjithçka e realizuar ka qenë e frytshme dhe e mirë për gjithsecilin. Në katër vitet që vijnë ky rajon do të jetë 24 herë më i bukur dhe 24 herë më i mirë. Por në të gjitha ata çka kemi bërë na duhet të jemi realist, sepse në fund të fundit, paratë e shqiptarëve kemi investuar. Nëse do të ishin në pushtet socialistët do të investonin 12 herë më pak dhe do ta trumbetonin si parajsë. Çdo kandidat për deputet përpiqet të sjellë anët më të mira të qeverisjes, apo të programit, por si perceptohen ato nga njerëzit, a keni ju një vlerësim real për këtë? Pyetja është shumë e drejtë. Është e vërtetë që çdo kandidat kërkon të imponohet me anët më të mira të programit, por kurrsesi nuk mund të ndodhë kështu. Qytetarët janë të ndërgjegjshëm për atë që dëgjojnë dhe për atë që besojnë. Po të mos ishte kështu, atëherë nuk do të kishte asnjëherë rrotacion. Pavarësisht nga përpjekjet e çdo kandidati, secili prej tyre e ndjen se çfarë po ndodh me të. Ai e ndjen nga vështrimet e njerëzve, nga pyetjet dyshuese që i drejtohen, nga pjesëmarrja në takime, nga entuziazmi dhe gjallëria, nga shpresa që përcillet ose jo përmes programeve të paraqitura etj. Ekzistojnë 1000 tregues për ta kuptuar këtë. Po shihni çfarë po ndodh sot. Çdo kandidat i PS-ës e ka të vështirë të prezantojë programin e partisë së vet. E ka të vështirë sepse ende ky program nuk është prezantuar nga vetë lideri i kësaj partie. Ai thotë se programi i tij ka 7 pika, por nuk ka shpjeguar asnjëherë se çfarë pikash janë ato. Mund të thoshte se kishte edhe 17 pika, por çfarë rëndësie do të kishte kjo, kur ai nuk i shpjegon ato. Si mund të flasin kandidatët e tij kur ata nuk kanë asnjë ide për programin. Kjo gjë i ka kthyer në kandidatë qesharak. Të vetmet gjëra që thuhen prej tyre janë, “programi ynë ka 1000 faqe...”, “programi ynë ka detaje...”, “programi ynë ofron zgjidhje...”, “programi ynë…”, “programi ynë...”. Po se ku është ky program, askush ende nuk e ka parë. E dini pse? Për një arsye shumë të thjeshtë dhe bajate. Ata thjeshtë janë pa program. Frazeologjia e tyre është boshe, pa asnjë lloj mesazhi, pa asnjë lloj shprese. Në çdo fjalë e tyre ndihet demagogjia, trishtimi i humbjes. Atëherë a mund të pyesim nëse edhe kandidatët e Partisë Demokratike janë përballur me pakënaqësi të njerëzve? Sinqerisht ju them se nuk na ka ndodhur një gjë e tillë në asnjë rast. Kudo që kemi shkuar kemi gjetur njerëz që tek Partia Demokratike shikojnë shpresë. E kam vërejtur këtë gjë, sepse atje ku kemi qenë, gratë dhe burrat më të zotë kanë dashur të na shoqërojnë dhe të na çojnë derë më derë e shtëpi më shtëpi. I kemi pasur të gjithë përkrahës të programit tonë. Më ka ndodhur që një nënë të më marrë për dore e të më çojë te çezma e fshatit dhe të më thotë: “Katër vjet më parë pinim ujë te lumi”. Na kanë çuar te shkolla e re e ndërtuar, ku na kanë thënë: “Faleminderit”. Na kanë shpënë tek vreshti apo pemëtorja e ngritur me subvencionimet nga qeveria dhe na janë drejtuar me fjalët: “Katër vjet më parë kishim vetëm tre rrënjë mollë”. Na kanë çuar te ferma e tyre me dhen e dhi e sërish kemi dëgjuar të thuhet: “Tashmë jam bërë zot i vetes”. Kemi parë sera me perime dhe zarzavate dhe kemi dëgjuar të thonë: “Nesër do të jemi edhe më të pasur”. Na kanë falënderuar për rrugën, për urën, për qendrën shëndetësore etj. Sigurisht nuk kemi shkuar atje për të mbledhur falënderimet, por për t’u treguar se ky është detyrimi i Partisë Demokratike, ndaj në katër vitet e ardhshme detyrimet tona do të jenë edhe më të mëdha. Edhe një pyetje të fundit, thuhet se Tirana mbetet një nga pikat më të forta të Kryetarit të PS-ës, pasi ai po e prezanton atë si modelin më të mirë, sa e vërtetë është kjo? Rama sjell si model të ri qeverisje bashkinë e Tiranës, por në të vërtetë edhe kjo retorikë është e pavlerë. Se çfarë është bërë në Tiranë mund ta dinë vetëm tiransit dhe ata dinë mirë këtë gjë. Për rrethet e tjera pak rëndësi ka. Edhe ata që kanë parë Tiranën nga afër zor se u ka shkuar ndonjëherë në mendje emri i Edi Ramës, sepse sot njerëzit kanë parë kryevepra botërore, mrekulli arkitekturore, qytete të fantazisë dhe imagjinatës që vetëm gjenialitet mund t’i bëjnë dhe nuk mund të befasohen e të hutohen sikur të ishin kooperativistët e Enverit që i sillte nga një fshat i largët për të qenë aty në festën e 1 Majit. Qyteti i Tiranës edhe sot e kësaj dite nuk e ka një plan urbanistik, ndërsa akuzat për korrupsion kanë qenë të vazhdueshme. Të sillesh në këtë mënyrë i ngjan një njeriu që i përket tërësisht të shkuarës. Nëse sillesh në këtë mënyrë, atëherë zor se le njeri pa fyer dhe ofenduar dhe aq më pak tiransit, por edhe gjithë shqiptarët, të cilët tashmë kanë pasur fatin të shohin kryeqytetet botërorë dhe dinë se ç’është një kryeqytet dhe si janë përdorur paratë e tyre në Tiranë. Por edhe për këtë arsye, fitorja e thellë do të jetë e Partisë Demokratike
...